Valencia është një nga destinacionet më dinamike të Europës. Qyteti bregdetar në jug të Spanjës është një ndërthurje e antikes me modernen, e plazheve, kulturës, gastronomisë dhe traditave.
Ndër të tjera, klima e saj e mrekullueshme është një arsye që duhet ta merrni në konsideratë për gjithë vitin.
Më poshtë janë disa arsye pse duhet ta vizitoni Valencian në vitin 2018.
1.Përvjetori i Qytetit të Arteve dhe Shkencave
I projektuar nga arkitekti, Santiago Calatrava (nga Valencia) dhe i përuruar në vitin 1998, Ciutat de les Arts i les Ciències, në Valencia, mbush 20 vjeç, edhe pse nuk e tregon. Është një shembull mbresëlënës i arkitekturës moderne.
I konceptuar si një qytet brenda qytetit dhe i ndërtuar përgjatë rrjedhës së vjetër të lumit, ai përbëhet nga një hapësirë e madhe e hapur dhe nga zona të ndryshme argëtimi.
Ndërtesat e tij futuristike përfshijnë Muzeun e Shkencave me formën e një skeleti balene; Palau de les Arts Reina Sofia – Opera House; Hemisfèric, në formën e syrit të një njeriu, në ambientet e të cilit është një kinema 3D; Umbracle, një kopsht i madh me bimë mesdhetare dhe elemente design; dhe Oceanografic, akuariumi më i madh në Europë. Gjatë gjithë vitit 2018 janë parashikuar të mbahen aktivitete me rastin e përvjetorit të tij.
2.Las Fallas, një festë e trashëgimisë UNESCO
Festivali i famshëm Festival de Las Fallas në vitin 2018 do të jetë edhe më i veçantë, falë njohjes si Trashëgimi Kulturore jomateriale e Njerëzimit nga UNESCO. Nga data 15 deri më 19 mars, të gjitha rrugët dhe sheshet e Valencias mbushen me skulptura gjigante prej letre, me muzikë, shfaqje piroteknike dhe një festë e madhe. Fallas do të digjen mesnatën e 19 marsit pas dy ditëve të pasura me koncerte, spektakle folkloristike, fishekzjarrë, karnavale dhe aktivitete të tjera.
3.Ekspozita e re e Mirò
Në vitin 2018 shënohet 125-vjetori i lindjes së artistit Joan Mirò. Valencia do ta përkujtojë artistin me një ekspozitë në Institutin Valencian të Artit Modern. Në këtë ekspozitë do të shfaqen 100 vepra të Mirò nga 15 muze dhe institute. Ekspozita “Mirò, Orden y desorden” është çelur më 15 shkurt dhe do të qëndrojë e hapur deri më 17 qershor. Ky është një rast unik për të gjithë artdashësit.
4.Valencia, qyteti i gastronomisë
Nga Qyteti i Arteve dhe Shkencave tek Mercado Central antike, duke kaluar tek Plaza de la Reina janë disa vende të cilat ju këshillojmë për t’i provuar. Të gjithë të pasionuarit e kuzhinës dhe për ata që duan të njohin autenticitetin e gastronomisë vendase këshillojmë Valencia Culinary Meeting.
Një tjetër ngjarje kulinare për të mos u humbur është Cuina Oberta: ju mund të shijoni menutë e më shumë se 60 restoranteve më të mira të qytetit, përfshirë ata me yje, me çmime speciale. Mos lini pa provuar Paella valenciane, me bazë mishi dhe jo peshku siç besojnë shumë.
5.Valencia, destinacioni më i mirë për familjet
Valencia është qyteti më i mirë europian për t’u vizituar me fëmijët sipas Observatorit Bimboinviaggio.com. Fëmijët do të zgjedhin mes shumë aktiviteteve dhe vendeve për t’u parë. Mund të veshin përparëse të bardha dhe të provojnë me duart e tyre shumë eksperimente shkencore apo të ndërtojnë shtëpi me lojën “gru” në Muzeun e Shkencave Princi Felipe, pjesë e Qytetit të Arteve dhe Shkencave, por edhe të bëjnë joga në ajër të pastër dhe të humbasin mes pasqyrave dhe figurave me forma të çuditshme, apo dhe të argëtohen si liliputë në një Guliver 70 metra të lartë në Kopshtet Turia. Por e gjithë familja mund të bëjë një shëtitje në një savanë të vërtetë afrikane në Bioparc apo të shikojë peshkaqenët në
Oceanografic.
6.Qyteti më i mirë për të vrapuar
I gjithë qyteti është një rrugë unike dhe fantastike ku mund të vraponi në ajër të pastër, mes thesareve arkitekturore dhe kulturore falë klimës së butë gjatë gjithë vitit. Prej vitesh, në Valencia zhvillohen maratonat më të bukura në botë. Finishi dhe starti i Maratonës së Valencias janë unike pasi zhvillohet në Qytetin e Arteve dhe Shkencave. Maratona nis nga një urë që dhuron një peizazh të paharrueshëm, ndërsa në finish ju “do të vraponi mbi ujëra” mbi një platformë më shumë se 150 metra e gjatë dhe 8 metra e gjerë (24 mars 2018). Më pas do të zhvillohet edhe kampionati botëror i gjysmë maratonës, në të cilën mund të marrin pjesë jo vetëm atletë ekspertë, por edhe të gjithë ata që duan ta provojnë këtë përvojë.
7.Hapja e hoteleve të reja
Valencia ka shumë për t’u ofruar falë edhe një oferte të larmishme hotelesh për të gjithë xhepat. Në vitin 2018 janë parashikuar të hapen hotele të reja si për shembull hoteli luksoz me pesë yje Hotel Marquès House, me 32 suita dhe një rooftop pool, me pamje panoramike të qytetit. Hoteli do të jetë edhe shtëpia e re kafesë historik, Cafè di Madrid, ku në vitin 1959 lindi kokteji i famshëm Agua de Valencia.
Mbetemi tek mirëpritja luksoze, ku është parashikuar hapja e një hoteli tjetër me 5 yje me 41 dhoma në Plaza Manises 7, pranë Palacio de la Generalitat; dhe gjatë verës një tjetër hotel me 5 yje me 50 dhoma përgjatë shëtitores pranë bregdetit Paseo Neptono. Këtyre u shtohet edhe një hotel i ri i NH Collection, nga tarraca e të cilit mund të shijoni nga lart qytetin.
8.Restoranti me një yll Michelin në muze
Bombas Gens, një fabrikë antike industriale, në periferi të qytetit, e përuruar në verë të vitit 2017 si një qendër e re kulturore dhe artistike, mirëpret ekspozita, takime kulturore, ëorkshope dhe aktivitete socio-kulturore. Në shkurt 2018 kjo qendër u pasurua me dy hapësira të reja të marra nga ristrukturimi i një kantine antike dhe një strehë antiajrore. Në qendrën e artit modern ndodhet edhe restoranti i shefit Ricard Camarena , i cili ka fituar një yll Michelin.