Turizmi i brendshëm i Kinës, u rrit mbi nivelet para pandemisë, gjatë pushimit pesë-ditor të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Turistët bënë 274 milionë udhëtime brenda vendit gjatë periudhës së pushimeve, thotë Ministria e Turizmit e Kinës.
Kjo ishte pothuajse 20% më e lartë se në vitin 2019, përpara se shpërthimi i Covid-19 të shkaktonte bllokime në të gjithë vendin.
Shifrat zyrtare tregojnë gjithashtu, se turistët shpenzuan 21 miliardë dollarë gjatë kësaj periudhe, më shumë se dyfishi i shumës në të njëjtën kohë të vitit të kaluar.
“Kjo mund të shihet si një pikë kthimi në sektorin e turizmit të Kinës. Performanca e tregut është rikthyer me të vërtetë në nivelin e vitit 2019,” tha Dai Bin, president i Akademisë së Turizmit të Kinës.
Festa e 1 Majit, pushimet e së cilës përfunduan ditën e mërkurë, është një nga festat më të rëndësishme kombëtare të Kinës.
Udhëtimet dhe shpenzimet gjatë periudhës u vëzhguan nga afër për treguesit e fuqisë, ose ndryshe, të rimëkëmbjes pas pandemisë, të ekonomisë së dytë më të madhe në botë.
Zyrtarët po kërkojnë shenja se njerëzit kanë filluar të shpenzojnë sërish, pas heqjes së kufizimeve të vendit për Covid-19.
Jashtë Kinës, turistët kinezë mund të ndihmojnë në rimëkëmbjen e industrisë globale të udhëtimit.
Përpara Covid-19, Kina ishte burimi më i rëndësishëm i turistëve ndërkombëtarë, me më shumë se 150 milionë kinezë, që bënin udhëtime jashtë shtetit çdo vit.
Gjatë festës së 1 Majit, mesatarisht 1.2 milionë kinezë udhëtuan jashtë vendit çdo ditë, sipas mediave shtetërore. Kjo shifër ishte dyfishi, krahasuar me atë të vitit të kaluar.
Turistët nga Kina kontinentale udhëtuan drejt destinacioneve si Hong Kongu, Tajlanda dhe Singapori.
Sidoqoftë, rezervimet e linjave ajrore nga turistët kinezë, që udhëtonin jashtë vendit, ishin ende sa gjysma e shifrave para pandemisë, sipas firmës së të dhënave të udhëtimit ForëardKeys.
Tendencat në udhëtimet e brendshme do të mbeten më të forta se udhëtimet ndërkombëtare, “për shkak të disponueshmërisë së kufizuar të avionëve dhe ekuipazhit,” tha zoti Cheng. / BBC