Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, dikur i referohej normave të larta të interesit “si e keqja më e madhe për një shtet”, shkruan The Economist.
Murat Uysal, Guvernatori i ri i Bankës Qendrore, duket se ka qenë zgjedhja më e mirë që Presidenti mund të bënte, sepse në krahasim me Guvernatorin paraardhës, i cili u pushua katër muaj më parë sepse refuzoi të ulë normat e interesit, që nga momenti kur z. Uysal mori këtë detyrë, ai i ka ulur rreth 3 herë normat e interesit, duke arritur në pikën maksimale dhe duke i ulur ato me 10 pikë përqindje.
Ulja e fundit e normave të interesit, në tetor, me 2.5 pikë përqindje, ishte më shumë sesa dyfishi i pritshmërive të tregut. Pas shtrëngimit agresiv të vitit të kaluar, lehtësimi tani ka më shumë kuptim. Inflacioni është rikthyer nga vlera dyshifrore në njëshifrore. Edhe monedha vendase, duket se po e rimerr veten.
Por, në fillim të tetorit, Amerika kërcënoi vendosjen e sanksioneve, si një përgjigje ndaj veprimeve të Turqisë ndaj Sirisë. Lira si pasojë u ul, por pasi Amerika ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi më 17 tetor, ajo e mori sërish veten duke shkuar në nivele të qëndrueshme.
Ajo u forcua kur Presidentët e Turqisë dhe Rusisë nënshkruan një marrëveshje të ngjashme. Kjo i dha Bankës Qendrore më shumë hapësirë për të bërë edhe një ulje tjetër në normat e interesit.
Turqia doli nga recesioni në fillim të vitit, por rritja e kredisë është ende e dobët. Vetëm politika monetare nuk mund ta rregullojë ekonominë, shprehet Selva Demiralp nga Universiteti Koc. Sipas saj, Turqia duhet të gjejë së pari një zgjidhje për kreditë me probleme. Në shtator, qeveria urdhëroi bankat që të riklasifikonin borxhin prej 46 miliardë lirash (8 miliardë dollarësh amerikanë) si kredi me probleme. Por dyshimi më i madh në këtë drejtim është se si do të arrijnë bankat të heqin këto lloj kredish nga bilancet e tyre. Ekonomia mbetet e ndjeshme ndaj goditjeve të jashtme.
Më 29 tetor, Dhoma e Përfaqësuesve të Amerikës votoi që të kufizohet shitja e armëve në Turqi, të sanksionohet vendi për blerjen e një sistemi mbrojtjes raketor nga Rusia dhe të hetohet mbi pasurinë e z. Erdogan.
Ligjvënësit kaluan një mocion i cili njohu si gjenocid, masakrën otomane ndaj armenëve të 1915. Edhe pse këto sanksione nuk priten të miratohen, marrëdhëniet me Amerikën janë në momentin e tyre më të keq të dekadave të fundit. Një tjetër burim ankthi për Turqinë është hetimi që po zhvillohet në Nju Jork, në lidhje me faktin nëse Halkbank, një huadhënës i shtetit turk, anashkaloi sanksionet amerikane kundër Iranit. Në një aktakuzë të publikuar më 15 tetor, prokurorët pretendojnë se zyrtarë të lartë turq morën miliona dollarë ryshfete për të bërë që kjo skemë të funksiononte. Një ish-ekzekutiv i Halkbank, i cili u dënua pikërisht për këtë gjë, u rikthye në Turqi gjatë kësaj vere, pasi kreu dy vite burg.
Më 21 tetor ai u emërua si kreu i Bursës së Stambollit. Turqia pret një rritje prej 0.5%, gjatë këtij viti, dhe një rritje 5% në vitin 2020. Nëse normat e interesit ulen më tej, vendi rrezikon të bjerë në një tjetër krizë të monedhës. Banka Qendrore ka përdorur rezervat prej miliarda dollarësh, për të rritur vlerën e lirës. Ajo mund të mos ketë më mjete për të mbrojtur monedhën vendase përballë vendosjes së sanksioneve, ose nëse do të rriten normat globale të interesit. Prandaj, turqit janë të detyruar t’i drejtohen dollarit si një mjet i sigurt. Si pasojë, depozitat në valutë të huaj në bankat turke kanë shënuar rritje.
Mungesa e pavarësisë së institucioneve, e bën më të vështirë punën e politikëbërësve monetarë. Sipas Kerim Rota, ish-bankier, normat e interesit do të duhet të jenë më të larta në mënyrë që të rritet inflacioni. Tani për tani, askush nuk mendon se normat e interesit mund të rriten pa miratimin e z. Erdogan.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.