Ristilizimi i mesit të karrierës për Audi A6: përditësime të vogla të linjës, motorë të rinovuar dhe pajime multimediale më të sofistikuara
Nuk ka ndryshuar, aspak. Modeli A6 thjeshtë është përditësuar: më shumë në thelb sesa në formë, sepse nga pikëpamja estetike dallimet janë minimale dhe të përqendruara tek teknologjia LED në fenerët e parë dhe grupet optike të pasme. E re është edhe grila “single frame” me konture më të gjera, por për ta vënë re nevojitet një sy i vërtetë fajkoi. Brenda kofanos, ndërkohë, motorët janë përmirësuar: një shprehje që në këto kohë nënkupton, një fuqi më të lartë dhe mbi të gjitha, një konsum më të ulët. Një rezultat tek i cili ndikon puna e realizuar për reduktimin e peshës, qëkulmon me një detaj që deri tani është rezervuar vetëm për versionin 2.0 TDI Avant Ultra me 190 kf: po flasim për sustat helikoidale të suspensioneve, që tradicionalisht realizohen me çelik, ndërsa këtu janë të realizuara me fibra qelqi. Një zgjidhje e re, që mundëson një kursim në peshë prej 4.4 kg. E papërfillshme, sigurisht, por një kursim i madh në peshë, vjen pikërisht si shumë e disa kursimeve të vogla. Në aspektin praktik, nuk vihet re as dallimi më i vogël në krahasim me zgjidhjen klasike të sustave prej çeliku.
Në rrugë A6 e re shpalos po ato aftësitë rrugore të mahnitshme, që gjithmonë e kanë dalluar. Në brendësi, ndryshimet më të rëndësishme kanë të bëjnë me pajimet multimediale: sistemi i rinovuar i infotainment, në mënyrë të njëjtë me atë të parë kohët e fundit tek modeli i ri TT (Audi virtual cockpit), parashikon një monitor të gjerë në mesin e kuadrit të instrumenteve, ku tashmë është e mundur të rrëshqitet harta e sistemit të navigimit. Një mënyrë për të pasur para syve atë që duhet dhe për të reduktuar në maksimum shpërqendrimet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.