Flet Saimir Begaj, nga kompania e “Erzeni”
Konsumi i bulmetit ka pësuar rënie të fortë në fillim të vitit, sidomos djathi i të imtave dhe nga ana tjetër, çmimet e qumështit të deles dhe dhisë në fermë u rritën jashtë logjikës vitin e kaluar për shkak të kërkesës, duke arritur në 180 për litër në fermë, tha Saimir Begaj, nga kompania e “Erzeni”.
Ai pohoi se kostot e lëndëve të para dhe energjisë janë stabilizuar, por fabrikat po përballen me disa kosto të tjera, si rritja e pagave dhe rritja e fortë e interesave të kredive.
Si e mbylli vitin 2023 kompania “Erzeni” në kuptimin e aktivitetit financiar?
Viti 2023 për kompaninë tonë ka qenë kryesisht i mbarë, me një rritje të kënaqshme për disa produkte, por edhe një vit i vështirë për disa produkte të tjera, si djathi i deles dhe i dhisë, që janë në rënie të fortë të shitjeve.
Ky vit sapo ka nisur, por si e parashikoni ecurinë aktivitetit edhe në kuptim të kërkesës dhe tregut?
Ndihet një frenim i shitjeve si fillimviti, por me shpresë se turizmi do të jetë më i mbarë se viti që shkoi, mendojmë se do stabilizohet gjatë muajve të verës.
Blegtorët, ditët e fundit, janë në protestë, pasi fabrikat dhe njësitë më të vogla të përpunimit po kërkojnë kontrata të reja, me ulje të çmimeve. A keni kërkuar edhe ju ulje dhe a mund të na thoni arsyet?
Fermerët që protestojnë janë kryesisht fermerë të mbarështimit të dhenve dhe të dhive. Vitin që shkoi kishte kërkesë të lartë në treg për këto produkte, edhe konkurrenca ishte shumë e fortë, duke rritur çmimet e qumështit në nivele jashtë çdo lloj arsyeje biznesi.
Këto çmime u reflektuan edhe në treg, duke ua bërë të pamundur konsumatorëve për t’i blerë, duke sjellë uljen e konsiderueshme të konsumit dhe i gjithë prodhimi është stok në magazinat e përpunuesve.
Edhe pse përpunuesit i kanë ulur çmimet nën kosto, përsëri kërkesa për këto produkte është shumë e ulet. Në këtë situatë jemi të detyruar të reflektojmë uljen e çmimeve te fermerët, por edhe në shitjen e djathit me shumicë, me qëllim rritjen e konsumit.
Së dyti, që është jo pak e rëndësishme, informaliteti në prodhimin e këtyre produkteve është në nivele të jashtëzakonshme. Përpunimi i djathit të bardhë të deles dhe dhisë si dhe kaçkavall dele, dominohet nga baxho të vogla, mbi ku 90% e tyre janë biznes i vogël, ose nuk janë të regjistruar fare.
Të gjitha këto subjekte i tregtojnë produktet e tyre nga tregtarë “biznese të vogla” që blejnë me shumicë dhe i tregtojnë me pakicë, kryesisht në dyqanet e tyre, por edhe shesin me shumicë në dyqane të tjera të regjistruara gjithashtu si biznese të vogla, të cilët nuk blejnë dhe as shesin me faturë.
Kjo konkurrencë e pandershme po na dëmton çdo ditë e më shumë, duke menduar seriozisht edhe tërheqjen përfundimtare nga përpunimi i këtyre produkteve.
Eurostat e renditi Shqipërinë në 11 vendet me çmimet më të larta të bulmetit në Europë vitin e kaluar. Nëse do ta blini më lirë qumështin nga fermerët, a do ta reflektoni te pakica?
Sikurse e shikoni edhe në tabelën e mësipërme, çmimet e blerjes së qumështit janë ulur në Europë, si dhe çmimi është shumë më i lirë se sa e blejmë në tregun tonë.
Gjithashtu në Europë, kostot e grumbullimit të qumështit janë më të ulëta se në Shqipëri, pasi janë ferma të mëdha dhe falsifikimet nuk mendohen, e jo më të veprohet.
Në Shqipëri, ne grumbullojmë qumështin dy herë në ditë, pasi fermat janë shumë të vogla dhe nuk kanë mundësi të ruajtjes, tentohet të falsifikohet qumështi.
Kjo sjell kosto të shtuar për përpunuesin, pasi janë të detyruar të analizojnë çdo fermer, të rrisin kostot në punësimin e grumbulluesve, punësimin e laborantëve, testet analizuese, në karburante dhe në mirëmbajtjen e mjeteve.
Sikurse e citova më sipër, çmimet e djathit të deles dhe të dhisë janë ulur me gati 18% duke dalë nën kosto. Kemi ulur edhe disa produkte të tjera, oferta të ndryshme kemi bërë pafund, por çmimin përfundimtar nuk e caktojmë ne, por shitja me pakice e tyre.
A vuan nga mbiinvestimet tregu i përpunimit të qumështit dhe a krijon kjo kosto për fabrikat?
Po, është e vërtetë, tregu i përpunimit të qumështit ka mbiinvestime të cilat kanë krijuar kosto për fabrikat. Ne kemi investuar së fundmi në teknologjinë UHT, ku ka një treg të caktuar të këtij produkti, i cili dominohet nga importi, ku menduam edhe ne të ishim pjesë.
Kjo ka sjellë vështirësi të ndryshme në treg dhe me shitje të pakta, duke mos justifikuar as kostot e përpunimit, si dhe ato të kredive që vijnë nga ky investim, për fitim jo e jo.
Gjithsesi jemi të bindur me produktin e ri që kemi hedhur në treg, i cili përmbush të gjitha kushtet e Bashkimit Europian dhe me kënaqësi themi që jemi konkurrentë të denjë për cilindo.
Jemi të bindur që në të ardhmen, sikurse jemi me produktet e freskëta, të kemi pjesën tonë të këtij tregu jo të vogël.
Me çfarë vështirësish përballen fabrikat në kuptimin e kostove të lëndëve të para dhe burimeve njerëzore?
Në njëfarë mënyre, kostot e lëndëve të para dhe energjisë janë stabilizuar, por po përballemi me disa kosto të tjera, rritja e pagave dhe rritja e fortë interesave të kredive kanë kompensuar uljen e çmimeve të lëndëve të para.
Burimet njerëzore janë bërë gjithashtu një problem shumë serioz, duke filluar me punëtorë të thjeshtë që nuk gjen, imagjino të gjesh një specialist si teknolog, laborant, specialist djathi, agjent shitje, menaxher shitje, magazinier, elektricist, ekonomist etj., që është jashtëzakonisht shumë e vështirë.
Është e vështirë edhe për djem e vajza të reja që t’i trajnosh dhe të kenë dëshirë për punë, paqëndrueshmëria e tyre në punë ka rritur kostot gjithashtu, pasi sapo e trajnon dhe është gati për të marrë përgjegjësi largohet në një punë tjetër apo ikën jashtë shtetit.
A keni një sugjerim se si mund të rregullohet dhe përmirësohet tregu i bulmetit?
Të jepet kompensim për litër qumështi direkt te fermeri, i cili të jetë i detyruar të dorëzojë faturat tatimore për ta përfituar atë, me qëllim uljen e informalitetit (detyron grumbulluesin të regjistrojë blerjet dhe të shesë me faturë që të shkarkojë magazinat).
Të ulet TVSH-ja nga 20% në 6% për fermat e prodhimit dhe përpunuesit e qumështit, pasi 70% të blerjeve janë nga fermat e vogla, të cilat janë konsumatorë/pagues të TVSH-së, nuk e transferojnë atë.
Fermerët të marrin lehtë kredi të buta, ku të dalë garant shteti, vetëm për të blerë makineri, pajisje dhe ndërtim të kapanonëve, pa të drejtë shitjen e tyre, deri në likuidimin e plotë të kredisë, për të rritur kapacitetin prodhues, si dhe për të ulur kostot e prodhimit.
Informaliteti i lartë është një problem tjetër shqetësues për përpunuesit.
Për vitin 2024 gjithashtu jemi përballur me një surprizë nga doganat dhe tatimet, kanë përjashtuar nga taksa e importit qumështin e paketuar dhe taksojnë qumështin e freskët që vjen për përpunim.
Mendojmë që është një vendim arbitrar i pakonsultuar nga grupet e interesit dhe i nxitur nga interesa të subjekteve të caktuara. Të anulohet urdhri dhe të taksohen njëlloj dhe jo të diskriminohet përpunuesi vendas dhe të favorizohet produkti i paketuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.