Qeveria e Kosovës mund të përballet edhe me një vendim tjetër të gjykatës ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Ende nuk dihet se si do të përfundojë beteja ligjore mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Axos GMBH. Në vitin 2010 Qeveria e kishte filluar procesin e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës. “Axos” ishte shpallur fitues pasi kishte ofruar 277 milionë euro për blerjen e 75 përqind të aksioneve në “Vala” e Telekom. Privatizimi i nuk kishte ndodhur pasi që në fund të vitit 2014 deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk e kishin votuar privatizimin e saj
.Qeveria e ka dërguar në Arbitrazh çështjen e Postës dhe Telekomit, pasi që kompania fituese AXOS e ka paditur Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Investove (ICSID) për shkak se pasi që kishte fituar për ta blerë postën, ajo nuk ishte votuar në Kuvend. Në lidhje me këtë opozita ia lë fajin tërësisht partive në pushtet, pasi që thonë se duhet të ketë më shumë seriozitet para se të hynë në kontrata ndërkombëtare. Enver Hoti, anëtar i Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, thotë se shteti është përgjegjës dhe se nuk është treguar serioz me kompanitë që i ka kontraktuar.
Naim Fetahu, anëtar i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, nga PDK-ja mendon se Qeveria duhet të jetë më syçelë dhe të marr gjitha masat e nevojshme. Fetahu thotë se do të kërkojë që në Komision të diskutohet edhe për këtë çështje.
Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike Faton Topalli, nga Lëvizja Vetëvendosje tha se shteti duhet të jetë më serioz karshi kompanive ndërkombëtare, pasi sipas tij dalin jo serioz para botës.
Për të parandaluar dëmin financiar që mund të vijë nga padia e AXOS, Qeveria në mbledhjen fundit ka marrë vendim për t’i ndarë 150 mijë euro, mjete këto për mbulimin e shpenzimeve për ekspertiza profesionale.Këto mjete janë prezantuar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, në njërën nga mbledhjet e Qeverisë.
Jo serioziteti dhe pa aftësia për të menaxhuar një kontratë të lidhur qysh më herët, Telekomin e Kosovës e ka sjell afër falimentimit.
Vendimi i fundit i Arbitrazhit, ka obliguar Telekomin e Kosovës që t’i paguaj Z Mobile mbi 30 milion euro. Telekomi i Kosovës deri më tash nuk e ka bërë asnjë hap përpara në respektimin e kontratës bazë me Dardafon.net L.l.c , e as nuk ka respektuar vendimin e Arbitrazhit të ICC-së dhe çdo ditë është duke humbu dhjetëra mijëra euro shtesë për mos fillim të zbatimit të vendimit të arbitrazhit./KosovaPress/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.