Kompania me bazë në Amerikë, e cila mundëson një platformë online për njerëzit që kërkojnë të marrin me qira dhoma, ka paguar më pak se 100 mijë euro taksa vitin e kaluar në Francë, pavarësisht se ka më shumë se 10 milionë përdorues në atë vend.
Por në një deklaratë për shtypin, zëdhënësit e Airbnb thanë se është ndryshe nga kompanitë e tjera që marrin shuma të mëdha parash nga vendet ku operojnë.
Ata thanë se modeli i kompanisë është i veçantë, pasi paratë mbeten në duart e vendasve të cilët japin me qira shtëpitë e tyre dhe nuk shkojnë “në xhepat” e Airbnb-së.
Në deklaratë thuhet më tej se “ekonomia franceze, vetëm vitin e kaluar, prej aktivitetit të tyre u shtua me 6.5 miliardë euro. Ne fuqizojmë njerëzit e zakonshëm, nxisim komunitetin vendas dhe jemi subjekt i taksave lokale”.
Deklarata vijon: Ne i zbatojmë të gjitha rregullat dhe i paguajmë të gjitha taksat që i detyrohemi vendit ku operojmë. Zyra jonë në Francë ofron shërbime marketingu dhe paguan të gjitha taksat e aplikueshme, përfshirë dhe TVSH-në.
Kjo deklaratë erdhi pas komenteve që bëri Bruno Le Maire, ministri i Financave të Francës, se taksat e ulëta të Airbnb-së ishin të papranueshme.
Është në të drejtën e Airbnb-së që të operojë në Francë, por gjithashtu është edhe detyra e Airbnb-së, sikurse edhe të gjitha platformave të tjera online që të kontribuojnë në mënyrë të drejtë në thesarin publik francez.
Pierre Moscovici, komisioneri i BE-së për financat, tha një ditë më parë se shifra e taksave të Airbnb-së ishte shokuese.
Platformat dixhitale gjenerojnë dhjetëra milionë shitje dhe Thesarit të Francës i shkojnë vetëm dhjetëra mijë, tha Le Maire.
Fusha ku po luan BE
Komisioni po kërkon që të vërë rregullat e lojës për taksimin e korporatave në Europë, mirëpo kjo çështje është pak më e ndërlikuar se kaq, pasi politika e taksave është përcaktuar nga shtetet anëtare në mënyrë unanime.
Airbnb është akuzuar më herët nga qeveritë lokale të qyteteve spanjolle, Barcelonë dhe San Sebastian, si dhe nga ishujt e Majorkës dhe Ibizës, se ka shkatërruar tregun e dhënies së shtëpive me qira.
Kompania lëshoi me qira për herë të parë në 2008-n dhe krijoi fitimet vetëm në gjysmën e dytë të vitit të shkuar, sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve Bloomberg.
Ajo merr një komision 6 deri në 12 për qind nga pagesat e qiramarrësve dhe një tarifë të vogël prej qiradhënësve.
Airbnb ka më shumë se 3 milionë prona në dispozicion për t’i lëshuar me qira në mbi 190 shtete. Firma, në pronësi private, nuk i publikon rezultatet financiare, por thuhet se vlen më shumë se 25 miliardë euro.