Huadhënia për ekonominë është rritur në gusht, për të katërtin muaj radhazi, sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Stoku i kredisë për individët dhe bizneset në fund të muajit gusht arriti në 556.8 miliardë lekë, duke u rritur me 6.1 miliardë lekë, apo rreth 1.1% në raport me një muaj më parë. Kjo është rritja ë e madhe mujore, që nga marsi 2012 dhe tregon për një rikthim të sistemit bankar tek huadhënia për ekonominë. Dy vitet e fundit, teksa u përballën me një shtim të ndjeshëm të kredive me probleme, bankat frenuan kredinë, duke bërë që stoku i kredisë për 2013-n të shënonte një rënie prej rreth 2% me bazë vjetore.
Në raport me fundin e vitit 2013, kredia për ekonominë u zgjerua me 8.9 miliardë lekë, apo 1.6%.
Me bazë vjetore (gusht 2014/gusht 2013), huaja për ekonominë është zgjeruar me 11.8 miliardë lekë, apo 2.2%, performanca më e mirë e tre viteve të fundit.
Përmirësimi gjatë muajve të fundit ka ardhur si nga leku ashtu dhe nga valuta (shih grafikun).
Kredia e shtuar në gusht ka shkuar pothuajse në pjesën dërrmuese për bizneset.
Bankat kishin paralajmëruar një gjallërim të huasë për ekonominë, pasi raporti i fundit i standardeve të kredisë së tremujorit të dytë 2014, tregonte se bankat po i lehtësonin kriteret si për biznesin ashtu dhe për individët, ndërsa dhe nga kahu tjetër kërkesa po rritej.
Megjithatë, huaja e pakthyer në afat u rrit në mënyrë të papritur në korrik, në 24.9%, pasi ishte frenuar në pjesën e parë të vitit në nivelin e rreth 24%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.