Ministri: Është e kotë të aplikohet më, tashmë dihet niveli i pagave që deklaron privati. Të ardhurat në buxhet dhe raporti shtet-privat
Ministria e Financave ka vendosur të mos aplikojë më sistemin e pagës referencë, e cila për 5 vjet shërbeu për tatimet si manuali për të vjelë taksën 10 për qind mbi të ardhurën personale.
Lajmin e dha i pari kryeministri, Sali Berisha në mbledhjen e grupit task force të reformës rregullatore, nga ku u morën disa vendime të rëndësishme, mes tyre dhe ajo e referencës mbi pagat në sektorin privat.
VKM-ja e “famshme” me nr.285, miratuar në maj të vitit 2007 shkaktoi shumë debate në qarqet e sipërmarrjes private, pasi shikohet si një dhunim i të drejtës së tregut të lirë në përcaktimin e pagave, ku tashmë ishte qeveria ajo që diktonte nivelin e tyre,
dhe jo biznesi.
Ministri i Financave, në një prononcim të shkurtër pranon se VKM-ja nuk vlen më të aplikohet, pasi tashmë dihet në treg se sa janë pagat. “Do kryejmë një rishikim të sistemit, duke mos aplikuar më referencat,
pasi u bënë disa vite dhe dihet sa është niveli real i tyre, kështu që biznesi nuk mund të tentojë të deklarojë më pak”, u shpreh ministri i Financave.
Burime zyrtare nga grupi i punës në Ministri të Financave shprehen se gati 85 për qind e bizneseve deklarojnë nivelin real të pagave, pra janë mësuar me sistemin, kështu që aplikimi i VKM-së nuk shërben më.
Me vendosjen e referencave në vitin 2007, arkëtimet nga tatimi mbi të ardhurat personale u rritën me gati 70 për qind, ndërsa shumë biznese u ankuan se qeveria po fut duart në arkën e tyre përmes taksave.
Debati mori përmasa të mëdha, kur në vendim u caktua se sa do të ishte numri i punonjësve.
Niveli i pagave, deklaruar në tatime për efekt të pagesës së taksës që aplikohet në burim, në masën 10 për qind nuk përputhej me realitetin, pasi bizneset shmangin sa më shumë paraqitjen e saktë të shumës.
Pakkush, përveç punonjësve të bankave e telekomunikacioneve, si dhe ato që punonojnë në shtet deklaronin vlerën reale, ndërsa në sektorë të tjera informaliteti ishte i lartë.
Të ardhurat dhe raporti i zhdrejtë shtet-privat
Në buxhetin e shtetit, të ardhurat nga tatimi mbi pagën u rritën në vitin 2011 në masën 3.4 për qind në raport me vitin 2010, ndërsa në raport me planin, realizimi ishte më pak se 95 për qind.
Trendi rritës ka ardhur në rënie, që prej vitit 2007, kur të ardhurat pësuan kapërcim me 70 për qind, për shkak të efektit që dha VKM-ja.
Në total, të ardhurat, sipas statistikave zyrtare nga Ministria e Financave ishin rreth 28 miliardë lekë, ku sektorët publikë dhe privatë kanë kontributin më të madh.
Në shtet, nga punonjësit e adminsitratës publike, tatimet kanë mundur të mbledhin afro 8.8 miliardë lekë, me një rritje në raport me 2010-n në masën 4.2 për qind, kurse në privat,
arkëtimet regjistruan një nivel prej 8.9 miliardë lekë, ose 11.5 për qind më shumë. Sikurse duket nga të dhënat, edhe pse dihet që pagat në privat janë më të larta dhe me shumë të punësuar, të ardhurat ng ky sektor janë gati të njëjta si me të punësuarit në shtet,
ku numri nuk shkon më shumë se 100 mijë. Shumë punonjës në privat nuk e deklarojnë ende pagën e plotë te tatimet, për shkak se detyrimi për të paguar nga llogaritja e 10 përqindëshit del e lartë,
dhe preferojnë që një pjesë ta marrin në bankë dhe diferencën në dorë.
Aplikimi i referencës në tatime
“Kur administrata tatimore vëren se pagat e deklaruara nga punëdhënësit jopublikë, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe të tatimit mbi të ardhurat personale të të punësuarve të tyre,
nuk janë reale dhe nuk i përgjigjen vlerës së tregut për shërbimet e punësimit, ajo ka autoritetin t’i vlerësojë, sipas niveleve të pagave të dhëna në VKM-n nr.285”.
Kjo është përmbajtja e pikës së parë të vendimit, i cili për gati 5 vjet vendosi në vështirësi subjektet private, ndërsa shteti arkëtoi miliarda lekë të ardhura shtesë.
Sipas vendimit, paga referuese mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të tatimit mbi të ardhurat personale (20 000 lekë minimalja dhe 87 700 lekë maksimalja),
për të punësuarit në sektorin jopublik, që kryejnë punë të pakualifikuara e të kualifikuara, si dhe për personelin drejtues e tekniko-ekonomik, sipas nomeklaturës së veprimtarive ekonomike
dhe të kërkesave të vendit të punës për kualifikim, përcaktohet në seksionet A deri në O dhe në nënndarjet, sipas klasifikimit në tre kategori të rretheve, ku ushtrohet veprimtaria e biznesit.
Pikërisht, këto nëndarje përcaktonin sipas listës dhe profesioneve nivelin e pagave.
Për degët e naftës, hotelerinë dhe peshkimin, administrata tatimore aplikoi pagën referuese të pozicionit “Administrator/drejtor i Përgjithshëm”, të rrethit të Tiranës,
për të njëjtin pozicion për subjektet, që ushtrojnë veprimtari në rrethet e kategorisë së dytë e të tretë.
Vendimi arriti të përcaktonte edhe kualifikimet e punonjësve, për të identifikuar saktë më pas llojin e pagës, duke shmangur kështu mundësinë e evazionit.
Pagat sipas profesionit (sa ishin referencat)
Ndërtimi
Në Tiranë, administratori i përgjithshëm i një firme ndërtimi duhet të kishte një pagë prej 250 mijë lekësh në muaj, kurse në rrethe pagë me 200 mijë lekë.
Për pozicionet e tjera, si shef në firmën private, paga në Tiranë duhet të ishte 150 mijë lekë, kurse në rrethet kryesore 70 mijë lekë
Arsimi
Në një shkollë private e kategorisë ‘arsim i lartë’, drejtori nuk mund të merrte një pagë më të ulët se 200 mijë lekë, kurse në rrethet e tjera 150 mijë lekë,
kurse shefat e tjerë 130 mijë lekë në kryeqytet dhe 100 mijë lekë në rajonet e tjera kryesore
Transport dhe telekomunikacion
Të gjithë drejtuesit e lartë në fushën e transportit dhe të telekomunikacionit nuk duhet të marrin paga mujore më të ulët se 150 mijë lekë, kurse drejtuesit e degëve dhe specialistët e lartë,
paga mujore 90 mijë lekë (vetëm për Tiranën). Specialistët e thjeshtë nuk duhet të kishin paga më të vogla se mesatarja 35 mijë lekë. Në varësi të rretheve, niveli i referencë përputhej me standardin e vendit ku ushtrohej aktiviteti
Ndërmjetësimi financiar
Natyrshëm është sektori ku pagat janë më të larta, dhe sipas referencës së vendosur nga qeveria, një drejtor kryesor i një banke në Tiranë,
apo i një kompanie sigurimi, nuk mund të paguhet më pak se 500 mijë lekë në muaj, kurse të tjerët vijnë me radhë duke nisur nga 90 mijë lekë, deri në 35 mijë lekë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.