Përdorimi i të dhënave të duhura është thelbësor për marrjen e vendimeve më të rëndësishme të biznesit tuaj, të cilat ndikojnë edhe në rritjen e tij.
Ditët e sipërmarrësve dhe drejtuesve të bizneseve që detyrohen të marrin vendime të rëndësishme bazuar tek instinkti i tyre kanë mbaruar prej kohësh. Kjo nuk do të thotë se nuk do të jetë e nevojshme që të bëni supozime dhe hamendësime për hapin e radhës që duhet të ndërmarrë kompania, por në botën e sotme, nuk ka asnjë arsye pse të mos mbështeteni te të dhënat për të marrë vendimet e duhura.
Kur vjen puna për të marrë vendime thelbësore për biznesin tuaj, rëndësia e të dhënave që përdorni është te konsistenca dhe rritja e vazhdueshme përgjatë gjithë historisë së ciklit të jetës së biznesit. Duke përdorur të dhënat e duhura që do të ndihmojnë në procesin tuaj të vendimmarrjes, ju mund të krijoni mundësi të reja për biznesin, që mund të gjenerojnë të ardhura shtesë. Të dhënat madje mund të parashikojnë tendencat e ardhshme për kompaninë dhe klientët e saj, duke përmirësuar gjithashtu operacionet aktuale.
Identifikoni se cilat të dhëna ju nevojiten për t’iu përgjigjur pyetjeve më të rëndësishme
Të qenët në gjendje për të identifikuar dhe për të analizuar të dhënat e duhura në procesin tuaj të vendimmarrjes është thelbësore për të kuptuar se cilat veprime – ose lloje veprimesh – mund të kenë ndikimin më të madh për të arritur atë që dëshironi për biznesin juaj.
Për shembull, dërgimi i anketave për secilin prej klientëve të kompanisë, pasi keni kryer me sukses një shitje, mund të ndihmojë në marrjen e përshtypjeve të vlefshme nga udhëtimi unik që çdo klient përjeton kur ndërvepron me kompaninë tuaj. Këto të dhëna do t’ju ndihmojnë të përmirësoheni për të rritur volumin e shitjeve të kompanisë.
Cilido qoftë arsyetimi juaj për përdorimin e të dhënave në procesin e vendimmarrjes, hapi i parë është të përqendroheni te grupet e të dhënave që janë më të rëndësishme për atë proces. Për më tepër, të dhënat ose grupet e të dhënave që identifikoni në fillim të këtij procesi, duhet të jenë gjithmonë në gjendje të sjellin njohuri shtesë që do t’ju ndihmojnë për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që keni në lidhje me mënyrën se si biznesi mund të ndryshohet ose të përmirësohet nëpërmjet iniciativave të ndryshme të veprimit.
Sigurohuni që të keni mjetet e duhura për mbledhjen dhe analizën e të dhënave
Që çdo formë e analizës së të dhënave të jetë e dobishme për biznesin tuaj, duhet të kuptoni nëse mjetet që keni në dispozicion janë më të mirat e mundshme për detyrat që duhet të kryeni. Në fund të fundit, askush nuk dëshiron të harxhojë kohë, duke mbledhur volume të mëdha të dhënash, vetëm për të kuptuar më pas se kanë përdorur mjete ose teknologji të gabuara për analizimin e tyre.
Për këtë arsye, ju duhet të përdorni mjetin (ose mjetet) e duhur për mbledhjen e pikave specifike të të dhënave që do t’ju ndihmojnë të merrni vendimet më të mira për biznesin tuaj. Filloni duke pyetur veten nëse mjetet dhe teknologjitë e disponueshme aktualisht mund t’ju ndihmojnë të përmbushni, ose të tejkaloni qëllimet dhe objektivat që keni. Po kështu, nëse e kuptoni se ju mungojnë mjetet e duhura për të ndihmuar në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave të brendshme të biznesit, duhet të studioni se cilat mjete do të jenë në gjendje t’i mundësojnë këto veprime.
Përdorni të dhënat e duhura për të nxitur rritjen e biznesit tuaj
Qëllimi kryesor i mbledhjes dhe analizës së të dhënave në procesin tuaj të vendimmarrjes duhet të jetë dhënia e përgjigjeve që mund të përdoren për të forcua rritjen e biznesit.
Pavarësisht nëse rritja do të vijë nga konvertimi i një pjese të madhe të tregut të synuar në klientë që sjellin të ardhura shtesë për kompaninë, ose thjesht nga parashikimi i trendeve të caktuara që biznesi juaj mund të ketë në përballjen me konkurrentët e tij, të gjitha të dhënat e përshtatshme që mblidhni dhe analizoni duhet të jenë në gjendje të përkthehen në iniciativa strategjike për rritje.
Nëse keni të dhëna të mjaftueshme, ato do t’ju ndihmojnë të merrni vendime efektive për biznesin tuaj, por mjetet e duhura për të mbledhur të dhënat e duhura nga burimet e duhura janë elementi më i rëndësishëm. / Entrepreuner