Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot këshilltarët diplomatikë të presidentit të Francës Emanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel. Thaçi, në këtë takim, ka bërë të qartë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë pa kushtëzime dhe se taksa 100 për qind duhet të mbetet në fuqi.
Prej më shumë se gjashtë muaj, Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë për mallrat serbe dhe boshnjake. Qeveria këtë vendim e kishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës. Nga atëherë, llogaritet se Serbia ka humbur miliona euro. Por, edhe presionet për heqjen e saj nuk janë ndaluar . Mirëpo, drejtuesit e shtetit të Kosovës kanë treguar gjatë tërë kohës se taksa nuk do të hiqet.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar sot të njëjtin qëndrim, para këshilltarët diplomatikë të presidentit të Francës Emanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel. Thaçi tha se “dialogu duhet të vazhdojë pa kushtëzime dhe se tarifat duhet të mbeten në fuqi”.
Gjithashtu, presidenti u shpreh se “Kosova nuk do të pranojë kritere tjera për liberalizimin e vizave, sidomos jo në formë të kërkesave për tarifat apo asociacionin”. Presidenti Thaçi kërkoi që qytetarët e Kosovës të mos mbahen të izoluar padrejtësisht dhe të mos trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.
Në fund, presidenti Thaçi u shpreh se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun që duhet të përfundojë me marrëveshjen paqësore gjithëpërfshirëse, e cila do të sjellë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht, importon mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në Serbi. Kosova ka vendosur taksën prej 10% më 6 nëntor për mallrat nga Serbia dhe më pas e ka rritur atë më 21 nëntor në 100%.
Që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi që pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës mirëpo, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bosnja të njohin pavarësinë e Kosovës.
Shfuqizim apo pezullim të taksës ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi.
/Fatos Shala për Monitor.al
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.