Ndërsa depozitat në total janë rritur me 2% në fund të shtatorit 2014, në krahasim me fundin e 2013-s, panorama brenda sistemit paraqitet mjaft e ndryshme, me disa banka, që kanë arritur të mbledhin kursimet e individëve e bizneseve, e disa të tjera që i kanë “lëshuar ato”.
Sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, BKT ka arritur të rrisë e ritme më të larta këtë tregues në vlerë absolute. Stoku i depozitave të BKT-së arriti në 236 miliardë lekë në shtator 2014, me një zgjerim prej rreth 17 miliardë lekë, apo rreth 7% në raport me fundin e 2013-s. Për herë të parë BKT ka kaluar si “roja” kryesore e kursimeve në vnd, duke ia kaluar Raiffeisen. Kjo e fundit ka parë një tkurrje të depoztave, për të tretin vit radhazi, si reflektim i strategjisë së saj për uljen e madhësisë së bilancit në vend. Raiffeisen ofron norma tepër të ulëta të interesit të depozitave (nën 1% për 12 mujoret), duke i orientuar kursimtarët tek fondi i investimeve Raiffesen Invest (depozitat e Raiffeisen ranë me 15 miliardë lekë për 9 mujorin).
Banka e dytë që ka arritur të rrisë më shumë kursimet për 9 muajt e parë të vitit është Credins, që i ka rritur depozitat me 10.4 miliardë lekë, apo 11.3%, në raport me dhjetorin 2013. Ndryshe nga BKT, që paratë e lira i ka investuar në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, Credins i ka orientuar në kredidhënien për ekonominë.
E treta, që ka fituar më shumë dpozita është Intesa Sam Paolo, e ndjekur nga Societe Generale, Veneto dhe Union Bank.
Bankat e tjera kanë parë një rritje të lehtë të kursimeve, apo rënie të tyre.
Sipas statstikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të shtatorit arriti në 959.4 miliardë lekë, duke u tkurrur me 2.9 miliardë lekë, apo 0.3%, në raport me muajin e mëparshëm.
Kjo tendencë negative erdhi nga rënia e kursimeve, si në lekë ashtu dhe në valutë. Si për lekun ashtu dhe valutën, kjo është tkurrja e parë në që nga shkurti 2014.
Me bazë vjetore (shtator 2014/shtator 2013), depozitat në total janë shtuar vetëm me 0.35%, ritmet më të ulëta të rritjes vitet e fundit, që nga 2009-a, kur sistemi u përball me një valë tërheqjeje depozitash, si rrjedhojë e panikut të krijuar në atë kohë nga kriza financiare globale.