Vera është periudhë e favorshme për të gjetur punë – dhe jo vetëm për vrojtuesit në plazh apo praktikantët e verës! Është mit që kompanitë punësojnë më pak gjatë verës, prandaj nuk keni fare arsye pse t’i reshtni përpjekjet për kërkim pune në këtë periudhë.
Gjithsesi, është e vërtetë që gjetja e një pune gjatë verës ka sfidat e veta dhe nëse i shpërfillni ato, mund të humbni durimin dhe ta sabotoni kërkimin. Ja shtatë avantazhet dhe dizavantazhet e kërkimit për punë gjatë verës:
Avantazhi – Ka më pak konkurrencë
Le ta besojnë kërkuesit e tjerë për punë që punësimi ndalon gjatë verës. Kjo bën që ju të keni më pak konkurrencë. Teksa të tjerët ndalojnë përpjekjet sepse hamendësojnë se njerëzit janë me pushime, ju vazhdoni kërkimet, me këmbënguljen.
Dizavantazhi – Procesi ngadalësohet
Punësimi nuk ndal, por ngadalësohet. Njerëzit shkojnë për pushime, që do të thotë se është më e vështirë të caktosh një orar për intervista. Hapësira kohore midis intervistave mund të zgjasë mbi një javë në muajt të verës. Në këtë kohë të lirë, vazhdoni me kërkimin për punë.
Avantazhi – Njerëzit janë në humor të mirë
Në verë është më e lehtë që të mbani kontakt midis intervistave sepse njerëzit janë në humor më të mirë gjatë këtyre muajve. Në përgjithësi, puna është më e ngadaltë. Njerëzit janë në pritje të pushimeve ose e kanë ende mendjen tek pushimet që kanë kaluar. Prindërit që punojnë nuk janë më të ngarkuar nga barra e veprimtarive shkollore dhe fëmijët e tyre mund të ndodhen larg shtëpisë për kamping. Përfitoni nga këto ditë të gjata e të ngadalta vere!
Dizavantazh – Njerëzit nuk i marrin gjërat me nxitim
Ritmi i ulët i punës gjatë verës ka edhe anët e veta negative. Kështu ju mund të përballeni me situata kut punëdhënësit e marrin me nge dhe vonohen për të marrë vendime punësimi. Ju takon juve që ta bëni punën më urgjente dhe t’i nxisni punëdhënësit tuaj të mundshëm që të marrin një vendim të shpejtë. Bëjuni të ditur se kur keni kërkuar punë dhe sidomos kur keni oferta të tjera. Nëse nuk e përshpejtoni kërkimin e punës, njerëzit do të ecin me ritmin e ulët të verës.
Avantazh – Keni më shumë mundësi punësimi
Ndryshe nga dimri, kur mundësitë e punësimit janë të kufizuara në mjedise të brendshme, vera ju ofron një hapësirë më të gjerë mundësish. Shfrytëzojini këto ditë të gjata për të propozuar një takim pas pune. (Jashtë është ende ditë!).
Dizavantazh – Veshja për punë bëhet më e ndërlikuar
Të përpiqesh të vishesh denjësisht për një takim pune në verë, është si të ecësh në një fushë të minuar. Sigurohuni që të mos vishni asgjë që të jetë shumë e shkurtër apo e zbuluar.
Avantazh – “Stazhet” e verës nuk janë vetëm për studentët
Punët e përkohshme nuk janë vetëm për studentët. Kompanitë kanë mungesë punonjësish në verë, kështu që vera është koha ideale për të nisur një punë të përkohshme dhe kjo e fundit mund t’ju sigurojë në një punë me kohë të plotë.
*Caroline Ceniza-Levine
Burimi: Forbes