Sami Hoxha për më shumë se 20 vite merret me prodhimin e mobilieve me porosi. Ecuria e këtij sektori në Shqipëri, vazhdimisht ka qenë në rritje, mirëpo sipas zotit Hoxha, në tre vitet e fundit aktiviteti i tij ka qenë stabël. Ai argumentoi për “Monitor” se shkak është bërë shtimi i konkurrencës dhe rritja e importeve nga jashtë.
Sipas zotit Hoxha, mobiliet e importuara kanë kryesisht treg të individëve me të ardhura të larta. Sipas të dhënave nga Dogana, importet e mobilieve u rritën me 1.5 herë nga viti 2013 në 2017-n. Në vlerë, mobiliet e importuara ishin 7.4 miliardë lekë.
Ndërsa krahasuar me një vit më parë, importet e mobilieve panë një rritje prej 10%.
Sipas aktorëve të tregut, kjo rritje është nxitur kryesisht për shkak të rritjes së ndërtimeve. Si mallra plotësuese, rritja e shitjeve e apartamenteve ndikon edhe në rritjen e kërkesës për mobilimin e tyre.
Arredimi i zyrave dhe lokaleve, në përgjithësi, sipas aktorëve në treg mbështetet në bizneset vendase të prodhimit të mobilierive, duke qenë se punimi i përshtatet kërkesës së klientëve, ndërsa mobiliet e importuara vijnë sipas një modeli standard.
Sektori nxitet edhe prej turizmit
Zoti Hoxha tregoi se një pjesë e fluksit të punës kohët e fundit është mbështetur prej kërkesave nga sektori i turizmit. Për shkak të numrit gjithnjë e në rritje të turistëve që vijnë në Shqipëri, hotelet kanë parë të nevojshme që të shtojnë njësitë akomoduese. Hoxha shtoi për “Monitor” se kërkesa ka qenë më e lartë në Durrës, por edhe juglindje të Shqipërisë, në Korçë dhe Pogradec. Shtimi i njësive akomoduese është bërë kryesisht nga prodhuesit vendas, duke qenë se ka volume të mëdha pune dhe kërkesa specifike në varësi të projektit.
Pengesa: Konkurrenca e pandershme
Duke qenë se individët me të ardhura të larta blejnë mobiliet e importit, prodhuesit vendas janë të fokusuar kryesisht tek individët me të ardhura mesatare dhe nënmesatare. Për shkak të target grupit mjaft të ndjeshëm ndaj çmimeve, ata thonë se kryesisht janë të detyruar që të operojnë me çmime të ulëta për shkak të konkurrencës, gjë që ndikon edhe tek fitimet. Më problematike se konkurrenca, shprehen prodhuesit, është konkurrenca e pandershme. Individë të cilët punojnë të palicencuar, nuk paguajnë taksa, dhe mbajnë çmime më të ulëta se pjesa e tregut.
Sami Hoxha tregon se vetëm në zonën ku ai ka punishten, operojnë 3 ndërmarrje të tjera të palicencuara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.