Intervistë me Prof. Dr. Fatos Tarifa, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA
Diplomati Fatos Tarifa, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA, thotë për revistën “Monitor”, se fitorja e kandidatit Joe Biden do të sillte një vëmendje më të madhe të SHBA për Ballkanin Perëndimor dhe për faktorin shqiptar. Sipas tij, kandidati Biden është një njohës i mirë i Ballkanit dhe ka një historik pozitiv të marrëdhënieve me shqiptarët.
Zoti Tarifa, ashtu si edhe kolegu i tij, Agim Nesho, vë në dukje se me gjithë praninë e vjetër dhe të konsiderueshme në numër, shqiptarët vështirë se përbëjnë një lob të mirëfilltë. Sipas tij, fragmentarizimi dhe ndasia është një tipar edhe për diasporën shqiptare në Amerikë, madje ndoshta edhe më shumë se në Kosovë dhe Shqipëri.
Mendoni se rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA do të përcaktojë ndryshime të rëndësishme në kursin e politikës së jashtme amerikane? Cilat mund të jenë ndryshimet kryesore, në varësi të kandidatit që do të fitojë?
Për kontekst, më lejoni së pari të them se politika e jashtme që ka ndjekur presidenti Donald Trump, gjatë katër viteve të fundit, ka qenë një devijim thuajse tërësor nga parimet e politikës së jashtme që ka ndjekur çdo administratë amerikane para tij në periudha të veçanta të historisë së Shteteve të Bashkuara.
Me fjalë të tjera, politika e jashtme e administratës së z. Trump ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e ndryshme nga ato politika të jashtme që janë frymëzuar nga shkolla të tilla të mendimit politik amerikan si:
Neokonservativizmi (apo Intervencionizmi), shkollë kjo, e cila ka për bazë promovimin e demokracisë dhe, si tipar të saj, hegjemonizmin altruist amerikan;
Realizmi tradicional, i cili e vë theksin në përdorimin e forcës për realizimin e interesave kombëtare dhe për realizimin e objektivave të politikës së jashtme amerikane;
Realizmi demokratik Uillsonian, i cili mbështetet në rëndësinë që kanë zhvillimi i demokracisë dhe balanca e Fuqive të Mëdha për vendosjen dhe ruajtjen e paqes e të sigurisë në botë;
Internacionalizmi liberal, që synon transformimin e politikës së pushtetit përmes së drejtës dhe institucioneve ndërkombëtare; Hamiltonianizmi, që i kushton rëndësi zhvillimit të tregtisë, si promovues i progresit të vazhdueshëm në marrëdhëniet mes shteteve; apo Internacionalizmi Reganian, që i vlerëson zhvillimet ndërkombëtare nga prizmi i ngushtë i interesave amerikane.
Nëse në historinë 233-vjeçare të Shteteve të Bashkuara ka pasur një president, politika e jashtme e të cilit do të mund të krahasohej me këtë të z. Trump, lajtmotiv i së cilës u bë qysh nga fillimi “America first”, ky mund të ishte Andrew Jackson, i cili qëndroi në krye të Shtëpisë së Bardhë për dy mandate (1829-1837).
Edhe pse, zakonisht, mendohet se gjatë presidencës së tij Jackson e rigjallëroi demokracinë amerikane, në fakt, kuptimi i tij për kombin amerikan nuk përfshinte të gjithë popullsinë e Shteteve të Bashkuara, por vetëm amerikanët e bardhë; afro-amerikanët (në atë kohë ende skllevër) dhe banorët indigjenë nuk ishin pjesë e konceptit xheksonian mbi kombin amerikan, të cilit i referohen si Nacionalizëm xheksonian, pak a shumë si nacionalizmi i z. Trump sot, i cili mund të cilësohej superioritet i të bardhëve (white supremacism).
Të kthehem te pyetja juaj. Nëse Donald Trump rizgjidhet president, politika e jashtme e administratës së tij të re do të mbetet ajo e vjetra; pak gjasa ka që ajo të ndryshojë. Nëse në krye të Shtëpisë së Bardhë zgjidhet z. Joe Biden, të gjitha gjasat janë që politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara të rikthehet në parimet e “Doktrinës Obama”.
Edhe pse vetë Obama deklaronte se ai ishte një president “anti-doktrinar” dhe se “në politikën e jashtme, ai nuk besonte në abstraksione”, në fakt, “doktrina” e tij në politikën e jashtme mbështetej në disa parime, të cilat favorizonin lidershipin politik dhe ekonomik amerikan vis-a-vis, dominimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara; reduktimin dhe rishpërndarjen e përgjegjësive ushtarake globale të Amerikës dhe një strategji që të kombinonte elementet e presionit e të balancimit në vend të supremacisë.
Shkurt, besoj se Joe Biden, nëse zgjidhet president (çfarë personalisht besoj se do të ndodhë dhe e dëshiroj të ndodhë), do të ndjekë një politikë të jashtme të ngjashme me atë të presidentit Obama, në administratën e të cilit ai shërbeu për tetë vite me radhë, si zëvendëspresident, por duke adoptuar, ndryshe nga Obama — dhe thuajse njëlloj si presidenti Clinton — një qëndrim më shumë eurocentrik sesa kinocentrik.
Çfarë diferencash mund të ketë në qasjen ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe çështjeve që prekin Shqipërinë dhe shqiptarët, në varësi të kandidatit që do të fitojë?
Fakti se cili prej dy kandidatëve për postin e kreut të Shtëpisë së Bardhë do të fitojë zgjedhjet e 3 nëntorit këtë vit do të përcaktojë marrëdhëniet dhe politikën e jashtme Shteteve të Bashkuara në raport me Fuqitë e Mëdha të globit, në radhë të parë me Bashkimin Europian, Kinën dhe me Rusinë, por edhe me fuqi të tjera të mëdha ekonomike e politike, si Japonia, India, Kanadaja, Brazili, Irani etj.
Ballkani është një rajon, i cili nuk është më në radarin e Uashingtonit si 20 vite më parë, kur Shtetet e Bashkuara udhëhoqën fushatën 78-ditore të sulmeve ajrore kundër forcave të Slobodan Milosheviçit dhe çliruan Kosovën. Vërtet Uashingtonin e shqetëson influenca e Rusisë në Ballkan dhe eventualiteti i penetrimit rus në këtë rajon, por, siç theksova më sipër, ky rajon nuk ka sot për Shtetet e Bashkuara atë rëndësi që kanë rajone të tjerë volativë në globin e sotëm, si Lindja e Mesme, Azia Qendrore, rajoni rreth Detit të Kinës Jugore etj.
Por, ndryshe nga presidenti Trump, për të cilin Ballkani ka qenë deri vonë — dhe mendoj se në një kuptim real të fjalës vazhdon të jetë — një terra incognita, për z. Biden, Ballkani dhe shqiptarët janë një rajon dhe një popull që ai i njeh mirë dhe në marrëdhënie me të cilët ka ai një rekord të pasur e shumë pozitiv.
Pra, nëse duhet të bëjmë pak “tifozllëk”, cili kandidat do të ishte më i mirë për interesat e shqiptarëve?
Pa as më të voglin dyshim, z. Biden. Edhe nëse ka njerëz që i njohin presidentit Trump meritën se ai i uli së bashku në Zyrën Ovale presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre, kjo ishte më shumë një ceremoni që i shërbeu kryesisht vetë z. Trump, si një sipërmarrje në “public relations”, se sa popujve të të dy vendeve që përfaqësoheshin në atë takim. Sa i përket njohjes së Kosovës nga Shteti i Izraelit, një veprim ky i ndërmjetësuar dhe i shpallur në atë takim nga z. Trump, kjo, edhe pse një ngjarje e rëndësishme, nuk mendoj se rëndësia e saj duhet hiperbolizuar.
Sa e ndjeshme prisni të jetë politika e jashtme amerikane ndaj rritjes së interesit ekonomik të Kinës në rajonin tonë dhe rivitalizimit të ndikimit politik të Rusisë, kryesisht në Serbi dhe Mal të Zi? Cili prej kandidatëve mund të jetë më aktiv ndaj këtyre ndikimeve?
Në një botë kaq të globalizuar si kjo e sotmja, një tipar esencial i së cilës është bërë integrimi dhe ndërvarësia ekonomike, teknologjike, kulturore e politike mes vendeve dhe rajoneve të ndryshëm të saj, rivalitetet mes Fuqive të Mëdha për të ushtruar ndikimin e vet janë të natyrshme. Shtetet e Bashkuara, sigurisht, janë të vëmendshme dhe mbeten të interesuara për Ballkanin dhe mendoj se ndikimi i së vetmes superfuqi në kohën tonë në këtë rajon nuk mund të rivalizohet dot seriozisht nga ndikimi i Rusisë apo i Kinës.
Edhe nëse Rusia mund të konsiderohej “protektori ushtarak” i Serbisë, ky nuk është një zhvillim i ri dhe Serbia është qartazi një vend që, duke refuzuar t’i bashkohet NATO-s, aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Sa për ndikimin ekonomik kinez në rajonin tonë, mendoj se ky është një zhvillim që nuk duhet të shqetësojë askënd nga vendet e rajonit tonë dhe aq më pak, Shtetet e Bashkuara. Ekonomia dhe tregtia e sotme janë globale dhe investimet ekonomike nuk përkthehen kudo e kurdoherë domosdo në influencë politike.
Sa i rëndësishëm dhe i organizuar është lobi shqiptar në SHBA? E shihni atë si një faktor që vlerësohet ose përfillet në fushatën e kandidatëve për president?
Druaj të them se shqiptarët e Shteteve të Bashkuara përbëjnë një “lob” vërtet serioz në atë vend, (siç janë lobi hebre, ai irlandez, kuban, grek apo armen), edhe pse disa organizata e shoqata të diasporës shqiptare në SHBA kanë bërë e bëjnë përpjekje për të ndikuar kryesisht në radhët e ligjvënësve amerikanë (anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit të Kongresit Amerikan) dhe shumë më pak në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit.
Ndikimi i “lobit shqiptar” duket se bëhet më i ndjeshëm në periudha fushatash elektorale, kur vendoset se cili do të zgjidhet President dhe cilët kandidatë nga shtetet ku jeton diaspora shqiptare (kryesisht në New York, Connecticut, New Jersey, Massachusetts, Michigan, Pennsylvania, apo Illinois) do të zgjidhen në Kongresin Amerikan. Duhet thënë, sidoqoftë, se diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara është shumë e fragmentarizuar politikisht, më shumë madje edhe se shqiptarët që jetojnë në të dy shtetet shqiptare në Ballkan: në Shqipëri dhe në Kosovë.
Historikisht — të paktën për aq kohë sa mbaj mend, nga viti 1996, kur jetoja në Shtetet e Bashkuara dhe kur në garën presidenciale mes presidentit Bill Klinton (për mandatin e tij të dytë) dhe kandidatit republikan Bob Dole — drejtuesit e diasporës shqiptare (edhe sot kryesisht shqiptarë nga Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia), i kanë financuar dhe mbështetur fushatat dhe kandidatët e të dyja partive. Këtë bëjnë edhe sot, si pragmatistë që janë, në mënyrë që të sigurojnë sado pak mbështetje nga cilado palë që fiton. Sidoqoftë, në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, çështja nuk shtrohet që të zgjedhësh mes një kandidati republikan apo një tjetri që është demokrat.
Sot, për shqiptarët e Amerikës, çështja shtrohet të zgjedhësh mes z. Trump — të cilin nuk e duan shumica e amerikanëve dhe për të cilin shqiptarët e Amerikës nuk besoj se kanë ndonjë arsye të veçantë (aq më pak bindje ideologjike) që ta mbështesin — dhe z. Biden, njohja dhe marrëdhëniet e të cilit me Ballkanin (dhe me shqiptarët) dhe kontributi i të cilit për këtë rajon dhe për kombin tonë janë fakte të njohura botërisht, sidomos për diasporën e përçarë shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.