Petr Zeliezko, drejtues i një agjencie turistike në Republikën Çeke, duke komentuar vrasjen e dy turistëve çekë në Shqipëri, ka deklaruar se vendi ynë konsiderohej i sigurtë.
“Deri sa ndodhi ngjarja, Shqipëria konsiderohej shumë e sigurtë. Ndërsa tani ka një tronditje të imazhit të saj. Megjithatë, theksoj se deri dje nuk ka pasur asnjë problem me turistët çekë në përgjithësi, përveç disa rasteve sporadike”, ka thënë Zeliezko për një gazetë lokale.
Ai ka nënvizuar se, prej vitesh organizon grupe turistësh çekë në Shqipëri dhe nuk është hasur asnjë problem.
“Edhe vetë kam shkuar disa herë për pushime atje”, ka thënë Zeliezko, duke shprehur tronditjen e tij për sa ka ndodhur.
Megjithatë, drejtuesi i agjencisë turistike nuk fajëson Shqipërinë dhe shqiptarët për ngjarjen, pasi sipas tij, gjëra të tilla ndodhin në të gjithë botën.
“Unë mendoj se gjëra të tilla mund të ndodhin dhe kanë ndodhur edhe në Francë, Norvegji apo Suedi. Kriminelët nuk kanë kombësi, ata vrasin kudo që janë”, ka thënë ai.
I pyetur për një opinion mbi shqiptarët, ai ka dhënë këtë vlerësim: “Shqiptarët janë sjellë shumë mirë dhe janë mjaft të gjendshëm për turistët. Përgjithësisht mendoj se ata janë njerëz të mirë”.
Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA), duke reaguar për vrasjen e dy turistë çekë, të premten në Dukagjin, e ka konsideruar këtë ngjarje si “një goditje e forte ndaj turizmit shqiptar”.
“Ngushëllojmë familjet dhe miqtë e dy të rinjve, shtetas të Republikës Çeke, që humbën jetën duke vizituar vendin tonë. Kjo ngjarje tronditëse është nga më të rëndat për turizmin shqiptar ndër vite. Krimi nuk ka vrarë dy të rinj, dy turistë, por i ka dhënë një goditje të fortë turizmit shqiptar dhe punës sonë e të gjithë kolegëve tanë ndër vite”, thuhet në reagim.
ATA i kërkon qeverisë të marrë masa për të parandaluar ngjarje të tilla, që “dëmtojnë reputacionin e Shqipërisë si vend turistik”.
/ Top Channel
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.