Kriza ekonomike nuk i ka frenuar shqiptarët që të lëvizin dhe të shpenzojnë jashtë vendit në muajt e parë të këtij viti, ndryshe nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, kur ata preferuan të qëndrojnë më shumë në atdhe. E kundërta ka qenë tendenca e të huajve që vijnë në Shqipëri, të cilët e kanë rudhur dorën dhe kanë shpenzuar më pak para në vendin e shqiponjave.
Sipas të dhënave të bilancit të llogarisë korente të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e shqiptarëve për udhëtimet jashtë ishin 206 milionë euro, me një rritje prej 14% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në të kundërt, shpenzimet e të huajve në Shqipëri zbritën në 171 milionë euro, me një rënie prej gati 8% në krahasim me tre muajt e parë të vitit 2012.
Turizmi, është një ndër sektorët që konsiderohet si me më shumë potencial në zhvillimin e vendit, si një burim i rëndësishëm i hyrjes së valutës në vend.
Megjithatë, ky sektor në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit nuk po arrin të prodhojë të ardhura të qëndrueshme, teksa paratë që të huajt shpenzojnë janë pothuajse të njëjta me ato që shqiptarët harxhojnë jashtë. Madje në tremujorin e parë të këtij viti, bilanci është kthyer sërish në negativ, në rreth minus 35 milionë euro (diferenca mes parave të shpenzuara në vend dhe atyre që kanë dalë jashtë.)
Për një vend që e konsideron turizmin një prej industrive kryesore për thithjen e valutës në vend, (duke pasur parasysh se vendi është ndër të parët në Europë për biodiversitetin për sipërfaqe), rezultatet e deritanishme janë të dobëta dhe tregojnë për një zhvillim të paqëndrueshëm të këtij sektori.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.