Bankat po tregohen gjithnjë e më shumë entuziaste rreth potencialit që ka Inteligjenca Artificiale në financë, me shpresën se IA mund të reduktojë kostot, si dhe do të rrisë të ardhurat.
Inteligjenca Artificiale ka bërë një progres të madh vitet e fundit dhe kompanitë e shërbimeve financiare po shikojnë për mundësinë e aplikimit të saj në investimet bankare dhe ato të retail.
“Bazuar në sondazhin tonë UBS Evidence Lab, në 86 banka, një skenar optimal me shpërndarje të kufizuar, Inteligjenca Artificiale mund të çojë në një rritje të të ardhurave me 3.4% dhe me normë kursimi në 3.9% në tre vitet e ardhshme”, shkruan Philip Finch, një analist i UBS-së, në një artikull të titulluar “Is AI the next revolution in retail banking?” (A është Inteligjenca Artificiale revolucioni i ardhshëm në retail-in bankar?).
“Mendoj se e ardhmja e shërbimeve financiare është Inteligjenca Artificiale”, – tha Barnaby Hussey-Yeo për “Business Insider”. Hussey-Yeo është CEO dhe themelues i Cleo, një aplikacion “chatbot” që përdor Inteligjencën Artificiale për t’u dhënë njerëzve këshillat se si të përmirësojnë financat e tyre.
“Në thelb, ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë është të ndërtojmë një Inteligjencë Artificiale që është pranë njeriut në mënyrën se si ndërvepron me financat tuaja. Kompania Cleo duhet të punojë gjithnjë në interesin tuaj për t’ju ndihmuar të zgjidhni rrugën më të mirë të veprimit”, – thotë Hyssey-Yeo.
“Në të ardhmen, ju nuk do të duhet të mendoni kaq shumë dhe të shqetësoheni për paratë sa sot. Ju mund t’i thjeshtoni të gjitha shërbimet financiare”.
Inteligjenca Artificiale mori një fokus të veçantë në vitin 2017, falë suksesit publik si DeepMind i Google i cili mundi kampionin e botës të Go, Ke Jie (lojë që luhet në tavolinë), por edhe nga paralajmërimet nga personalitete, si: Stephen Hawking, se zbulimet e mëdha në këtë fushë, potencialisht të rrezikshme, janë të pashmangshme.
UBS ka theksuar në një publikim të fundit se, që nga viti 2010 janë investuar 11 miliardë dollarë në fushën e Inteligjencës Artificiale. Kjo shifër mund të rritet më shumë se 47 miliardë dollarë brenda vitit 2020. Progresi në fusha si Machine Learning dhe zhvillimi i gjuhës natyrale kanë rëndësi të veçantë në fushën e financave, duke u dhënë mundësinë algoritmeve të investimeve të përmirësohen, si dhe të rrisin shpërndarjen e shërbimeve te klientët. Në një afat të shkurtër, Inteligjenca Artificiale do të trajtojë çështje edhe më komplekse për njerëzit.
UBS, e cila nënvizon potencialin e saj, ka krijuar tashmë një të ashtuquajtur “roboadvisor” (këshilltar robot) – një instrument dixhital që përdor “Machine Learning” për të ofruar konsulencë në investime të automatizuara, në bazë të rrethanave financiare të njerëzve. Aplikacione të tjera përfshijnë shërbimin e klientit chatbots, raportimin e automatizuar, vlerësimin më të mirë të rrezikut dhe instrumente për të ndihmuar bankierët sell–side që të jenë më të zgjuar në targetimet e tyre.
Banka holandeze ING kohët e fundit po përdor një instrument të quajtur Katana, që përdor “analizën parashikuese për të ndihmuar tregjet që të vendosin çmimin, kur një klient kërkon të blejë apo të shesë një aksion”.
Santiago Braje, drejtues i Credit Trading në ING Wholesale Bank, tha në një deklaratë: “Me Katana, Inteligjenca Artificiale aplikohet për të përmirësuar aftësitë vendimmarrëse të tregtarëve, duke u dhënë mundësinë të zhvillojnë intuitën e tyre dhe ekspertizën në mënyrë sa më efikase. Ky është një kombinim i fuqishëm”.
Kompania londineze startup AiX po eksploron të njëjtën fushë të Katana. Ajo ka në plan të ndërtojë një broker “Chatbot” që do të zëvendësonte agjentët tradicionalë, si Tullet Prebon, që tregtarët e thërrasin aktualisht për të ditur çmimet në treg.
“Gjithçka që AiX po bën është marrja e reagimeve nga njerëzit që duan të bëjnë tregti dhe nga pjesëmarrësit nga tregu financiar, për të rritur fitimet si dhe për ta bërë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë Steve Compton.
Compton u largua pas 26 vjet karrierë në bankën e investimeve Citi për t’u bërë këshilltar dhe investitor në AiX. Compton mbikëqyrte ekipet e tregtarëve dhe thotë se ideja e AiX pati ndikim të menjëhershëm tek ai. Compton vlerëson se ky instrument mund të reduktojë me 50% tarifat e brokerimit ose deri në 95% të aseteve jolikuide.
“Është një sfidë për të gjithë organizatat që të dinë me saktësi se si u zhvilluan negociatat dhe çfarë kuptimi kishin ato”, – thotë Compton. “Cilat janë faktet, treguesit, çfarë është sarkazma dhe çfarë janë negociatat”. “Me AiX ju do të kuptoni jo vetëm se çfarë ndodhi, por do të kuptoni edhe pse ndodhi”. CEO dhe themeluesi Jos Evans, një ish-tregtar mallrash, tha se ai është në negociata me banka investimesh dhe reagimet deri më tani kanë qenë pozitive.
“Edhe operatorët janë vërtet entuziastë”, shtoi ai, duke shpjeguar se ka shumë “mosmarrëveshje dhe zhgënjim” në procesin aktual. Ata nuk mund të presin pesë minuta për një broker, vetëm për të ditur radhën e tyre në disa raste”, – thotë Evans.
“Me Inteligjencën Artificiale, duhet së pari që të dhënat të jenë në rregull. “Po, jemi duke menduar për elemente shtesë, por është si të ndërtosh një shtëpi, së pari duhet të hedhësh themelet dhe pastaj ta ndërtosh atë”.
Burimi: Business Insider