Cilat janë inovacionet dhe teknologjitë që më shumë se të gjitha në 2019 kanë potencialin të transformojnë botën në dekadën e ardhshme?
Kjo është pyetja, së cilës janë përpjekur t’i japin përgjigje analistët e Lux Research, në një raport që, falë analizave të brendshme dhe të thelluara nga ekspertët, evidenton 19 teknologjitë që po ndryshojnë botën, të klasifikuara dhe vlerësuara në bazë të rëndësisë së tyre.
“Ne e nisëm me të dhënat nga platforma jonë e analizës së avancuar, Lux Intelligence Engine” – shpjegoi Michael Holman, zëvendëspresident i Intelligence në Lux Research. “Grupi ynë i analistëve evidentoi teknologjitë që, ndonëse kanë rezultate në përputhje me nivele të larta inovacioni, mund të përballen ende me pengesa në pranimin e tyre, si dhe identifikoi teknologjitë që, edhe pse kanë rezultate më pak të bujshme, u përgjigjen nevojave të tregut, janë të rëndësishme dhe do të kenë ndikim të madh”.
5 teknologjitë e para në klasifikim janë:
-Machine Learning dhe Inteligjenca Artificiale, me më shumë se 10.000 patenta të Inteligjencës Artificiale të prezantuara në vitin e fundit.
–Pajisje wearable.
–Printimet 3D, sektor ku patentat e depozituara janë rritur me 60% nga viti 2014.
-Modifikimi i gjenomit, ku aktiviteti është rritur 7 herë më shumë krahasuar me 5 vjet më parë.
–Realiteti i shtuar (AR) dhe realiteti virtual (VR) që çdo vit tërheqin rreth 2 miliardë financime.
Mes 19 teknologjive, ka edhe nga ato që cilësohen si “të reja” ose ndryshe që nuk janë përfshirë në të njëjtin studim të kryer vitin e kaluar dhe që ia vlen të ndiqen për 12 muajt e ardhshëm.
-Teknologjia e karikimit të shpejtë të baterisë (#6). Një nga teknologjitë e shumta në këtë listë lidhet me energjinë e pastër, e konsideruar një faktor kyç për rritjen e tregut të makinave elektrike.
–Materiale në grafite dhe 2D (#9). Kjo do të lejojë përmirësimin e teknologjive të tjera, si ajo e bojërave për stampim, të materialeve të përbëra të përmirësuara dhe të elektrodave në qelizat djegëse, të baterive me jone litiumi dhe të superkondesatorëve.
-Dronët (#10) po luajnë një rol në rritje në ekonomi, në fusha që shkojnë nga kontrolli i sigurisë te hartat ajrore. Të tjera aplikacione të së ardhmes përfshijnë identifikimin e sëmundjeve te bimët, mirëmbajtjen e tubacioneve të naftës nën det dhe monitorimin e mjedisit.
-Mjekësia me precizion (#12), me medikamente që synojnë probleme specifike e të personalizuara për individët.
-Teknologjia diellore me përdorimin e “perovskite” (#15), që ka potencialin për t’i bërë panelet diellore më eficiente, ka mbetur në laboratorë për shumë vite, por analistët e Lux mendojnë se do të kenë ndikim të madh në vitin 2019.
-Përpunimi i gjuhës natyrale (#16) është një degë e Inteligjencës Artificiale që ndihmon kompjuterët të kuptojnë, të interpretojnë dhe të manipulojnë gjuhën njerëzore. Ai i jep mundësi, për shembull Siri, Alexa dhe asistentëve të tjerë virtualë, të komunikojnë me ne dhe do të lehtësojë ndërveprimin me kompjuterin.
-Dizajni gjenerues (#17) përdor edhe Inteligjencën Artificiale “për të imituar qasjen evolutive të natyrës në dizajn”, duke marrë në konsideratë të gjithë opsionet e mundshme në projektimin e një produkti, brenda parametrave specifikë.
-Transporti i miljes së fundit (#18). Debati se çfarë forme do të ketë “milja e fundit” në botën e dërgesave është ende i hapur (zgjedhjet përfshijnë biçikletat, motorët e vegjël, scooter, të gjitha mjete elektrike).
-Blockchain (#19) mund të lehtësojë transaksionet financiare, kontratat smart etj.
Në fund, Lux analizoi edhe se cilat kompani janë lider në inovacionin në këto teknologji, duke zbuluar se cilët janë “fituesit e përqendruar” si Google, Siemens, Qualcomm e Intel, që kanë një vizion të fortë te fokusimi tek inovacionet duhura.
“Kolosët konservatorë” si Toyota, Panasonic, LG Electronics e Huawei kanë një tjetër vizion, duke u fokusuar tek inovacione që lidhen me aktivitetet e tyre kryesore. Vetëm dy kompani, Samsung Electronics e IBM, po sjellin inovacion në të gjithë 19 teknologjitë e përmendura më sipër.
Burimi: Forbes