Biznesi e ka pasur më të thjeshtë të aksesojë rrjetin e shpërndarjes së energjisë falë uljes së burokracive nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Falë reformës që po i nënshtrohet prej disa vitesh ky sektor janë përmirësuar një sërë treguesish, ka vënë theksin administratori i OSHEE Adrian Çela. Në total, sipas tij, janë investuar 280 milionë euro.
“Përmirësimi i performancës së OSHEE ka bërë të mundur realizimin e investimeve. Ne kemi investuar 180 mln euro që kanë ndryshuar përmirësimin e furnizimit me energji. Janë përmirësuar procedurat e aksesit, janë bërë 14 mijë lidhje të reja. Në raportin e Bankës Botërorë, Shqipëria shënoi përmirësimi të ndjeshëm.
Janë ulur gjithashtu procedurat për marrjen e lidhjes, janë vetëm 4 procedura.
Në Tiranë është përmirësuar me 50% cilësia e furnizimit dhe ndërprerjet. Bëhet njoftim publik para ndërprerjeve” tha Çela gjatë një takimi me biznesin, që kishte në fokus aksesin e sipërmarrjeve tek energjia elektrike, lehtësitë dhe problemet.
E pranishme në takim, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se aktualisht sektori është në vijim të reformimit dhe në fokus ka qenë ndarja e OSHEE-së, një proces që ka rezultuar i vështirë ndërkohë që po vijohet me liberalizimin e tregut. Ajo nënvizoi se reforma në energji ndodhet në hapat përfundimtare.
Balluku solli në vëmendje nismën për prodhimin e energjisë për vetëkonsum nga ana e bizneseve, përmes burimeve të rinovueshme dhe sipas saj, sot ka biznese që e kanë ulur në 35 për qind koston e prodhimit nga investimet që kanë bërë në këtë aspekt.
“Në kuadër të reformës është miratuar në maj bursa e energjisë dhe ndarja e OSHEE. Sot po punohet me ritme të shpejta për ndarjen në tre kompani bija, që janë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, Furnizuesi i Tregut të Lirë dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal.
“Ky proces do të sjellë dhe derregullimin e tregut të energjisë dhe detyrë e qeverisë është ruajtja dhe mbrojtja e konsumatorëve nga ekspozimi i çmimit të lartë në treg” tha Balluku. Ministrja kërkoi nga operatorët që ta garantojnë këtë akses, ndërkohë që tha se liberalizimi i tregut ka nevojë për transparencë, pasi ai që do të dëmtohej nga kjo do të ishte konsumatori.
“Po bëjmë hapa që shtetet e tjera i kanë bërë në dekada. Për të mos harruar nga nxitimi po tregohemi të kujdesshëm” tha ministrja.
Gjergj Buxhuku nga Konfindustria tha se Shqipëria ka çmimet e energjisë më të lartat në rajon, por kjo ka të bëjë me vendimmarrjen politike.
Ai shtoi se duhet të jemi shumë të kujdesshëm me procesin e liberalizimit. Nuk duhet të marrim vetëm modelet e huaja, por t’i përshtatim me realitetin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.