Në rast se plani shkon siç pritej, ECB mund të fillojë të japë financim për bankat greke nga fundjava. Çdo rritje ka të ngjarë të jetë e vogël dhe mund të rifillojnë disa shërbime bankare dhe zyrtarët besojnë se kontrollet e kapitalit mund të vazhdojnë për pjesën e mbetur të vitit…
Këshilli i Bankës Qendrore Europiane (ECB) pritet të mblidhet sot për të vendosur nëse do të rrisë linjën jetësore prej 89 miliardë eurosh që ajo ka për Greqinë.
Mbështetja financiare, e quajtur Asistenca e Likuiditetit Emergjent (ELA), jepet nga Banka e Greqisë, me miratimin e ECB-së dhe po e mban sistemin banker grek që të mos pësojë një kolaps total, shkruan Financial Times.
Vendimi për të ngrirë linjën jetësore prej 89 miliardë euro në fund të qershorit ka ushtruar presion në sistemin financiar grek.
Në dy javë, që kur ECB bllokoi së pari një kërkesë nga Banka e Greqisë për më shumë hua emergjence, huadhënësit kanë mbetur të mbyllur dhe janë detyruar që të kufizojnë tërheqjet e parave në 60 euro në ditë.
Nëse nuk do të këtë rritje të ELA, bankat do të detyrohen të kufizojnë edhe më shumë tërheqjet, ndoshta duke filluar që nga java tjetër.
Disa analistë kanë besim se politikëbërësit do të vendosin për t’i ofruar huadhënësve greke më shumë mbështetje vonë të enjten.
ECB heziton të rrisë tavanin e huave të emergjencës përtej 89 miliardë euro, pa garanci konkrete se Athina do të respektojë pagesën prej 3.5 miliardë euro që i detyrohet bankës qendrore të hënën, sipas njerëzve që janë familjarë më këtë çështje.
Një siguri e tillë kërkon që liderët e eurozonës të gjejnë një financim të ndërmjetëm prej 7 miliardë eurosh për të mbuluar pagesën dhe interesat që i duhen paguar ECB, si dhe për të pastruar detyrimet e Greqisë me FMN-në. Koha më e afërt që mund të arrihet një gjë e tillë është të premten.
Ministrat e financave të eurogrupit pritet që të japin një plan për financimin e ndërmjetëm në të njëjtën kohë që këshilli qeverisës do të mbajë takimin zyrtar. Por, plani ende do të kërkojë miratimin e këshillit të 28 anëtarëve të BE-së, që zgjat rreth një ditë.
Në rast se ai shkon siç pritej, ECB mund të fillojë të rrisë ELA nga fundjava. Çdo rritje ka të ngjarë të jetë e vogël dhe mund të rifillojnë disa shërbime bankare dhe zyrtarët besojnë se kontrollet e kapitalit mund të vazhdojnë për pjesën e mbetur të vitit.
Mesditën e sotme, grupi i Eurozonës, pas mbledhjes vendosi që të aprovojë kredinë e rradhës prej 7 mld euro për Greqinë, me qëllim që kjo e fundit të jetë në gjendje që të paguajë BQE të hënën. ( Lexo: Eurozona jep “OK” për kredinë 7 mld euro për Greqinë )
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.