Të hënën pas pesë javë grevë ka nisur procesi mësimor. Por, edhe përkundër nisjes së mësimit nuk janë ekzekutuar pagat për mësimdhënësit. Këshilli i Prindërve të Kosovës, në reagimin e djeshëm bën të ditur se nëse nuk jepen pagat e shtatorit për mësimdhënësit, do të mbledhin fonde për ta.
Pas vendimit të Qeverisë për t’ia ndalur pagën për një muaj mësimdhënësve pas grevës në arsim, ka reaguar Këshilli i Prindërve të Kosovës.
Përmes një shkrimi në llogarinë zyrtare, KPK ka thënë se nëse mësimdhënësve nuk iu jepen pagat e muajit shtator, prindërit duhet të organizohemi në çdo shkollë për të mbledhur fonde solidariteti për t’i ndihmuar financiarisht mësimdhënësit.
Sipas tyre, revolta e tyre ndaj SBASHK-ut ka qenë për të hapur çerdhet e shkollat por asnjëherë për t’i poshtëruar mësimdhënësit.
“Solidaritet! Nëse mësimdhënësve nuk iu jepen pagat e muajit shtator, ne prindërit duhet të organizohemi në çdo shkollë për të mbledhur fonde solidariteti për t’iu ndihmuar financiarisht mësimdhënësit. Revoltën e kishim për të hapur çerdhet e shkollat por asnjëherë për t’i poshtëruar mësimdhënësit”, ka thënë Këshilli i Prindërve.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu të hënën ka thënë se pagat për muajin shtator u janë ekzekutuar zyrtarëve të cilët kanë dalë në punë.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”.
Lidhur me këtë, pati reagime edhe nga shoqëria civile.
Juristi Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë të hënën se mos ekzekutimi i pagave për grevistët është në kundërshtim me ligjin.
Miftaraj tha se secili grevist që paraqet padi në gjykatë do të kompensohet edhe me shpenzimet e avokatit dhe kamatën ligjore.
“Mos ekzekutimi i pagave për grevistët është në kundërshtim me ligjin. Është persekutim ndaj grevistëve. Përndryshe, secili grevist që paraqet padi në gjykatë, përveç pagës, pastaj do të kompensohet edhe me shpenzimet e avokatit dhe kamatën ligjore. Me fjalë tjera, nga një pagë që mund të jete 480 euro për një muaj, shteti do të paguaj diku 1,500 euro. Në fund faturën e paguan taksapaguesi. P.S. Leximi i ligjit dhe interpretimi i ligjit dallon”, thekson Miftaraj.
Neni 18 i Ligjit për Greva thotë se ‘Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e Punës’, si dhe Ligji për Plotësim-Ndryshimin e Ligjit për Greva, neni 7, pas togfjalëshit ‘Kontrata e Punës’, shtohet fjalia ‘duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar’
Ndryshe opozita e ka konsideruar këtë veprim si hakmarrje politike, derisa PDK-ja ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“Ne presim një afat prej pesë ditëve që të ekzekutohen pagat, nëse deri të enjten nuk ekzekutohen pagat do të bëjmë kallëzim penal ndaj ministrit në Prokurorinë Speciale. Mosekzekutimi i pagave është vepër penale. Ne shpresojmë që të mos vie puna deri aty por ju e shihini se kemi një ministër të papërgjegjshëm e arrogantë”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Të shtunën me 1 tetor, BSPK-ja përmes një konference për media zyrtarisht bëri të ditur se greva, e nisur më 25 gusht, do të pezullohet deri në muajin janar 2023.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.