Një studim i ri përpiqet të identifikojë kreditë totale të shpëtimit nga kreditori më i madh dypalësh në botë.
Kina e ka zgjeruar ndjeshëm huadhënien e saj për të financuar (shpëtuar) nismën e saj “Një brez, një rrugë” (Belt and Road Initiative). Ky veprim ka ardhur si pasojë e një sërë shlyerjesh borxhesh, projekte të mbushura me skandale dhe akuza për korrupsion.
Një studim i botuar ditën e martë, tregon se Kina ka dhënë 104 miliardë dollarë kredi shpëtimi për vendet në zhvillim, midis 2019 dhe fundit të 2021. Shifra për këto vite, është pothuajse e barabartë sa vlera e huadhënieve të vendit gjatë dy dekadave të mëparshme.
Studimi i ekspertëve të kërkimit në AidData, Bankën Botërore, Shkollën Harvard Kennedy dhe Kiel Institute for the World Economy, është përpjekja e parë e njohur për të identifikuar huadhënien totale të shpëtimit kinez, në një bazë globale.
Nga viti 2000 deri në fund të vitit 2021, Kina ndërmori 128 operacione shpëtimi në 22 vende debitore, me një vlerë totale prej 240 miliardë dollarësh.
Shfaqja e Kinës si një “huadhënës i mundësisë së fundit” (lender of last resort) me ndikim të lartë, paraqet sfida kritike për institucionet e udhëhequra nga perëndimi si Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, të cilat janë përpjekur të ruajnë stabilitetin financiar global që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
“Arkitektura financiare globale po bëhet më pak koherente, më pak e institucionalizuar dhe më pak transparente”, tha Brad Parks, drejtor ekzekutiv i AidData në Kolegjin e William & Mary në SHBA. “Pekini ka krijuar një sistem të ri global për huadhënien ndërkufitare të shpëtimit, por e ka bërë këtë në një mënyrë të errët dhe të pakoordinuar.”
Rritja e normave globale të interesit dhe vlerësimi i fortë i dollarit, kanë ngritur shqetësime në lidhje me aftësinë e vendeve në zhvillim për të shlyer kreditorët e tyre. Disa vende sovrane kanë përjetuar ankth për shkak të mungesës së bashkërendimit midis kreditorëve.
Presidenti i Sri Lankës, Ranil Wickremesinghe, i bëri thirrje Kinës dhe kreditorëve të tjerë javën e kaluar, që të arrijnë shpejt një kompromis për ristrukturimin e borxhit, pasi FMN miratoi një program huadhënieje prej 3 miliardë dollarësh për vendin e tij.
Kina ka refuzuar të marrë pjesë në programet shumëpalëshe të zgjidhjes së borxhit, edhe pse është anëtare e FMN-së. Gana, Pakistani dhe debitorë të tjerë, që i detyrohen shuma të mëdha Kinës, po vëzhgojnë nga afër shembullin e Sri Lankës.
“Qasja rreptësishtë dypalëshe e Kinës, e ka bërë më të vështirë koordinimin e aktiviteteve të të gjithë huadhënësve kryesorë të urgjencës,” tha Parks.
Disa nga 22 vendet të cilave Kina u ka dhënë hua shpëtimi – duke përfshirë Argjentinën, Bjellorusinë, Ekuadorin, Egjiptin, Laosin, Mongolinë, Pakistanin, Surinami, Sri Lanka, Turqinë, Ukrainën dhe Venezuelën – marrin gjithashtu mbështetje financiare nga FMN.
Megjithatë, ka dallime të mëdha midis programeve të FMN-së dhe paketave të shpëtimit kinez. Njëra është se paratë kineze nuk janë të lira. “Një kredi tipike shpëtimi nga FMN-ja ka një normë interesi prej 2%”, thuhet në studim. “Norma mesatare e interesit e lidhur me një kredi kineze shpëtimi është 5%.”
Pekini gjithashtu nuk ofron ndihmë për të gjithë huamarrësit në vështirësi të iniciativës “Një Brez, një Rrugë” (Belt and Road Initiative, BRI). Përfituesit e mëdhenj të financimit BRI, të cilët përfaqësojnë një rrezik të konsiderueshëm të bilancit për bankat kineze, kanë më shumë gjasa të marrin ndihmë urgjente.
“Pekini po përpiqet përfundimisht të shpëtojë bankat e veta. Kjo është arsyeja pse është futur në biznesin e rrezikshëm të huadhënies ndërkombëtare të shpëtimit, “tha Carmen Reinhart, një profesoreshë e Shkollës Kennedy të Harvardit dhe ish-kryekonomiste në Grupin e Bankës Botërore.
Huadhënia e Kinës vjen në dy forma. E para është përmes një “linje shkëmbimi” (swap line facility), ku monedha kineze renminbi disbursohet nga Banka Popullore e Kinës, banka qendrore, në këmbim të monedhës vendase. Rreth 170 miliardë dollarë u disbursuan në këtë mënyrë. E dyta është përmes mbështetjes direkte të bilancit të pagesave, me 70 miliardë dollarë të zotuara, kryesisht nga bankat shtetërore kineze.
BRI është programi më i madh i infrastrukturës transnacionale në botë. Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve (American Enterprise Institute), një institut me bazë në Uashington, ka vendosur vlerën e projekteve të infrastrukturës të udhëhequra nga Kina dhe transaksioneve të tjera të klasifikuara si “Belt and Road” në 838 miliardë dollarë, midis 2013 dhe fundit të 2021.
Kjo minierë fondesh shpëtimi, zbulon mangësi në hartimin e një skeme të përshkruar nga udhëheqësi kinez Xi Jinping si “projekti i shekullit”.
Mangësitë e tjera rrjedhin nga mungesa e studimeve të fizibilitetit dhe mungesa e përgjithshme e transparencës, sipas studimit.
Disa projekte u bënë shkak për të mos ndërmarrë kredi zhvillimore. Një “rrugë drejt askundit” prej 1 miliard dollarësh në Mal të Zi, mbetet e papërfunduar dhe e përfshirë nga akuzat për korrupsion, vonesat e ndërtimit dhe çështjet mjedisore.
“Elefantët e bardhë” si porti Hambantota i Sri Lankës dhe Kulla Lotus, shihen si simptoma të krizës së borxhit të vendit, ndërsa më shumë se 7000 çarje u gjetën në një digë ekuadoriane të ndërtuar nga kontraktorët kinezë, pranë një vullkani aktiv. / Financial Times