Borxhi i shtetit ndaj biznesit, problem që gjatë kohës është fshehur, është një nga sfidat më serioze me të cilat do të ballafaqohet ekipi ekonomik i qeverisë së re. Që në dy javët e para duhet të llogaritet sa është kjo shumë dhe më pas menjëherë të fillohet me kthimin e parave, thotë për Alsat, kryetari i Komisionit për Financa në LSDM dhe njëri nga pretendentët më seriozë për postin e ministrit të Financave, Kire Naumov.
Është e pakuptimtë për mua se si mundet kjo ekonomi të qëndrojë me borxh prej 1 miliard euro ndaj saj. Sinqerisht do të doja të mos besoj se është ashtu, por se shuma do të jetë më e madhe, do të jetë dhe kjo normalisht do të jetë problem i madh për buxhetin e Qeverisë së ardhshme – tha Kire Naumov, kryetar i Komisionit për Financa, LSDM.
Një miliard është shuma që në periudhën e kaluar e përmendnin një pjesë e biznesmenëve. Në praktikë, kjo është një e treta nga të gjitha paratë që i shpenzon në nivel vjetor. Që të kthehet borxhi, ndoshta do të duhet të rritet deficiti buxhetor, paralajmëron Naumov. Megjithatë sipas tij kjo do të ishte produktive pasi në sektorin e biznesit do të derdhej një sasi e konsiderueshme e parave për investime të reja.
Fillimisht të tentohet që në kuadër të buxhetit ekzistues të gjenden fonde për ti shlyer detyrimet të cilat janë me afat më të gjatë e që nuk i janë paguar biznesit. Më pas, menjëherë në rishikim të gjenden fonde se si të kthehen të gjitha detyrimet ndaj biznesit – u shpreh Kire Naumov, kryetar i Komisionit për Financa, LSDM.
Problemi me borxhet e shtetit ndaj biznesit kulmin e arriti para pesë viteve. Fillimisht, qeveria mohonte se është borxhli i padisiplinuar, por pas disa muajve kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski, pranoi problemin dhe në takimin me biznesmenët paralajmëroi zgjidhjen e tij për gjashtë muaj.
/Alsat M