Rritet prodhimi i energjisë në tremujorin e parë, por edhe humbjet

22/05/2020 11:23 AM 0 komente

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2020, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 0,9 %, raportoi INSTAT.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë arriti vlerën 1.546 GWh nga 1.281 GWh energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2019, duke shënuar një rritje të prodhimit me 20,7 %.

Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 48,0 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 51,6 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,4 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Rritja e prodhimit të energjisë elektrike ka ndikuar në rritjen e importeve bruto të energjisë elektrike (energji në marrje) me rreth 1,0 herë dhe rritjen e eksporteve bruto të energjisë elektrike (energji në dhënie) me rreth 4,1 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Hidrocentralet publike, në tremujorin e parë të vitit 2020, prodhuan 1.540 GWh nga 1.277 GWh të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2019, duke shënuar kështu një rritje të prodhimit me 20,6 %.

Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 798 GWh nga 590 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 35,2 %.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) rezultoi me rritje duke arritur vlerën 917 GWh nga 901 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) rezultoi me rritje duke arritur vlerën 346 GWh nga 84 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Humbjet në rrjet kanë arritur vlerën 573 GWh nga 531 GWh duke shënuar kështu një rritje me 8,0 %.

Humbjet në transmetim kanë ndikuar me +2,5 pikë përqindje në totalin e humjeve në rrjet ndërsa humbjet në shpërndarje kanë ndikuar me +5,5 pikë përqindje. Humbjet teknike në shpërndarje janë rritur me 1,2 herë, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje janë ulur me rreth 1,4 herë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of