Intervistë me Elvis Ponari, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë administruese të fondeve të pensionit SIGAL-LIFE UNIQA GROUP AUSTRIA
Elvis Ponari, drejtori i përgjithshëm i fondit vullnetar të pensioneve Sigal, thotë për revistën “Monitor” se viti 2020 rezultoi edhe më i mirë se pritshmëritë për fondet private të pensioneve.
Sipas tij, kriza nxiti më shumë prirjen e individëve për kursim dhe kjo e ndikoi pozitivisht edhe vendimmarrjen për të investuar në një pension privat. Z. Ponari mendon se legjislacioni duhet të japë më shumë incentiva që individët të investojnë për një pension privat në të ardhmen. Një element i domosdoshëm, sipas tij, është heqja e tatimit në momentin e përfitimit të pensionit.
Si e vlerësoni ecurinë e përgjithshme të fondit të pensioneve Sigal në vitin 2020?
Mendoj se viti 2020 u karakterizua nga një ecuri pozitive, ndoshta e papritur, duke pasur parasysh krizën në të cilën hyri ekonomia. Menduam se pandemia do të ndikonte negativisht edhe te ne, siç në fakt ndikoi në kompaninë mëmë të sigurimeve.
Por, në fakt, vitin e kaluar njerëzit u shfaqën më të prirur të kursenin. Pensionet private janë gjykuar si një alternativë e mirë dhe si diversifikim i investimit të kursimeve personale. Kjo ka bërë që fondi të ketë një ecuri mjaft pozitive dhe vitin e kaluar regjistruam rreth 15% rritje. Në një vit kur ekonomia kaloi krizë të thellë, ne i ndihmuam anëtarët duke ulur tarifën e administrimit të fondit nga 2.5% në 2.2%.
Përtej një konsiderate të përgjithshme, mendoni se pati aspekte të veçanta ku kriza e pandemisë solli ndikim në aktivitetin e fondeve private të pensioneve?
Do të thosha më shumë tek ecuria e kthimit nga fondet. Ne jemi të lidhur ngushtë me ecurinë e përgjithshme të tregjeve financiare. Vitin e kaluar, përgjithësisht kthimet nga investimi kanë pësuar rënie për të gjitha fondet e pensioneve, por jo vetëm. Kjo tendencë ka prekur edhe fondet e investimeve, që ashtu si ne e kanë të përqendruar portofolin e investimeve në titujt e qeverisë shqiptare.
Në këndvështrimin tuaj, diversifikimi i portofolit të investimeve a do t’i shërbente diversifikimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të tregut të fondeve të pensioneve?
Patjetër. Për momentin, në këtë drejtim ka kufizime rregullatore që ne i respektojmë. Por sigurisht që diversifikimi i instrumenteve ku ne mund të investojmë do të ndihmonte në rritjen e kthimeve dhe në zhvillimin e tregut.
Në cilat instrumente mund të ketë sidomos potenciale për të zgjeruar spektrin e investimeve?
Mendoj se obligacionet e kompanive private, ose ato të borxhit të varur, mund të jenë një instrument me potenciale interesante dhe mund të sigurojnë kthime më të larta. Sigurisht që kjo do të kërkonte edhe zhvillimin e një tregu të mirëfilltë kapitali dhe shpresojmë të shohim së shpejti zhvillime pozitive në këtë drejtim.
Besoni se stimujt aktualë që ofron ligji për nxitjen e investimeve në një pension privat janë të mjaftueshëm? Si mund të përmirësohen më tej këta stimuj?
Edhe në kuadrin e shoqatës së kompanive të sigurimit të jetës dhe shoqërive administruese të fondeve, ne kemi hedhur disa ide për të përmirësuar legjislacionin aktual. Duhet një reformim më i gjerë i sistemit të pensioneve, për të zhvilluar tregun privat, por edhe për të hequr një barrë të rëndë nga skema shtetërore. Këto janë mekanizma që përdoren në shumicën e vendeve të botës dhe ne mendojmë se do të ndihmonin zhvillimin e tregut të pensioneve në Shqipëri, me një ndikim pozitiv ekonomik dhe social. Kjo sigurisht që do të kërkonte ndryshime në të gjithë sistemin e sigurimeve shoqërore.
Ndërsa, për sa i takon ligjit aktual për fondet private, ne mendojmë se është shumë e rëndësishme të hiqet tatimi mbi përfitimin nga pensioni privat. Ne mund ta kuptojmë tatimin vetëm për të ardhurat nga investimi, por mendojmë se tatimi edhe i kontributit i frenon individët për të investuar në pensione private dhe nuk e ndihmon zhvillimin e këtij tregu.
Po marrim një shembull të thjeshtë: nëse dikush ka kursime që i mban në bankë dhe dëshiron t’i investojë në një fond pensionesh, kur të vijë koha që ai do të përfitojë pension, shteti do t’i mbajë tatim. Për mendimin tim, është e pakuptimtë dhe e padrejtë që të tatohen kursimet e individëve. Po flasim për pensione, në fund të fundit.
A mendoni se duhet të ketë një kolonë të detyrueshme private të pensioneve?
Po, ne mendojmë se një zgjidhje e tillë adreson problemin e pensioneve dhe ndihmon zhvillimin e tregut financiar. Për shembull, nëse një masë prej 3% e kontributeve të detyrueshme kalojnë te fondet private, ato do të investohen në instrumente financiare dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të tregut. Pastaj, kjo do të përmirësonte edhe edukimin financiar. Nëse individët i kuptojnë përfitimet e pensioneve private, më shumë prej tyre do të investonin më tej për një kolonë private vullnetare.
Sot janë rreth 31 mijë kontribuues të fondeve private të pensioneve. Anëtarët e rinj vijnë kryesisht mbi baza individuale, apo janë pjesë e skemave të kompanive private?
Në këtë produkt, nuk besoj te koncepti i shitjes, por i këshillimit. Ne nuk shesim; ne këshillojmë. Anëtarësimi te fondet e pensioneve është falas. Nuk ka kosto apo detyrime të përhershme. Në shumicën e rasteve, ne përpiqemi të punojmë me subjektet tregtare, sepse në këtë mënyrë mund të arrijmë te një numër më i madh individësh. Kjo bëhet pasi kompanitë kanë incentiva fiskale për kontributet që derdhin në favor të punonjësve, të cilat nuk tatohen. Njëkohësisht ne ofrojmë edhe benefite për produkte të tjera të grupit tonë të biznesit, për ta bërë këtë investim më tërheqës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.