Kurdo që ta vizitoni, kryeqyteti francez ka gjithmonë diçka interesante për t’u ofruar vizitorëve të tij.
Këtë vit, përveç ekspozitave, festivaleve dhe eventeve që lidhen me Krishtlindjet, arsyet për ta vizituar janë të shumta.
1.Louvre
Vizitoni Louvre duke mos shpenzuar asnjë qindarkë. Nga tetori në mars, të dielën e parë të muajit, hyrja në muzeun e famshëm është falas për të gjithë.
2. Opéra National
Traviata dhe Simone Boçanegra, vepra të Giuseppe Verdi, janë ndër opera kryesore që do të vihen në skenë deri më 29 dhjetor në Opéra National në Paris. Të pasionuarit e këtij zhanri nuk duhet ta humbin rastin.
3.Centre Pompidou
Qendra kombëtare e artit avangardë është pikë referimi për artin bashkëkohor dhe ndërtesë simbol e kryeqytetit francez. Centre Pompidou është një ndër vendet që nuk duhet ta humbni kurrsesi kur vizitoni Parisin. Të enjteve, Qendra është e hapur deri në orën 11:00 të darkës.
4.Kanali Saint Martin
Parisienët nuk i tremben të ftohtit dhe shëtitjeve në ajër të pastër, as në muajt e ftohtë të dimrit. Nëse doni t’u ngjani vendasve, vishni një pallto, shall, kapele dhe doreza dhe ecni përgjatë kanalit më të famshëm francez, Canal Saint Martin. Ata që e ndiejnë shumë të ftohtin, mund ta shijojnë peizazhin brenda një varke të mbyllur.
5.Muzeu d’Orsay
I ndërtuar në ambientet e një ish-stacioni hekurudhor, Musée d’Orsay është një destinacion të cilin dashamirësit a artit nuk mund ta humbin kurrsesi. Në të është një ekspozitë dedikuar Picasso-s “Blue and rose”, por duke nisur nga data 6 nëntor do të jetë vendndodhja e ekspozitës “Renour father and son”, me në fokus marrëdhënien mes babait dhe të birit.
6.Panorama e Parisit nga Tour Montparnasse
Kulla Montparnasse nuk është kaq e famshme sa Kulla Eiffel, por duke u ngjitur në majë të saj ju do të mrekulloheni duke parë qytetin e Parisit nga lart dhe simbolin e famshëm parisien. Çmimi është disi i kripur, 18 euro, por është një ndër ato gjëra që ia vlen të bëhen njëherë në jetë. Këtu nuk ka fluks turistësh.
7.Bateau-mouche përgjatë Senës
Një mënyrë e veçantë për të shijuar atmosferën parisiene është nga Sena. Rezervoni një udhëtim romantik përgjatë lumit, do të magjepseni nga monumentet e mrekullueshme, dritat sugjestive dhe urat spektakolare që ndajnë qytetin në dy.
8.Jardin des Plantes
I krijuar në vitin e largët 1794, Jardin des Plantes është një institucion parisien dhe monument kombëtar, përveçse mushkëria e gjelbër e kryeqytetit. Ky kopsht i cili frekuentohet nga parisienët veçanërisht në pranverë, nuk duhet lënë kurrsesi pa vizituar edhe në dimër (kur nuk do të ndesheni me fluksin e turistëve).
9.Michael Jackson
Të pasionuarit e muzikës pop nuk mund ta lënë pa vizituar ekspozitën kushtuar një ndër artistëve më të famshëm të të gjitha kohërave “Michael Jackson, lindja e një ikone”, nga data 23 nëntor deri më 14 shkurt 2019, në Grand Palais. Ndër të tjera ju mund të admironi edhe vepra të artistëve kalibër si Andy Warhol dhe Isaac Julien, përveç videove, teksteve të këngëve dhe posterave të Mbretit të Popit.
10.Shakespeare & co
Nëse jashtë bie shi, ju këshillojmë të vizitoni Shakespeare & Co. Libraria e famshme e krijuar në vitin 1919 nga Sylvia Beach, pikëtakimi për shkrimtarë të mëdhenj si Ezra Pound, Hernest Hemingëay dhe James Joyce është një nga vendet kult të kryeqytetit parisien. Kontrolloni kalendarin pasi azhurnohet vazhdimisht me aktivitete si lexime, workshope dhe takime.
11.Disneyland
Kalimi i një dite me fëmijët në Disneyland Paris. Këtë dimër, më 7, 9 dhe 12 nëntor do të mund të shihni një spektakël të mrekullueshëm fishekzjarrësh që feston traditën angleze të Bonfire Night.
12.Galeria La Fayette
Nuk mund të thoni se keni qenë në Paris gjatë kohës së Krishtlindjeve pa parë pemën e mrekullueshme të Krishtlindjeve në Galerinë e famshme La Fayette. Çdo vit parisienët presin me kureshtje të shikojnë se si do të jetë zbukuruar pema e famshme. Bashkojuni atyre për të përjetuar në përvojë unike.
13.Harku i Triumfit dhe Champs Elysées.
Në fund, përshëndetja më e mirë që mund t’i bëhet Parisit është nga Champs Elysées, ku çdo 31 dhjetor, pariesienët dhe turistët mblidhen për të pritur vitin e ri. A ka ndonjë gjë më të mirë për të bërë se të nisni 2019-n nga qyteti më i bukur në botë?