Jeni gati t’i thoni lamtumirë punës suaj? Nuk jeni i vetmi. “Bumi i madh i dorëheqjeve po vjen”, thotë Anthony Klotz, profesor i asociuar i menaxhimit në Universitetin A&M të Teksasit, i cili ka studiuar largimet e qindra punonjësve. “Kur ka pasiguri, njerëzit priren të hezitojnë, kështu që një numër i madh dorëheqjesh nuk kanë ndodhur vitin e kaluar.”
Numrat shumëfishohen, thotë ai, nga shumë përvoja të lidhura me pandeminë – kalimi i kohës me familjen, puna në distancë, udhëtimet, pasionet, jetën dhe vdekjen, dhe e gjithë kjo do të thotë që njerëzit mund t’i kthejnë shpinën punës monotone të zyrës 9:00 me 5:00. Ne e pyetëm Klotz se çfarë pritet pasi ky bum i madh dorëheqjesh po merr vrull shumë të shpejtë.
Çfarë do të ndodhë këtë verë me punonjësit dhe organizatat?
Shumë pasiguri, për të dyja palët. Kompanitë po mendojnë se si të mbajnë dhe të rikthejnë punonjësit, një numër i madh po ofrojnë mundësi të larmishme: A doni të ktheheni me kohë të plotë? Të punoni në distancë? Në zyrë tre ditë në javë? Katër ditë? Një ditë? Do të jetë e paqartë nëse këto mundësi do të jenë të përhershme, duke e bërë të vështirë për punonjësit të vendosin nëse do të qëndrojnë ose do të largohen.
A do të japin të gjithë dorëheqjen?
Jo. Shumë punonjës, në të vërtetë, nuk duan të japin dorëheqjen. Nëse kompania do t’i linte ata të vazhdonin të punonin nga shtëpia ose të bënin më pak orë pune, ata nuk do të largoheshin.
Le të themi se dua ta lë punën tani. Çfarë duhet të bej?
Mendoni shumë për arsyet. A po supozoni thjesht se kompania juaj nuk do të punojë me ju dhe t’ju lejojë të punoni me kohë të pjesshme ose në distancë, apo të bëni një pauzë? Sigurohuni që i keni kuptuar plotësisht planet e kompanisë. Për shembull, nëse të gjithë urdhërohen të kthehen në zyrë dhe tre punonjësit më të mirë thonë se janë gati të japin dorëheqjen, organizata mund ta rimendojë këtë gjë.
A duhet të hap dorëheqjen para apo pas kthimit në zyrë?
Kthehuni në punë të paktën një ose dy javë. Mendojeni atë si një provë të hipotezës suaj. Njerëzit priren të bëjnë parashikime të gabuara për atë se si ndihen në të vërtetë.
Çfarë duhet t’u themi kolegëve?
Kolegët mund të kenë të njëjtat mendime si ju. Ju mund të imagjinoni dikë që mendon, unë me të vërtetë nuk dua të kthehem në zyrë, por të paktën Anthony do të kthehet. Dhe pastaj unë telefonoj për të thënë se nuk po kthehem.
Si bëhet një dorëheqje gjatë pandemisë?
Do të jetë veçanërisht interesante të përdorni mediume elektronike, por studimi ynë ka zbuluar se organizatat dhe menaxherët reagojnë keq ndaj dërgimit të një email-i ose lënies së një shënimi në tryezën e shefit.
Pra, kur të komunikoj me drejtuesin çfarë duhet t’i them?
Se u përpoqët dhe nuk po funksionon për ju. Shefi do ta shikojë këtë në një këndvështrim më të favorshëm sesa thjesht duke mos u përpjekur fare. Arsyet tuaja duhet të jenë të sinqerta, por jo të gjitha arsyet. Për shembull, nëse puna nuk ka më kuptim për ju, këtë këshillohet që të mos e thoni më mirë. Jepni arsye specifike, si shkollën pasuniversitare ose udhëtimet e shpeshta.
A këshillohet dërgimi i mesazheve me tekst ose e-mail?
Mundohuni të kontrolloni komunikimin që bëni me kompaninë, kolegët dhe drejtuesit tuaj. E-mailet janë forma më e lehtë për të krijuar keqkuptime, aq më shumë kur bëhet fjalë për të dhënë dorëheqjen. Ju dëshironi të jepni dorëheqjen në mënyrën më pozitive të mundshme.
Pse ky shqetësim për të qenë kaq të kujdesshëm?
Ne do të shohim shumë punonjës “bumerang”, të cilëve pas një viti do t’ju mungojë shumë puna dhe të pranojnë se romani i tyre nuk po shkon aq mirë saç ata kishin parashikuar. Të jesh punonjës bumerang funksionon vetëm nëse dorëheqja që ju bëni është shumë, po shumë pozitive. / *Arianne Cohen, Bloomberg