Vetmi, kujtesë, lutje… por edhe vende të mrekullueshme janë karakteristikat e manastireve më të bukur në botë. Këta ishuj të vegjël shpirtërorë janë të vecantë edhe për vendet ku janë ndërtuar: vende të izoluar, shpesh të paarritshëm, por me një bukuri të papërshkueshme dhe peizazhe frymëzuese. E nëse izolimi e bën të lehtë meditimin, kjo, nga ana tjetër, e bën të vështirë ekzistencën.
Për këtë arsye, shumë manastire janë enklava të vogla që jetojnë thuajse në autonomi të plotë… shpesh edhe falë prodhimit dhe shitjes së djathit, verës, birrës apo likere. Megjithatë, jo të gjithë janë të tillë….
1.Popa Taung Kalat (Birmani)
Ngjitja në Manastirin Popa Taung Kalat në Birmani është e vështirë, por pamja do t’ju lërë pa fjalë. Tempulli budist ndodhet në një pozicion të paarritshëm, në një shkëmb, në lartësi 700 metra. Një e dhënë tjetër interesante është fakti që manastiri është ndërtuar mbi një vullkan.
2.Manastiri Yumbulagang (Tibet)
I ndodhur mbi një kodër të vogël në lindje të lumit Yarlong pranë Lhasa në Tibet, manastiri i Yumbulagang ka një histori më shumë se 2 mijë vjeçare. I shkatërruar gjatë Revolucionit Kulturor, ai u rindërtua në vitin 1980. Muret janë të pikturuara me afreske të bukura që tregojnë historinë e lashtë të Tibetit.
3.Manastiret e Meteorës (Greqi)
Meteora (që do të thotë pezull mbi ajër) karakterizohet nga prania e kullave të shumta natyrore shkëmbore. Në majë të këtyre shkëmbinjve me mure të pjerrëta janë ndërtuar manastire, edhe pse sot, vetëm 6 prej tyre banohen dhe mund të vizitohen: Agios Stefanos, Agia Triada, Gran Meteora, Varlaam, Roussanou e Agios Nikolaos. Është e vështirë të qëndrosh indiferent përballë bukurisë së këtij peizazhi, ku ndërthurreth asketizmi me madhështinë e natyrës.
4.Pallati i Potala (Tibet)
Në Lhasa, ndërkohë që përshkoni një ndër rrugët e kryeqytetit të Tibetit, në një kodër ngrihet madhështor pallati-manastir i Potala, rezidencë e Dalai Lama deri në moshën e adoleshencës. Legjenda antike mbi kodrën shkëmbore tregojnë për një shpellë të shenjtë, e konsideruar shtëpi e Chenrezig Bodhisattva (Avalokitesvara) dhe vend meditimi i perandorit Songtsen Gampo në shekulli VII pas Krishtit.
5.Takstang (Butan)
Është manastiri më i famshëm në Butan dhe nuk është e vështirë ta kuptosh arsyen. Ai është ndërtuar në një shkëmb, në lartësi 3 mijë metra. Takstang do të thotë “foleja e tigrit” dhe është një manastir që përfshin shtatë tempuj dhe përfaqëson një ndër vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit në budizëm.
6.Sumela (Turqi)
Shumë ndërtesa, edhe shumë kohë pas ndërtimit të tyre, hyjnë në histori. Manastiri i Sumela-s i përket kësaj kategorie. Ngrihet vertikalisht mbi shkëmb, në luginën Altindere, në 1200 metra lartësi.
7.Manastiri Key (Indi)
Manastiri Key është një ndër destinacionet më të frekuentuara nga budistët. Ngjan me një fortesë në majën e një kodre në formë koni, në luginën Spiti, në rrethin e Himachal Pradesh. Fjala do të thotë “tokë në mes”, pasi rrethohet nga male. Sulmet e shpeshta dhe ristrukturimet e mëvonshme i kanë dhënë manastirit formën e tij karakteristike si bllok.
8.Manastiri Madonna del Sasso (Zvicër)
Ata që kalojnë në Locarno nuk mund ta humbasin një vizitë në manastirin françeskan të Madonna del Sasso, i ndërtuar mbi një shkëmb, si të lundronte në qytet. Origjina e këtij tempulli daton në vitin 480 kur frati Bartolomeu, murg i manastirit Shën Francesku, vendosi të tërhiqej dhe të jetonte në këtë ndërtesë që dominon qytetin, pas shfaqjes së Virgjëreshës Mari.
9.St. Martin du Canigou (Francë)
Manastiri daton në shekullin XI dhe përfaqëson një nga ndërtimet më të bukura në mal në atë zonë. Ai u ndërtua në vitin 1009 nga konti i Cerdagne si shlyerje dënimi për vrasjen e të birit dhe më pas është bërë strehë e priftërinjve benediktinë.
10.Roussanou (Greqi)
Manastiri Roussanou të befason për bukurinë e jashtëzakonshme dhe spektakolare të vendndodhjes së tij. Emri i tij ndoshta vjen nga eremiti i parë që e zgjodhi si vendqëndrimi. Edhe pse nuk ka dokumente historike nga e kaluara, ka të ngjarë që ky manastir të jetë themeluar nga murgjit Nikodemi dhe Benedikti, rreth vitit 1380.
11.Manastiri i Shën Bartolomeut (Gjermani)
Manastiri i Shën Bartolomeut i cili ndodhet në brigjet e liqenit Königssee, në parkun kombëtar të Berchtesgaden, falë vendndodhjes së tij është një destinacion që duhet vizituar patjetër për të gjithë ata që duan natyrën. Dikur ishte rezervati i peshkut dhe gjuetisë së mbretërve të Bavarisë, që ndërtuan në brigjet e liqenit një shtëpizë të gjuetisë pranë kishës baroke kushtuar Shën Bartolomeut.
Burimi: Si Viagga.it