Në raport me 2007-n, vitin më të mirë, prurjet e emigrantëve në Shqipëri janë përgjysmuar. Vetëm për tremujorin e tretë, rënia është 40% me bazë vjetore, duke thelluar ndjeshëm ritmet e tkurrjes…
Në tremujorin e tretë të këtij viti, kohë kur tradicionalisht shqiptarët që punojnë e jetojnë jashtë sjellin më shumë para në shtëpi, ata kanë dërguar drejt të afërmëve të tyre 119 milionë lekë, një shumë që është 40% më e ulët në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat bëhen të ditura nga bilanci i pagesave për tremujorin e tretë të Bankës së Shqipërisë.
Për nëntë muajt e 2013-s, të ardhurat që emigrantët dërgojnë në familjet e tyre në Shqipëri ishin në nivelet më të ulëta historike, në 345 milionë euro, me një tkurrje prej 32% me bazë vjetore, duke reflektuar si tendencën ciklike, ashtu dhe krizën që po kalojnë Greqia dhe Italia, shtetet ku ndodhet pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë.
Trendi rënës i remitancave pritej për shkak të lëvizjeve ciklike (pas 20 vitesh emigrantët fillojnë e shkëpusin lidhjet nga vendi mëmë), megjithatë ai është përshpejtuar për shkak të krizës që po përjetojnë Greqia dhe Italia, që kanë lënë mijëra shqiptarë të papunë.
Remitancat e emigrantëve përdoren kryesisht për financimin e konsumit në vend. Tkurrja e tyre u ndie dhe në verën e këtij viti, teksa monedha vendase nuk fitoi pikë ndaj euros, siç ndodhte rëndom në këtë periudhë, kur një pjesë e emigrantëve vinin për pushimë në vendin mëmë.
Janë rreth 300 milionë euro në vit, që pas krizës që nisi në 2008-n, që po i mungojnë ekonomisë shqiptare, vetëm si rrjedhojë e reduktimit të transfertave të emigrantëve në vend, duke bërë dhe më të prekshme pasojat e ngadalësimit ekonomik të vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.