Mbi 500 punonjës nga industria e naftës humbën vendet e punës këtë muaj dhe qindra të tjerë rrezikojnë largimin. Kompanitë e naftës, në mbijetesë. Eksportet dhe të ardhurat buxhetore nga renta, në rrezik të ri nga çmimet e ulëta. Efektet negative në ekonomi, përpos përfitimeve të ulëta të konsumatorëve nga rënia e çmimit në tregjet globale
Fakti që Shqipëria nuk po përfiton nga ulja e çmimeve të naftës ka zënë këto ditë hapësirën më të madhe të opinionit publik, madje është shndërruar edhe në mision politik për opozitën. Por, përtej këtyre zhvillimeve, duket se Shqipëria si një vend prodhues i naftës po përballet me pasoja të rënda që tashmë kanë prekur kompanitë e sektorit dhe pritet të shtrijnë efektet negativë në të gjithë ekonominë.
Industria e naftës ka nisur shkurtimet masive të punonjësve nga puna. Planet e investimeve janë ulur. Prodhimi do të mbahet në nivele minimale. Pas këtyre zhvillimeve, pasojat dalin përtej dyerve të naftës. Buxheti i shtetit do të marrë më pak të ardhura nga taksat e kompanive dhe ekonomia do të marrë më pak të ardhura nga eksportet. Bilanci tregtar i vendit pritet të përkeqësohet edhe më shumë për shkak se nafta, vitet e fundit, ishte indikatori më i madh në rritjen e eksporteve në vend.
30% e punonjësve në plan për t’u shkurtuar
Kompanitë e industrisë së naftës, në fushën e nxjerrjes dhe atë të kërkimeve, kanë nisur shkurtimin nga puna të punonjësve, në përgjigje të shkurtimit të kostove nga çmimi i ulët i naftës. “Simmons Edeco Limited” me aktivitet në kërkimin dhe nxjerrjen e naftës, ka shkarkuar 256 punonjës, pjesa më e madhe e të cilëve janë shqiptarë. Shkarkimet përfshijnë 41% të totalit të të punësuarve, por kompania ka sqaruar se e ka të pamundur të bëjë pagesat në kushtet kur situata financiare e tyre është përkeqësuar ndjeshëm dhe pritshmëritë nuk janë pozitive.
Drejtori i Operimeve në Shqipëri, Simon Peac, ka njoftuar për reduktimin e stafit Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Inspektoratin e Punës. Gjithashtu, burimet nga industria pohojnë se, për të njëjtin shkak, edhe ARMO është në proces të finalizimit të largimit nga puna të rreth 250 punonjësve. Largime nga puna priten edhe në kompaninë shtetërore të naftës Albpetrol, njoftojnë burimet nga Ministria e Energjetikës. Aktualisht janë të punësuar 1900 punonjës në strukturat drejtuese dhe 11 linjat e prodhimit. Por largimet nga puna do të përfshijnë deri në rreth 20% të stafit. Kompania ka një staf të ngarkuar krahasuar me kompanitë private që operojnë në këtë fushë edhe për shkak të statusit të saj të pronësisë.
Shkurtimeve do t’u shpëtojë vetëm stafi i Bankers Petroleum. Burimet zyrtare nga kompania pohuan se, pavarësisht përkeqësimit të fitimeve nga rënia e çmimeve, stafi do të mbahet në punë. Kompania më e madhe e sektorit, pavarësisht nga volumet e nxjerrjes dhe nga fitimet, ka një staf të reduktuar, me rreth 500 punonjës, për shkak të teknologjisë së avancuar që përdor.
Por kjo politikë nuk duket se do të jetë e vlefshme për kompanitë që punojnë me Bankers, të cilat mund të shkurtojnë punonjësit për shkak të rënies së aktivitetit, që u jep kompania më e madhe prodhuese e naftës në vend.
Në sektorin e industrisë nxjerrëse, energji, naftë dhe ujë janë të punësuar 21.795 persona, sipas INSTAT.
Por, nga ana tjetër, kompanitë do të aplikojnë shkurtime të pagave dhe heqjen e bonuseve dhe shpërblime për punonjësit e mbetur. Paga mesatare për një punonjës të kësaj industrie është 58 mijë lekë, e cila, për shkak të masave shtrënguese që kanë marrë kompanitë, pritet të vijë me ulje këtë vit.
Rënia e çmimeve, më pak të ardhura në buxhet
Nga rënia e çmimeve duket se do të preket me disa milionë dollarë buxheti i shtetit. Disa kompani kanë frenuar prodhimin e për pasojë, edhe shitjen e naftës. Nga rënia e shitjeve dhe nga çmimet 50% më të ulëta se në gjysmën e parë të vitit që shkoi, të ardhurat nga renta minerare parashikohet të bien me rreth 40%. Të ardhurat nga renta minerare në fund të vitit 2014 ishin 6.5 miliardë lekë ose 1.5 miliardë lekë më pak se në 2013, me një rënie 18%. Në raportin me planin e vitit 2014, tkurrja ishte 1.4 miliardë lekë. Në buxhetin e këtij viti, Ministria i ka paraprirë situatës për të limituar parashikimin për të ardhurat nga renta, duke planifikuar vetëm 6 miliardë lekë arkëtime. Plani i të ardhurave nga renta këtë vit është 7% më pak se fakti i 2014-s. Gjithashtu do të paguhen më pak taksa për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nga shkarkimi i punonjësve dhe do të mungojnë të paktën 40 milionë dollarë përfitime që erdhën nga taksa, tatimfitim dhe dividend nga Albpetrol-i gjatë 2014-s. Në vitin 2013, të ardhurat nga renta ishin 20% më të larta se në vitin 2012, për shkak të koniunkturës së çmimeve.
Ulen eksportet, rritet deficiti tregtar
Eksportet kanë shënuar në 2014-n ritmet vjetore më të ulëta të rritjes që në 2009, duke u zgjeruar me vetëm 3.7%. Duke përjashtuar 2009-n, ky është ritmi më i ulët i rritjes së eksporteve në dekadën e fundit. Ndikimin kryesor në këtë performancë të dobët e ka dhënë rënia e grupit “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, grup që deri një vit më parë ishte motori kryesor i eksporteve shqiptare. Ky grup ka shënuar një rënie të thellë vjetore prej gati 14%, duke zbritur në 86.6 miliardë lekë. Vetëm në dhjetor, ky grup ra me 30%.
Kompania nxjerrëse e naftës Bankers, një prej eksportueseve më të mëdha në vend, që prej muajit gusht, një pjesë të prodhimit e shet në tregun vendas, tek ARMO. Nga ana tjetër, edhe rënia e ndjeshme e çmimeve të karburanteve në gjysmën e dytë të vitit të kaluar ka dhënë efektin e saj në tkurrjen e eksporteve të këtij zëri. Bankers ka planifikuar që këtë vit të rrisë sasinë e shitjes së naftës në tregun vendas me rreth 40% të totalit. Kjo do të ndikojë edhe më shumë në uljen e vlerave monetare që do të përfitojë ekonomia nga eksportet më 2015. Prej uljes së eksporteve, deficiti tregtar i vendit do të rritet edhe më tej.
Albpetrol shuhen fitimet
Kompania e shtetërore e naftës, Albpetrol, ka xhiruar më shumë se 100 milionë dollarë gjatë vitit 2014. Një pjesë e kësaj shume është ricikluar në ekonominë publike dhe në formën e taksave dhe dividendit, por ky vit do të mbyllet ndryshe. Burimet nga Ministria e Energjetikës pohojnë se, për momentin, janë anuluar planet për hapjen e një pusi të ri. Gjithashtu janë anuluar planet për disa investime në logjistikë dhe mjete të tjera, në funksion të rritjes së rendimentit. Këto ditë është duke u rivlerësuar forca punëtore, e cila do të shkurtohet pikërisht për shkak të çminimit të ulët dhe janë në procese rishikimi të gjitha kontratat me furnitorët dhe nënkontrakorët e tjerë. Nëse çmimi në tregjet ndërkombëtare do të performojë në këto nivele, kompania shtetërore e naftës do t’i nënshtrohet mbijetesës, sidomos në kushte e një bilanci të rënduar nga borxhet e prapambetura dhe menaxhimi joefektiv i bërë nga shteti ndër vite.
Gjatë 9 muajve të vitit 2014, shoqëria Albpetrol sh.a. ka faturuar për shitje dhe shpenzime më tepër se 9 miliardë lekë. Kjo është një rritje e ndjeshme në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur shifra e faturimeve ishte 4 miliardë lekë të reja, ose 46 milionë USD më pak. Rritja e faturimeve dhe të ardhurave të shoqërisë Albpetrol sh.a., ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kontributeve që shoqëria ka derdhur në buxhetin e shtetit. Gjatë kësaj periudhe, Albpetrol sh.a. ka derdhur në buxhetin e shtetit rreth 35 milionë USD, ose 12 milionë USD më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Albpetrol sh.a., përveçse rriti kontributet në buxhetin e shtetit, shleu edhe të gjitha borxhet e grumbulluara gjatë viteve të kaluara. Por këtë vit, situata pritet të jetë krejt ndryshe. Kompania, me këtë nivel çmimi, rrezikon të thellojë edhe më tej borxhet.
Bankers frenon prodhimin
Kompania Bankers ka lajmëruar se do të frenojë rritjen e prodhimit këtë vit, por nuk do të heqë dorë nga plani i investimeve. Në vitin 2014, Bankers rriti me 14% prodhimin e naftës në 20.687 fuçi në ditë kundrejt 18.169 fuçi në ditë në vitin 2013. Për tremujorin e katërt 2014, prodhimi mesatar nga fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës ishte 20.324 fuçi në ditë, me një reduktim prej më shumë se 300 fuçish në krahasim me mesataren vjetore të prodhimit. Bankers parashikon të shesë naftën e prodhuar me një çmim prej 82% të Brent-it, duke përfshirë kontratat për eksport, por edhe ato për shitje në tregun vendas.
Kompania ka planifikuar që 55% të volumit të naftës bruto të prodhuar gjatë vitit të ardhshëm ta eksportojë në Mesdhe dhe në Shtetet e Bashkuara. Një çmim prej 79-80% i Brent-it është parashikuar në termat e kontratave për të gjitha volumet e eksporteve. Bankers, gjithashtu, ka një marrëveshje për të shitur 45% të volumit të prodhimit në tregun vendas me një çmim mesatar rreth 74% të Brent-it. Një total prej 64 milionë dollarësh nga plani i investimeve për vitin 2015 do të investohet për ngritjen e infrastrukturës dhe faciliteteve që sjellin përmirësime dhe ulin kostot e operimit. Duke marrë parasysh se çmimi i naftës në tregjet botërore po shënon rënie gjatë kësaj periudhe, Bankers ka parashikuar një nivel prodhimi të naftës të përafërt me nivelet e 2014-s.
Çmimi, 40 USD pika e vdekjes për kompanitë
Rënia e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare ka prekur negativisht kompanitë prodhuese në vend, që vitet e fundit po rriteshin me ritme të shpejta. Ndikimin e parë do ta kenë investimet e secilës kompani në hapjen e puseve të reja, sondave, etj., teksa planet fillestare ishin bërë në nivelet e çmimeve prej 80 dollarësh për fuçi. Të gjitha kompanitë kanë rishikuar planet pas rënies drastike të naftës muajt e fundit. Frenimi i investimit apo prodhimit prek indirekt dhe shumë kompani të treta që ofronin shërbime për to, si në transport, magazinim etj.
Aktorët e tregut pohojnë se kompanitë prodhuese në vend mund të mbijetojnë, me fitime minimale, deri në nivelin e çmimeve globale prej 40-45 dollarësh për fuçi dhe nën këtë nivel, ato nuk kanë më interes të prodhojnë. Megjithatë, parashikimet globale janë që çmimet e naftës do të luhaten në 62 dollarë për fuçi në 2015-n, duke i dhënë pak hapësirë industrisë.
Tërheqja e investimeve do ta çojë çmimin në 200 USD për fuçi
Ulja e çmimeve të naftës ka hyrë në një cikël interesant industrinë, e cila në një periudhë të mëvonshme mund të bëhet shkak për rritje tepër të lartë të çmimeve. Paralajmërimin e ka bërë sekretari i përgjithshëm i OPEC-ut, Abdullah El-Badri, i cili thotë se, çmimet mund të fluturojnë në 200 USD për fuqi në rast se operacionet e kërkimit tërhiqen nga investimet e larta teknologjike, për shkak të çmimit të ulët. Duke folur për Bloomberg në Londër javën e kaluar, ai paralajmëroi se investimet e reja janë shumë të nevojshme në mënyrë që të zhvillojnë fushat e naftës. Me çmimet në rënie, një numër i madh i projekteve janë anuluar.
Ai ka lajmëruar në takimin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos se epoka e çmimeve të ulëta nuk do të zgjasë shumë. Investimet në sektorin e nxjerrjes dhe kërkimit të naftës janë ulur me 15% këtë vit ose 100 miliardë lekë më pak se në vitin 2014. Çmimet e naftës kanë rënë me më shumë se 60% nga viti i kaluar. Tregu i mbifurnizuar nga prodhimet argjilore të SHBA-së dhe një kërkesë e ulët nga Kina shkaktoi rënien e çmimeve. Zyrtari i OPEC-ut tha se, tregu ka një surplus në furnizim me 1.5 milionë fuçi në ditë dhe tregu do të stabilizohet vetëm nga rënia e furnizimeve dhe jo nga rritja e kërkesës.
Vëzhguesit prisnin që organizata të ulte prodhimin për të reduktuar tepricën në treg, por OPEC deklaroi se dëshironte që tregu të shërohet natyrshëm. OPEC, anëtarët e së cilës gëzojnë kosto më të ulëta të prodhimit se sa prodhues të tjerë, si vendet që nuk janë pjesë e saj si p.sh., SHBA, që kanë kosto tepër të larta nga shfrytëzimi i shtresave argjilore, me këtë strategji, synon të ndalë prodhimin nga vendet e tjera që kanë kosto më të lartë. Vendi më i madh prodhues i OPEC-ut, Arabia Saudite, që ka kosto jo më shumë se 3 USD të nxjerrjes së një fuçie, fiton nga kjo situatë. Por Badri gjithashtu hodhi poshtë zërat për një “luftë të çmimeve” midis OPEC-ut dhe jo anëtarëve, sidomos në SHBA, duke thënë se ishte i gatshëm të zhvillojë bisedime me prodhuesit e naftës së jo-OPEC-ut, për të balancuar tregun. Çmimet për Brent-in e papërpunuar aktualisht janë 45-50 dollarë, por Badri tha të mërkurën në Davos se, nuk pret që ato të bien më tej, në nivelet 20-25 dollarë ashtu siç kanë parashikuar disa analistë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.