Intervistë me Gentiana Gjino, Drejtore e Menaxhimit të Produkteve dhe Segmenteve për Individë në Divizionin Retail, Raiffeisen Bank
Në një intervistë për revistën “Monitor”, Gentiana Gjino, Drejtore e Menaxhimit të Produkteve dhe Segmenteve për Individë në Divizionin Retail të Raiffeisen Bank, thotë se pas muajit qershor, kërkesa për kredi konsumatore u gjallërua.
Madje, sipas saj, aktualisht kreditimi i individëve është kthyer pothuajse në të njëjtat vlera me vitin e kaluar. Mbështetur në të dhënat e tremujorit të tretë, Raiffeisen nuk pret përkeqësim të portofolit të kredisë konsumatore deri në fund të këtij viti.
Sa është prekur kërkesa për kredi konsumatore nga kriza ekonomike që shkaktoi pandemia? Cilat produkte janë ndikuar më shumë?
Në muajt e parë të pandemisë mund të themi se kërkesa për kredi konsumatore pësoi rënie drastike. Në këtë rënie ndikuan tre faktorë kryesorë, lockdown dhe vështirësitë ekonomike që shkaktoi ai, pamundësia për lëvizje fizike dhe kontakt me degët, si dhe kufizimet që ndërmorën bankat komerciale për mosrritje të kredive të këqija. Ndikim pati edhe pasiguria e përgjithshme e krijuar nga pandemia.
Në muajt mars-qershor, pothuajse të gjitha produktet e individëve pësuan ulje. Pas muajit qershor vumë re se kërkesa për kredi filloi të rritej, bankat iu rikthyen normalitetit dhe aktiviteti kredimarrës u vitalizua. Në muajt gusht – tetor, të gjitha llojet e kredive për individë në bankën tonë arritën pothuajse në të njëjtat vlera, krahasuar me të njëjtën periudhë me vitin e kaluar.
Keni ndërmarrë shtrëngime të ofertës, qoftë përmes kritereve të kreditimit ose rritjes së normave të interesit për kredinë konsumatore?
Pandemia i gjeti bankat në nivele të mira likuiditeti. Megjithatë, banka jonë, për arsye të mbrojtjes së klientëve dhe cilësisë së portofolit, aplikoi disa masa shtrënguese të përkohshme, të kërkuara nga përgjegjshmëria sociale e kredidhënies. Ne filluam të analizojmë më seriozisht industritë që punësojnë klientët tanë, nga perspektiva se si janë ndikuar negativisht këto industri nga kriza e pritshme e biznesit.
Askush nuk e dinte se si ekonomia dhe shoqëria do të reagonte; gjithashtu, kishte pritshmëri për një rritje të papunësisë, kështu që ne gjetëm një qasje si të logjikshme ashtu dhe të kujdesshme. Gjithsesi, normat e interesit të kredive nuk u ndryshuan nga ana jonë. Me përvojën e mëvonshme të akumuluar, shumë kufizime të mëparshme u hoqën. Gjithashtu, për të ndihmuar klientët tanë, Banka vijon të investojë në procesin e dixhitalizimit dhe në muajt e fundit janë intensifikuar përpjekjet për dixhitalizimin e produkteve dhe shërbimeve, veçanërisht ato të ofrimit të kredidhënies online.
Prisni ndikime afatgjata në portofolin e kredisë konsumatore nga rritja e papunësisë, sidomos në produkte specifike të lidhura direkt me llogaritë e pagave, si overdraftet?
Parashikimet lidhur me ndikimet afatgjata janë të vështira të bëhen në këto momente, për shkak të dinamikës së pandemisë dhe zhvillimeve ekonomike në përgjithësi, jo vetëm në vendin tonë, por edhe globalisht. Papunësia në rritje dhe masat shtrënguese të distancimit social, nuk mund të kenë ndikim pozitiv në kredidhënien për klientët.
Nga ana tjetër, qeveritë ndërhyjnë dhe ndihmojnë në mënyrë thelbësore, kështu që ne nuk do të shohim kredidhënien që kemi parë vitet e kaluara dhe do të mbizotërojë kujdesi. Situata e re e pandemisë me të cilën jemi përballur, ka shërbyer shumë për të parë një anë të re të sistemit bankar në tërësi.
Ne jemi vazhdimisht të angazhuar për t’ju përgjigjur sjelljes dhe kërkesave të reja të klientëve, si pasojë e ndryshimit të përgjithshëm të ambientit. Banka ka marrë masat për mbështetjen e nevojave të klientëve, duke parashikuar që në vijim të ketë përfitime për të gjitha palët.
A është reflektuar kriza në cilësinë e portofolit të kredisë konsumatore? Çfarë efektesh prisni deri në fund të vitit dhe në pjesën e parë të vitit 2021?
Pavarësisht situatës së përgjithshme, cilësia aktuale e portofolit ka vijuar të jetë e qëndrueshme. Bankat kanë qenë kontribuues të rëndësishëm në lehtësimin e situatës ekonomike të shqiptarëve. Duke parë të dhënat e tremujorit të tretë, mbetemi pozitiv në parashikime, duke pritur situatë konstante, pa shumë luhatje deri në fund të vitit.
Sa e ndiejnë bankat konkurrencën e institucioneve të mikrofinancës në produktet e kredisë konsumatore? A e ka ndikuar qasjen tuaj ndaj këtij segmenti të tregut zgjerimi i kompanive që ofrojnë kredi të shpejta? Nëse po, në ç’mënyrë?
Bankat dhe institucionet e mikrofinancës janë duke operuar në të njëjtin mjedis të ri të krijuar nga efektet e pandemisë. Institucionet e mikrofinancës kryesisht kanë një grup të synuar dhe model biznesi të ndryshëm nga bankat. Ndikimi i pandemisë mbetet në të njëjtat nivele për të dy llojet e sektorëve, si të bankave, ashtu edhe të institucioneve, ndaj nuk mendoj se ka vend për konkurrencë të shtuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.