Intervistë me Anke Weber, shefe e misionit në Shqipëri e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN)
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret që rritja e ekonomisë shqiptare të jetë 3.3% në 2024, në ngadalësim nga 3.6% që është pritshmëria për vitin 2023.
Anke Weber, shefe e misionit në Shqipëri të FMN-së, thotë në një intervistë të posaçme për “Monitor” se turizmi dhe kanalizimi i investimeve private dhe atyre të huaja do të mbështesë rritjen.
Ajo shton se ekonomia mbetet e ndjeshme ndaj inflacionit të qëndrueshëm, i cili po nxitet nga presionet e brendshme inflacioniste.
FMN parashikon që inflacioni do të arrijë objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3% në fillim të vitit 2025.
Teksa emigracioni i fuqisë punëtore po ndikon negativisht në tregun e punës dhe ekonomisë, Znj. Weber rekomandon që qeveria duhet të ndërmarrë politika për zhvillimin dhe ruajtjen e kapitalit njerëzor, çka do të nxiste rritjen e mundshme dhe do të përmirësonte standardet e jetesës.
Si do ta vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin 2023? Si ishte performanca, në krahasim me parashikimet tuaja fillestare dhe pse?
Shqipëria ka rezultuar si një nga vendet me ecurinë më të mirë mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, me një rritje reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), që në vitin 2022 ishte 4.8%, rreth 1.15 pikë përqindjeje mbi mesataren rajonale.
Rritja e Shqipërisë pritet të mbetet e fortë dhe në vitin 2023, në 3.6%, e mbështetur nga ecuria shumë e fortë e turizmit dhe ndërtimit.
Si e prisni progresin e ekonomisë në vitin 2024? Cilët janë faktorët që do të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht?
Pritet që rritja e konsumit të ngadalësohet, teksa do të vazhdojë transmetimi i politikës monetare në ekonominë reale. Megjithatë, aktiviteti i shërbimeve, i nxitur nga turizmi dhe kanalizimi i investimeve private dhe atyre të huaja, do të mbështesë rritjen.
Si rrjedhojë, PBB-ja reale pritet që të zgjerohet me 3.3% në 2024.
Rritjet e tensioneve gjeopolitike përfaqësojnë rrezik të konsiderueshëm për ecurinë e ekonomisë në 2024. Mbiperformanca e sektorit të turizmit, ndërtimit dhe energjetikës përfaqësojnë rreziqe në kahun e sipërm.
Për më tepër, ekonomia mbetet e ndjeshme ndaj inflacionit të qëndrueshëm, i cili po nxitet nga presionet e brendshme inflacioniste, dhe ndaj goditjeve të lidhura me motin, duke pasur parasysh varësinë e sektorit të energjisë në prodhimin e hidrocentraleve.
Cilat janë rreziqet kryesore me të cilat mund të përballet Shqipëria në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe sa e përgatitur është qeveria për t’i përballuar ato?
Plakja e popullsisë dhe emigrimi i vazhdueshëm i fuqisë punëtore përfaqësojnë dy nga burimet kryesore të shqetësimit për perspektivën afatmesme. Këta faktorë ushtrojnë presion mbi shpenzimet e qeverisë për pensionet dhe shëndetin.
Emigrimi i vazhdueshëm i punëtorëve mund të përkeqësojë mospërputhjet mes aftësive dhe kërkesës dhe të shtrëngojë më tej tregun e punës.
Koniunktura aktuale e favorshme ekonomike krijon mundësi për të avancuar në ndërmarrjen e një grupi të gjerë reformash, që do të siguronte rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Përparimi në axhendën e rritjes së eficiencës së të ardhurave, duke përfshirë forcimin e administrimit të tyre, është çelësi për një strategji të besueshme të konsolidimit fiskal dhe për të siguruar burime, që do të adresonin sfidat e rritjes.
Të rëndësishme për të zbutur rreziqet fiskale janë zbatimi i një strategjie të shëndoshë të menaxhimit të borxhit, sigurimi i një kuadri të shëndoshë investimesh publike dhe procesi buxhetor që integron PPP-të.
Duhet të vazhdojnë përpjekjet për të integruar politikat e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike në proceset dhe politikat kombëtare të vendimmarrjes.
Reformat
Koniunktura aktuale e favorshme ekonomike krijon mundësi për të avancuar në ndërmarrjen e një grupi të gjerë reformash, që do të siguronte rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Përparimi në axhendën e rritjes së eficiencës së të ardhurave, duke përfshirë forcimin e administrimit të tyre, është çelësi për një strategji të besueshme të konsolidimit fiskal dhe për të siguruar burime, që do të adresonin sfidat e rritjes
Emigrimi i fuqisë punëtore shqiptare është kthyer në një problem të rëndë për ekonominë dhe biznesin. Sipas jush, si po ndikon kjo në ekonomi dhe çfarë duhet bërë nga qeveria dhe aktorët e tjerë për të frenuar ritmet e emigrimit?
Përshpejtimi i emigrimit të fuqisë punëtore shqiptare do të përkeqësonte sfidën e tregut të shtrënguar të punës, duke penguar rritjen e produktivitetit.
Është i nevojshëm zbatimi vendimtar i politikave për zhvillimin dhe ruajtjen e kapitalit njerëzor, çka do të nxiste rritjen e mundshme dhe do të përmirësonte standardet e jetesës.
Investimet e mëtejshme në arsim dhe trajnim, duke përfshirë një kurrikulë të përditësuar arsimore, cilësi më të lartë të arsimit dhe trajnimit profesional, dhe fokusimi në aftësitë dixhitale mund të zvogëlojë mospërputhjet e aftësive.
Ndërmarrja e reformave në fushat e sipërpërmendura, krahas avancimit të mëtejshëm në përmirësimin e cilësisë së kushteve të punës dhe rigjallërimin e tregut të punës, mund të mbështesin synimet e autoriteteve për të frenuar flukset e emigracionit.
Këto masa mund të mbështeten financiarisht nga zbatimi i një strategjie të qëndrueshme dhe të besueshme afatmesme të të ardhurave.
Struktura e ekonomisë po ndryshon. Më shumë kapital po investohet në ndërtim, ndërkohë që industria po vuan nga rritja e kostove dhe zhvlerësimi i Euros. Ku e shihni ekonominë shqiptare në terma afatshkurtër dhe afatgjatë? Cilët janë sektorët më të spikatur për zhvillimin e ardhshëm të ekonomisë shqiptare dhe çfarë duhet bërë për t’i mbështetur dhe për t’i stimuluar?
Ne parashikojmë që turizmi do të mbetet një nxitës i rëndësishëm i rritjes në periudhën afatmesme. Me politikat e duhura, sektorë të tjerë, si bujqësia, energjia dhe shërbimet dixhitale, mund të bëhen gjithashtu sektorë të spikatur për zhvillimin e ardhshëm.
Për të realizuar potencialin e plotë të ekonomisë, nevojiten përpjekje të bashkërenduara për të zhvilluar dhe për të mbajtur më tej kapitalin njerëzor dhe për të adresuar çështjet strukturore afatgjata.
Kërkimet e FMN-së kanë identifikuar informalitetin, mangësitë në qeverisje dhe sundim të ligjit, ndryshimet klimatike dhe boshllëqet e infrastrukturës, si ndër sfidat kryesore afatgjata me të cilat përballet ekonomia.
Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në trajtimin e këtyre çështjeve dhe ka bërë përparim të dukshëm në reformat në drejtësi dhe forcimin e kuadrit për parandalimin e pastrimit të parave siç pasqyrohet nga dalja e fundit nga lista gri e FATF (Financial Action Task Force).
Megjithatë, mbetet shumë për t’u bërë. Është thelbësore që të ketë angazhim të palëkundur ndaj reformave strukturore, për të krijuar një mjedis të favorshëm biznesi, gjë që është parakusht për rritje në të gjithë sektorët.
Në raportet e mëparshme, FMN-ja ka paralajmëruar për mbinxehjen e sektorit të ndërtimit. A shihni ndonjë rrezik për një flluskë ndërtimi në të ardhmen?
Referenca për sektorin e ndërtimit në raportet e mëparshme lidhet me nevojën për të monitoruar zhvillimin dhe ndikimin e tij në stabilitetin financiar, duke pasur parasysh performancën e fortë të sektorit dhe kontributin në rritje në ekonomi.
Pavarësisht përpjekjeve të Bankës Qendrore të Shqipërisë, mungesa e konsiderueshme e të dhënave e pengon ende monitorimin dhe identifikimin në kohë të rreziqeve të mundshme.
Së fundmi, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore ka miratuar një rregullore, e cila i lejon Bankës së Shqipërisë të mbledhë tregues për kreditimin e pasurive të paluajtshme rezidenciale dhe tregtare dhe ekspozimet e tyre dhe i lejon Bankës së Shqipërisë t’i përdorë ato për qëllime makroprudenciale.
Shqipëria po humbet avantazhin kryesor konkurrues të kostos së ulët të punës, për shkak të rritjes së shpejtë të pagave. Cili duhet të jetë fokusi në të ardhmen, për të tërhequr investime të huaja?
Shqipëria duhet të fokusohet në krijimin e një mjedisi të shëndoshë biznesi, që do të nxiste zhvillimin e prodhimit me vlerë më të lartë të shtuar dhe do të rriste produktivitetin.
Zbatimi i reformave strukturore për të forcuar qeverisjen, kapitalin njerëzor dhe konkurrencën, si dhe përmirësimi i infrastrukturës, do të ndihmonte Shqipërinë të tërheqë më shumë investime të huaja dhe të integrohej më shumë në zinxhirët e vlerës globale.
Inflacioni në Shqipëri ka rënë shumë më ngadalë në muajt e fundit në krahasim me mesataren e BE-së. Pse po ndodh kjo, sipas mendimit tuaj, dhe si e shihni këtë trend në vitin 2024?
Është e rëndësishme të theksohet fillimisht se rritja e inflacionit në Shqipëri ishte më e ulët se në shumicën e ekonomive të zhvilluara, pasi u mbrojt nga mbiçmimi i fortë i Lekut, i cili uli ndikimin e rritjes së çmimeve ndërkombëtare të ushqimeve dhe energjisë.
Inflacioni total arriti kulmin në 8.3% në tetor 2022, krahasuar me 9.1% në SHBA dhe 10.6% në Eurozonë. Që atëherë, inflacioni total në Shqipëri ka rënë në 3.9%, në nëntor 2023.
Megjithatë, presionet e brendshme inflacioniste vazhdojnë, duke përfshirë presionet nga rritja e pagave publike dhe një treg i shtrënguar i punës.
Ne parashikojmë që inflacioni do të arrijë objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3% në fillim të vitit 2025.
FMN ka këshilluar Bankën e Shqipërisë të rrisë më tej normën bazë të REPO-ve në 4.5%. Pse rekomandoni një veprim kaq agresiv?
Ne e mirëpresim vendimin e fundit të Bankës së Shqipërisë për të rritur normën bazë në 3.25%. Kjo lëvizje është në përputhje me këshillën tonë për një rritje graduale të normës së politikës monetare drejt qëndrimit të saj neutral prej rreth 4½% (kjo do të thotë një normë reale e politikës prej rreth 1½%).
Ka pasiguri rreth tendencës së inflacionit dhe koha dhe madhësia e këtyre rritjeve duhet të jenë fleksibël dhe të orientuara nga të dhënat, duke marrë në konsideratë perspektivën e përgjithshme makroekonomike.
Si e shpjegoni mbiçmimin e fortë të monedhës shqiptare në vitet e fundit. Cili është parashikimi për vitin 2024?
Mbiçmimi i kursit të këmbimit nuk është një fenomen afatshkurtër. Si kursi nominal, ashtu edhe ai real i këmbimit, janë mbiçmuar që nga viti 2015.
Edhe pse në muajt e fundit ka pasur përshpejtim, tendenca afatmesme është në përputhje me përmirësimet në bazat ekonomike – domethënë rritjen e turizmit, hyrjet e IHD-ve dhe përmirësimin e performancës të ekonomisë në raport me partnerët kryesorë tregtarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.