Drejtues nga Bashkimi Europian dhe Rusia u mblodhën bashkë në Samitin e Hagës në 25 nëntor të javës së kaluar. Qëllimi i Samitit BE-Rusi ishte të forcoheshin lidhjet në katër pika të përbashkëta: ekonomi; drejtësi dhe çështjet humanitare; edukim dhe kërkim; siguria e brendshme dhe e jashtme. Siç treguan dhe ngjarjet në Ukrainë, kjo e fundit është pika më e ndjeshme. Beteja më e fundit duket se është për ndarjen e zonave të ndikimit në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Presidenti rus ishte i vetmi që i dërgoi një letër urimi homologut të tij ukrainas, pas rizgjedhjes së dyshimtë në postin e presidentit. Nuk është hera e parë që Rusia dhe BE-ja janë përplasur për rajonin. Pasi Alexander Lukashenko «fitoi» kohët e fundit referendumin në Bjellorusi, çka e mundësoi atë të vazhdonte të qëndronte si president, Moska e përgëzoi diktatorin, ndërsa Brukseli ishte kategorikisht kundër dhe forcoi sanksionet kundër regjimit. Por Ukrania është kyçi i betejës për zona ndikimi mes BE-së dhe Rusisë. Më e madhe se Franca dhe me një popullsi prej rreth 50 milion banorësh, Ukraina ka kufijtë më të gjatë si me Europën e Zgjeruar, ashtu dhe me vëllezërit e vjetër sovjetikë. Për këtë arsye beteja e fjalëve për Ukrainën po shikohet si dështimi më i madh midis Rusisë dhe BE-së, që nga koha e konfliktit të Kosovës, madje që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Rusia e mbështet kryeministrin e rizgjedhur me mjaft dyshim, sepse ka frikë mos e humb Ukrainën si një aleat kyç, pasi e ka humbur si një vëlla sovjetik. Siç pohon dhe Lilia Shevtsova, një analiste ruse në një intervistë për «Financial Times»: “Rusia ende ndjen dhimbje për humbjen e Ukrainës… njëlloj si një pacient, të cilit i janë prerë këmbët.”Në fakt, Moska, që prej rënies së Bashkimit Sovjetik (BS) në vitin 1991, e ka ndier vazhdimisht zvogëlimin e zonave të ndikimit. Një nga një, ish-shtetet e tij janë bashkuar në aleancën e NATO-s dhe në maj të këtij viti, disa prej tyre, duke përfshirë dhe tre vende ish sovjetike iu shtuan BE-së. Të tjera shtete, dikur nën ndikimin e BS-së si Bullgaria dhe Rumania do të hyjnë në BE në vitin 2007. Anëtarët e rinj të BE-së kanë forcuar kërkesat për viza për vizitorët rusë si dhe kanë mbyllur kufijtë për disa mallra ruse. Të gjitha këto kanë bërë që Rusia të ndihet e pafuqishme dhe të jetë më e prirur për tu treguar muskujt shteteve fqinjë.Ndërsa Moska shqetësohet rreth politikës perëndimore në Ukrainë, shanset që vendi të pranohet në BE janë të pakta. BE-ja është tepër e interesuar për të promovuar të drejtat e njeriut dhe demokracinë (ashtu si në Bjellorusi), por politika e saj në Ukrainë është e çorientuar. Kjo pasqyron një ndarje të brendshme, e cila është bërë më e dukshme, që kur disa vende nga ish blloku i Lindjes hynë në BE në maj. Më i madhi nga anëtarët e rinj, Polonia kishte pasur lidhje të ngushta me Ukrainën. Në fakt zona perëndimore e Ukrainës ka qenë për një kohë të shkurtër pjesë e Polonisë, pasi kishte qenë pjesë e perandorisë Austro-Hungareze dhe disa zona u bashkuan me Ukrainën vetëm në vitin 1945). Polakët e kanë mbështetur vazhdimisht Ukrainën (dhe më pas Bjellorusinë), në mënyrë që ti jepej një status i veçantë, me synim hyrjen e mundshme në BE. Por vendet e BE-së, që janë gjeografikisht larg Ukrainës kanë një pikëpamje tjetër. Ato mbështesin vende që tashmë janë në rrugën e anëtarësimit, jo vetëm Rumaninë dhe Bullgarinë, por dhe Turqinë. Ata argumentojnë që BE-ja nuk mund të përballojë hyrjen e një anëtari të ri të madh dhe të varfër, të paktën për një dekadë. Megjithatë, përveç mbështetjes polake nuk ka një konsensus për ti ofruar Ukrainës një datë për fillimin e negociatave. Nuk ka as marrëveshje për fillimin e bisedimeve me Gjeorgjinë, e cila një vit më parë, krijoi një qeveri pro-perëndimore.Beteja të tjeraËshtë e vërtetë që lidhjet ekonomike mes Rusisë dhe BE-së janë shumë të ngushta: mëse gjysma e eksporteve të Rusisë shkon në vendet e BE-së së zgjeruar, e cila është shumë e varur nga nafta dhe gazi rus. Por, në nivel politik, besimi është gërryer. Brukseli është i shqetësuar, pasi sipas raporteve të Komisionit Europian, disa praktika ruse «janë kundër vlerave europiane». Ka probleme me nivelin e demokracisë së Rusisë, apo pak a shumë me mungesë të tij (për shkak të opozitës së pafuqishme dhe parregullsive në zgjedhje), si dhe shqetësime rreth praktikave politike, të cilat përfaqësojnë një kthim drejt diktaturës. Vendet e reja të BE-së janë partizane të ndjekjes së një linje të ashpër ndaj Moskës. Ato dëshirojnë të shikojnë të sfiduar ish-mësuesin e tyre. Rusia nga ana e saj ankohet si e lënë mënjanë. Ajo nuk duron dot të mos informohet rreth qëndrimeve të BE-së (duke filluar që nga emigracioni deri tek trafiku i drogës), pasi është shumë vonë për të ndikuar mbi to. Me gjithë trajtimin special nëpërmjet samiteve BE-Rusi që zhvillohen dy herë në vit, Rusia kërkon të ulet në tryezë më shpesh. Ajo kërkon që BE-ja të jetë më e ndjeshme ndaj shqetësimeve të brendshme ruse. Një shqetësim tjetër është se interesi i Rusisë për shtetet e saj fqinje shihet si i rrezikshëm. Analistët rusë kanë filluar të flasin rreth «rusofobisë» në Bruksel. Si përfundim, mund të thuhet se Rusia ka ndërmend të jetë tepër e ashpër në pazaret e saj. Ajo është më shumë e përqendruar në arritjen e marrëveshjeve të favorshme diplomatike e tregtare, sesa për një fqinjësi të mirë. Kështu, Rusia vërtet u tregua e hapur ndaj Brukselit, duke ratifikuar traktatin e Kyoto-s për ndryshimet klimaterike, por e bëri këtë vetëm pasi siguroi mbështetjen e BE-së për anëtarësimin e Rusisë në OBT. Të njëjtën taktikë të bisedimeve të vështira po ndjek dhe me diskutimet e fundit ; në fakt në Samitin e javës së kaluar nuk u arrit shumë progres, ashtu siç pritej.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.