Numri i kontratave të sigurimit të përgjegjësive në ndërtim është në rritje edhe këtë vit.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për 10-mujorin 2022 numri i kontratave për këtë produkt arriti në 8321, në rritje me 24.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Por, ajo që bie në sy është se rritja është shumë më e ulët në vlerë të primeve të shkruara bruto. Primet e shkruara bruto për sigurimin e përgjegjësive në ndërtim për 10-mujorin e këtij viti kishin vlerën e 451 milionë lekëve, në rritje me 2.7% krahasuar me 10-mujorin 2021.
Primi i shkruar bruto për kontratë këtë vit ka rënë mesatarisht në vlerën e 54 mijë lekëve, nga 66 mijë lekë që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia e vlerës mesatare të primit për kontratë në pamje të parë është një zhvillim paradoksal, po të kemi parasysh se çmimet e pasurive të paluajtshme këtë vit kanë vijuar rritjen me ritme të shpejta.
Banka e Shqipërisë raportonte një rritje vjetore të çmimit të banesave me 39% në mesin e këtij viti. Duke qenë se çmimet janë rritur, në teori edhe limitet e përgjegjësive dhe primet e sigurimit që paguhen duhet të ndjekin këtë rritje.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave që rregullon produktin e detyrueshëm të sigurimit të përgjegjësisë së ndërtuesit, limiti i përgjegjësisë së kontratës së sigurimit nuk duhet të jetë më i ulët se vlera totale e çmimit të shitjes të përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë së paluajtshme, ndërsa tarifa vjetore e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.1% e limitit të përgjegjësisë. Fakti që këtë vit primi mesatar është në vlera më të ulëta krijon dyshime se pasuritë e paluajtshme në shumë raste shiten me çmime të deklaruara fiktive.
Megjithëse ligji ua ngarkon këtë sigurim si detyrim ligjor ndërtuesve, në praktikë ata ia kanë transferuar primin blerësve të pasurive të paluajtshme, duke krijuar një barrë shtesë për ta. Sigurimi i përgjegjësisë së ndërtuesit për objektet e ndërtuara u bë efektiv në fund të vitit 2019.
Për çdo transaksion shitjeje të pasurive të paluajtshme, ndërtuesi duhet të bashkangjisë edhe kontratën e sigurimit, si pjesë e dokumentacionit të kërkuar nga Agjencia e Kadastrës për regjistrimin e kalimit të pronësisë.
Sipas disa prej kompanive të sigurimit, sigurimi i përgjegjësisë së ndërtuesit që në fillimet e veta ka qenë një produkt shumë problematik, sepse disa kompani konkurrojnë me komisione shitjeje tejet të larta, që kanë arritur deri në masën 80%.
Sipas burimeve, kjo ka ndodhur sepse disa kompani nuk e risigurojnë produktin, çka i ul kostot, duke krijuar premisa për konkurrencë të pandershme.
Në bazë të kontratës së sigurimit për përgjegjësinë e ndërtuesit, shoqëria e sigurimit merr përsipër të dëmshpërblejë në favor të të siguruarit dëmet e ndodhura drejtpërdrejtë në ndërtesë dhe dëmet ndaj të tretëve, të shkaktuara nga shembja tërësore ose pjesore e ndërtesës, ose kur ndërtesa paraqet rrezik të dukshëm shembjeje, ose defekte të tjera të rënda, që ndodhin si pasojë e problemeve të lidhura me tokën mbi të cilën është kryer ndërtimi, ose për shkak të një apo disa defekteve të ndërtimit.
Produkti nuk ofron mbrojtje në rast të dëmtimeve të ndodhur nga fatkeqësitë natyrore dhe ku nuk mund të provohet përgjegjësia e ndërtuesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.