Në vitet e fundit ka pasur një valë antiturizmi në Barcelonë, e cila ka shkuar deri aty sa këshilli bashkiak është në prag të miratimit të një projektligji, ku sipas të cilit do të kufizohet shumë numri i turistëve.
Më poshtë do të njiheni me disa prej gjërave të cilat ju bëni më mirë t’i shmangni nëse vendosni të vizitoni Barcelonën, duke mbrojtur si veten, ashtu edhe duke u kursyer vendasve një mërzitje të panevojshme.
Të quash dialekt gjuhën Catalanase
Catalan është një prej pesë gjuhëve zyrtare të Spanjës. Sipas disa gjuhëtarëve, ajo është më e përafërt me gjuhën franceze sesa me atë spanjolle, e njohur gjithashtu si Castellano, por një prej gjërave që çdo turist që viziton Barcelonën duhet ta mbajë vath në vesh në rast se dëshiron ta vizitojë këtë qytet, është që të mos t’i referohet kurrë Catalanës si dialekt, sepse vendasit do të ofendoheshin shumë.
Të prisni që pjatën “Paella” ta gjeni në çdo restorant
Një prej pjatave më tradicionale spanjolle është ajo që njihet me emrin “Paella”, por kjo nuk do të thotë që atë ta gjeni në restorantin e parë që do të vizitoni, prandaj do të bënit më mirë të informoheni përpara se të shkoni në një restorant të caktuar.
Të pini birrë me gota të mëdha
Ndryshe nga shumë vende të botës, katalanasit e kanë si rregull të pashkruar që birra nuk duhet pirë kurrsesi në gota të mëdha, një rregull sa i çuditshëm aq edhe i mirë në të njëjtën kohë, sepse në këtë mënyrë qytetarët nuk pinë alkool në sasi të mëdha. Por jo vetëm birra, edhe vera shërbehet në gota të vogla.
Të vizitoni “Boqueria” dhe të blini vetëm një sallatë frutash
“Boqueria” është një prej tregjeve vendase më të mëdha në Barcelonë që ofron lloje të ndryshme ushqimesh, të cilat mbi të gjitha janë shumë të freskëta. Por nga ky treg nuk mund të dalësh dot duke blerë vetëm një sallatë me fruta, sepse tundimi për të provuar lloje të ndryshme frutash apo perimesh është shumë i madh.
Të flisni me zë të lartë në rrugë
Lagjet e vjetra tradicionale të Barcelonës kanë rrugë shumë të ngushta, ku dritaret e njërës shtëpi me tjetrën janë fare pranë. Por nëse kaloni në këto rrugë, sidomos gjatë natës, duhet të bëni kujdes të mos flisni me zë të lartë, sepse rrezikoni që të zgjoni banorët të cilët mund edhe t’ju urojnë mirëseardhjen duke ju hedhur një kovë me ujë të ftohtë.
Të tregoheni të shkujdesur kur kaloni në “La Rambla”
Lagjja me stil gotik dhe rruga e famshme “La Rambla” janë disa nga arsyet e tjera që turistët shkojnë për të vizituar Barcelonën, përveç Sagrada Familias dhe Park Guell-it. Por këtu duhet të tregoni kujdes, sepse si pasojë e numrit të lartë të vizitorëve, që ka kjo rrugë sidomos në pikun e sezonit, numri i vjedhjeve është i madh.
Të mendoni se flamengo e ka origjinën nga Barcelona
Arti i flamengos është një prej kulturave më tradicionale spanjolle, por ai nuk e ka origjinën nga Barcelona. Ai lindi në komunitetin e ciganëve në Andaluzi.
Të mos kini respekt për qytetin
Ka disa gjëra të cilat janë të lejueshme vetëm në zonën e plazhit dhe jo në qendër të qytetit, edhe pse qendra e qytetit dhe pjesa e plazhit duken si një e vetme. Ju nuk dilni me rroba banjo në Londër dhe në Nju Jork, dhe të njëjtën gjë nuk duhet ta bëni as në Barcelonë, sepse kjo është edhe një gjë që i bezdis shumë vendasit, të cilët janë të lodhur nga fakti që turistët shëtisin dhe shkojnë nëpër restorante të veshur në mënyrë të pahijshme.
Të prisni që të gjithë vendasit të flasin anglisht
Në qytetet e mëdha të gjithë punonjësit që punojnë në sektorë të tillë si hoteleria zakonisht kanë njohuri të mira të gjuhës angleze. Por mos u çudisni nëse në disa vende, ju nuk do të keni mundësi të komunikoni në anglisht, prandaj ju këshillohet të mësoni disa prej shprehjeve më të rëndësishme në spanjisht, në mënyrë të tillë që të merreni vesh lehtësisht.
Të shëtisni duke bërë foto me “selfie stick”
Çdokush do të donte të realizonte një foto të mirë, dhe si pasojë e revolucionit të “selfie stick”, ju mund të realizoni foto shumë të bukura pa pasur nevojën e dikujt tjetër që t’jua bëjë atë. Por nëse vendosni të shkoni në Barcelonë duhet të tregoheni të kujdesshëm që të mos e praktikoni një gjë të tillë, sepse rrezikoheni që të vidheni nga hajdutët.
Të mbështesni qiratë e paligjshme
Gjatë kohëve të fundit, këshilli i qytetit ka nxjerrë një ligj që ndalon dhënien e shtëpive me qira në mënyrë të paligjshme, prandaj ai ka lidhur kontrata me Airbnb. Edhe ju si turistë duhet të mos pranoni të merrni një shtëpi me qira nga vendasit, jo vetëm sepse ajo është e paligjshme, por mbi të gjitha sepse ata i vendosin çmimet sipas dëshirës së tyre.