Shtohet rreziku që gratë e moshuara shqiptare të bëhen më të varfëra

06/01/2020 11:00 AM 0 komente

Gjasat që një grua mbi 65 vjeç të jetë në e varfër janë rritur në vitin 2018. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se 15.4% e grave të grupmoshës mbi 65 vjeç janë në rrezik për të qenë të varfra. Ndryshe, 1 në 6 gra të kësaj grupmoshe rrezikojnë që të jetojnë me të ardhura nën 120 euro në muaj.

Niveli i Rrezikut për të qenë i varfër tregon përqindjen e personave që jetojnë në familje ku të ardhurat e disponueshme të ekuivalentuara janë nën kufirin e rrezikut për të qenë i varfër.

Por ndryshe nga gratë e kësaj grupmoshe, rreziku i varfërisë për burrat është shfaqur më i ulët  në vitin 2018. Sipas të dhënave të INSTAT vetëm 12.5% e burrave të grupmoshës mbi 65 vjeç rrezikojnë të jetojnë nën këtë kufi, në krahasim me 13% që u vlerësua rreziku një vit më parë.

Në total rreziku i rritur i kësaj grupmoshe është ndikuar për shkak se gratë kanë shanse më të larta për të qenë të varfra.

 

Gratë më të rrezikuara se burrat

Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës tregoi se gratë në Shqipëri, për çdo grupmoshë, janë më të rrezikuara se burrat për të qenë të varfra, më saktësisht 23.8% e grave përkundrejt 23% të burrave. Ndonëse treguesi ka qenë në ulje në raport me një vit më parë, ulja është reflektuar më e madhe te burrat.

Te të miturat femra (nën 17 vjeç) rreziku i varfërisë vlerësohet të jetë 30.6%, ndërsa te meshkujt 28.7%.

Po ashtu te grupmosha aktive e punës (18-64  vjeç) rreziku i varfërisë vlerësohet përkatësisht 23.3% te gratë dhe 23.2% te burrat, me një diferencë prej vetëm 0.1 pikë përqindje.

 

Gratë jetojnë më shumë, por në varfëri

Një grua pritet që të jetojë mesatarisht tre vite më shumë se një burrë i lindur në Shqipëri, por gjasat janë që ajo të jetojë më varfër. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat pritshmëria e jetëgjatësisë së një burri shqiptar në 2017-n ishte 77.1 vite përkundrejt jetëgjatësisë prej 80.1 vite së një gruaje.

Mesatarisht një njeri i lindur në Shqipëri pritet që të jetojë deri sa të mbushë 78 vite e 6 muaj. Prej 2013-s, treguesi i jetëgjatësisë në linje në Shqipëri është vlerësuar në rritje. Në 2013-n jetëgjatësia në lindje në Shqipëri përllogaritej mesatarisht me 77.9 vite, ku te burrat pritshmëria ishte prej 76 vite jetë, kurse te gratë 80.1. Kjo reflekton se edhe hendeku i jetëgjatësisë në lindje sipas gjinisë në Shqipëri po ngushtohet.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of