Të paktën në njërin prej projektligjeve “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për lojërat e fatit’ në Republikën e Shqipërisë”, nënvizohet se te pjesa e dispozitave kalimtare shtohet pas pikës 2 pika 2.1. Pika 2 e dispozitave kalimtare sanksionon se: “Organizatorët e kazinove elektronike dhe bingove tradicionale, të cilët janë licencuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë të drejtë të ushtrojnë aktivitetin vetëm në pikat që janë hapur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri në datën 31 dhjetor 2018”. Afati i parë ishte 31 dhjetori 2016 por ai u shty pas lobimit në Kuvend të disa deputetëve dhe votimit nga mazhoranca.
Në pikën 2/1, që është edhe risia që shtohet në pjesën e dispozitave kalimtare, thuhet se: “Organizatorët e kategorive ‘Baste sportive’ dhe ‘Baste për garat në pistë’ do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në datën 31 dhjetor 2018. Të gjitha aplikimet për pajisjen me licencë për kategoritë e sipërpërmendura, në proces shqyrtimi, ndërpriten”.
Kjo do të thotë se nuk do të ketë më baste sportive dhe as baste për garat në pistë. Sakaq ka ndryshime edhe në pikën 3 të dispozitave kalimtare. Kjo pikë aktualisht është: Organizatorëve të kategorive “Baste sportive”, “Baste për garat në pistë” dhe “Bingo televizive”, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u fillon afati i vlefshmërisë së licencës, sipas kategorisë përkatëse, dhe janë të detyruar të përshtatin organizimin dhe funksionimin e tyre, të paguajnë tarifën përkatëse të licencimit, sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, deri më 31 dhjetor 2016.
Me ndryshimin e propozuar bëhet: Organizatorët e kategorisë “Bingo televizive”, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u fillon afati i vlefshmërisë së licencës, sipas kategorisë përkatëse, dhe janë të detyruar të përshtatin organizimin dhe funksionimin e tyre, të paguajnë tarifën përkatëse të licencimit, sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, deri më 31 dhjetor 2016”.
Kjo do të thotë që kategoria e bingove televizive i shpëton furtunës kundër kumarit të nisur nga qeveria dhe afati i licencës së tyre ka filluar që nga viti 2016, ndërkohë që kohëzgjatja e saj është 10-vjeçare.
Sipas ligjit “Bingo televizive” është loja, e cila bëhet publike nëpërmjet medias televizive dhe nga hedhja e shortit dalin aq numra sa nevojiten për të pasur një fitues. Në këtë lojë, pjesëmarrësit me biletat e blera të hedhura në treg nga organizatori përmbajnë një grup numrash, pjesë përbërëse të një grupi tjetër të caktuar numrash.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.