Si rregullohet zbritja e TVSH-së për daljet jashtë përdorimit të mallrave

03/03/2020 12:23 PM 0 komente

Tatimet kanë dhënë informacion lidhur me rregullimin e zbritjes së TVSH-së për daljet jashtë përdorimit të mallrave.

Në zbatim të nenit 79 të ligjit Nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nuk kryhet rregullimi i zbritjes së TVSH-së për daljet jashtë përdorimit të mallrave për shkak se janë të papërdorshme, ose që u ka kaluar afati i përdorimit të tyre, të provuara apo të konfirmuara, sipas procedurave përkatëse ligjore e nënligjore.

Kujdes!

Nëse personi i tatueshëm përfiton dëmshpërblim për arsye të sigurimit të mallit, për mallra për të cilat nuk zbatohet rregullimi i TVSH-së së zbritshme, atëherë për vlerën e përfituar, personi i tatueshëm llogarit TVSH. Vlera e tatueshme ne këtë rast është vlera e përfituar minus TVSH-në përkatëse.

Nëse personi i tatueshëm nuk dokumenton mungesën e mallrave sipas procedurës së parashikuar më poshtë, atëherë mallra të tilla do të konsiderohen si mallra të shitura.

 

Procedura për daljet jashtë përdorimit të mallrave

Personi i tatueshëm duhet të mbajë një regjistër për mallrat që nxirren jashtë përdorimit. Për të kryer saktë këtë procedurë, personi i tatueshëm duhet që:

I. Jo më vonë se 5 ditë kalendarike, para datës së nxjerrjes jashtë përdorimit të mallit, të bëjë një njoftim me shkrim drejtuar Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar dhe në njoftim të japë informacion për:

a. Listën e mallrave që do të nxjerrë jashtë përdorimit,

b. Arsyet e nxjerrjes jashtë përdorimit për secilin artikull dhe

c. Numrin e njësive/sasinëe mallrave,

d. Çmimin e blerjes së secilit prej mallrave;

e. Vlerën e mallrave;

f. Datën kur do të kryhet ky proces.

II .Drejtoria Rajonale Tatimore cakton për të marrë pjesë në këtë proces dy inspektor, të cilët mbajnë një procesverbal për këtë qëllim, të konfirmuar edhe nga përfaqësuesi i personit të tatueshëm dhe personat e tjerë të pranishëm gjatë këtij procesi.

III. Një kopje e gjithë dokumentacionit të mbajtur përgjatë procesit të daljes jashtë përdorimit i dërgohet Drejtorisë Rajonale Tatimore.

IV.Ky proces nuk shoqërohet me faturë tatimore. Nëse procedura e mësipërme nuk ndiqet ose inspektorët tatimor kundërshtojnë kërkesën e personit të tatueshëm ose në rast kontrolli konstatojnë se personi ka vepruar në kundërshtim me përcaktimet ligjore tatimore apo me ligjet specifike të sektorit ku vepron, atëherë ai është i detyruar të kryejë rregullimin e TVSH-së së zbritur për mallin në përputhje me ligjin.

 

Raste të tjera të dëmeve apo shkatërrimit të pasurisë

Shkatërrimi i pasurisë së personit të tatueshëm për shkaqe natyrore të tilla si tërmete, përmbytje, djegie,etj., në raste emergjencash civile sipas legjislacionit të fushës, ose për shkak të aksidenteve, të cilat janë të verifikueshme dhe të dokumentuara nga institucioni publik përkatës, nuk është objekt i rregullimit të TVSH-së së zbritur.

Kur mallrat janë dëmtuar apo shkatërruar nga fatkeqësia nuk kryhet rregullimi i TVSH-së së zbritshme që lidhet me mallrat e dëmtuara, të shkatërruara nëse personi i tatueshëm dokumenton:

a. Një përshkrim të mallrave të dëmtuara, shkatërruara përfshirë numrin e njësive/ sasinë e secilit lloj të mallit;

b. Dokumente ose një evidence të blerjes së mallrave dhe çmimin me të cilin mallrat janë blerë;

c. Raportin përkatës nga organi kompetent që vërteton se mallrat janë dëmtuar, shkatërruar si dhe mënyrën (ngjarjen) me të cilën mallrat janë dëmtuar apo shkatërruar;

d. Datën në të cilën mallrat janë dëmtuar, shkatërruar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of