Flet Vasilika Vjero, drejtore e përgjithshme e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit
Një biznes në Shqipëri do të mund të regjistrohet edhe vetëm me një “klik”, por kjo do të bëhet e mundur duke filluar nga viti 2015. Më shumë se 70% e sipërmarrjeve të anketuara janë shprehur të gatshme për të përdorur këtë platformë. Mësohet se ky proces do të mundësohet nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania dhe përdorimit të mjeteve të sigurta të identifikimit. Në një intervistë për “Monitor”, drejtoresha e përgjithshme e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Vasilika Vjero, thotë se kjo është pjesë e reformës që po ndërmerret për përmirësimin e klimës së të bërit biznes, si dhe për uljen e burokracive. Ajo ka dhënë shifra pozitive sa i përket ecurisë së regjistrimit të bizneseve fillestare. Për periudhën janar–gusht 2014, ritmi i rritjes ka qenë i lartë, duke shënuar një pikë kthese krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Intervista
Cila ka qenë ecuria e QKR-së gjatë periudhës janar-shtator 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë (regjistrime, çregjistrime, ndryshime)?
Ashtu siç edhe ishte deklaruar nga qeveria shqiptare, viti 2014 parashikohet të shënojë rritje të ekonomisë, e shprehur kjo në treguesit e parashikuar të rritjes reale të ekonomisë me 2.1%, tashmë e deklaruar dhe nga misioni i FMN-së, gjithashtu referuar të dhënave të fundit të këtyre ditëve, agjencia e klasifikimit “Standard & Poor’s” ka vlerësuar ekonominë shqiptare nga B në B+.
Nëse kthehemi te të dhënat mbi regjistrimin e bizneseve vëmë re se vijojmë të kemi tendencë pozitive nga ana e sipërmarrjes për t’i dhënë jetë një aktiviteti, çka nënkupton se numri i bizneseve të reja të hapura gjatë vitit 2014 ka ardhur në rritje.
Të dhënat tona paraprake për 8-mujorin 2014 tregojnë se regjistrimet e reja janë rritur me 94.55%. E përkthyer në numra janë rreth 6,000 biznese më shumë të regjistruara rishtazi krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013. Si 8-mujor rezulton se janë regjistruar rreth 12,299 biznese, ku vetëm për vitin 2013, shifra totale e regjistrimeve të reja nuk i kalonte 11,951 biznese.
Nga ana tjetër, vërehet se ka reduktim në masën 23% të bizneseve të çregjistruara krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013.
Si paraqitet kjo situatë nëse u referohemi qyteteve kryesore në vend, në cilat industri ka pasur më shumë regjistrime fillestare?
Të dhënat e mësipërme japin një panoramë në nivel kombëtar të zhvillimit të sipërmarrjes, por mendoj se ka rëndësi të theksojmë se kjo rritje është e shtrirë në të gjitha qarqet. Megjithatë, duke u ndalur më në veçanti, mund të them se rritjen më të madhe në numër të bizneseve të reja për këtë 8-mujor e gjejmë në Kukës (kujtojmë se Kukësi rezulton dhe si qarku më i varfër), Durrës në Shkodër dhe Lezhë.
Tipologjia e sipërmarrjes së regjistruar rezulton të jetë në fushën e hoteleri/restorante, ku peshën më të madhe e zë Durrësi, i ndjekur nga Shkodra, por edhe industria përpunuese, ajo e transportit dhe telekomunikacionit, si dhe shërbimet sociale.
Ju, për herë të parë, keni bërë të mundur që bilancet e subjekteve private të reflektohen edhe online, si ka rezultuar kjo përvojë?
Depozitimi i dokumenteve të bilancit kontabël dhe raporteve të auditit është një detyrim ligjor që rrjedh nga ligji nr. 9723/2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, VKM nr. 506/2007, sipas të cilit subjektet duhet të dorëzojnë pranë sporteleve të QKR-së bilancin vjetor kontabël dhe raportin e auditimit të mbajtur sipas dispozitave të legjislacionit për kontabilitetin (në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme) dhe pasqyrat financiare.
Në 6-mujorin e parë, falë përmirësimeve në infrastrukturën fizike dhe atë programuese, u bë depozitimi i bilanceve dhe publikimi i tyre i menjëhershëm në regjistrin elektronik të hapur për publikun. Krahas mënyrës klasike të depozitimit të bilanceve, për herë të parë pilotuam dhe dërgimin e tyre në format elektronik në adresën [email protected] e hapur për këtë qëllim. Nëpërmjet kësaj adrese u komunikua individualisht me çdo subjekt lidhur me aplikimin, pra u bë me dije aprovimi apo dhe refuzimi i dokumentacionit të dërguar.
Në përfundim, më shumë se 19,000 subjekte depozituan bilancet e tyre. Ajo çfarë përbën edhe risinë e këtij procesi është publikimi i tyre i menjëhershëm në regjistrin elektronik, ku çdo i interesuar ka mundësi të njihet me këtë informacion të munguar prej vitesh.
Në planin e masave të miratuara nga qeveria shqiptare në lidhje me përmirësimin e klimës së biznesit, vëmendje e veçantë i kushtohet edhe reformimit të QKR-së, çfarë po bëhet për krijimin e kushteve për regjistrimin online të bizneseve? Cilat janë investimet që ju planifikoni të ndërmerrni?
Qendra Kombëtare e Regjistrimit është institucioni i vetëm përgjegjës për regjistrimin e biznesit në Shqipëri që ka shtrirje në 33 zyra kombëtare dhe ku përpunohen mesatarisht 700 aplikime në ditë.
Sportel me një “ndalesë” (one stop shop), që mundëson regjistrimin e njëkohshëm të biznesit (organet tatimore në nivel kombëtar dhe vendor, në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe inspektoratin e punës). Në këtë këndvështrim, lehtësimi i procedurave dhe mënyrave të regjistrimit të biznesit vijon të mbetet një sfidë e vazhdueshme për ne.
Momentalisht, shërbimet e QKR-së ofrohen në sportelet e saj, por ne po përgatitemi për prezantimin dhe vënien në funksion të sportelit virtual në fillim të vitit 2015.
Ky sportel do të ofrojë shërbime për publikun në distancë, nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë me sistemin qendror të QKR-së. Ai do të mundësohet nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania dhe përdorimit të mjeteve të sigurta të identifikimit (karta e identitetit).
Nga ana tjetër, është rritur shumë ndjeshmëria e sipërmarrësve në drejtim të përdorimit të mjeteve të komunikimit elektronik, këtë gjë e dëshmon më së miri dhe një anketim i realizuar së fundmi nga QKR, ku rezulton se 72% e të anketuarve janë të gatshëm të përdorin platformën online.
Shërbimet online që ne parashikojmë të prezantojmë për publikun në fillim të vitit 2015 janë:
-Regjistrimi i biznesit dhe ndryshimet në të dhënat e regjistrimit
-Tërheqja e certifikatës dhe vërtetimeve të regjistrimit
-Tërheqja e ekstrakteve të regjistrimit
Aplikimi online do të mundësohet vetëm nëpërmjet përdorimit të portalit qeveritar e–Albania dhe mund të kryhet nga individët apo bizneset:
– Individi do të krijojë profilin e tij në portal, nëpërmjet hedhjes së të dhënave të kartës së identitetit (SSN) në e-Albania (të cilat automatikisht verifikohen në databazën e gjendjes civile). Me krijimin e profilit si individ, ai do të mund të përdorë shërbimet elektronike, siç mund të jetë regjistrimi për herë të parë si biznes.
– Krijimi i profilit të biznesit kalon në dy momente verifikimi.
Së pari, nëpërmjet kartës së identitetit, duke verifikuar të dhënat e individit në regjistrin e gjendjes civile.
Së dyti, në regjistrin e QKR-së, ku verifikohet ekzistenca e biznesit.
Çfarë avantazhesh do t’i ofrohen biznesit falë kësaj zgjidhjeje?
Regjistrimi online i biznesit sigurisht që përbën një projekt ambicioz për ne, ku duke marrë në konsideratë lehtësinë, kthehet në një sfidë për t’u arritur në kohën më të shkurtër të mundshme.
Avantazhet kryesore do të jenë:
-regjistrimi do të jetë pa pagesë apo kosto shtesë
-do të kryhet në vetëm 8 orë
-do të shoqërohet me ulje të numrit të vizitave me 30% në qendër dhe 10% në sportelet e rretheve.
Ajo çfarë ne dëshirojmë të arrijmë në përfundim të këtij procesi është forcimi i besimit reciprok të administratës dhe biznesit, duke garantuar aplikime të sigurta
-shërbime të shpejta, të pandërprera dhe pa kosto
-rritje të transparencës dhe ulje të korrupsionit.
Një tjetër reformë, por disi më e shtrirë në kohë, do të jetë edhe ajo e bashkimit të mundshëm të QKR-së me QKL-në për të siguruar regjistrim dhe licencim me një ndalesë, si e shihni ju këtë nismë? Si dhe sa do të ndikojë në përmirësimin e klimës së biznesit, uljes së burokracive, etj.?
Sigurisht që një reformë shumë e rëndësishme në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit është edhe bashkimi në një sportel të vetëm i QKR-së dhe QKL-së. Ky institucion i ri do të synojë përmirësimin e klimës së biznesit, duke stimuluar rritjen e investimeve vendase dhe të huaja.
Do të doja të ndalesha pak në rëndësinë e institucioneve që vijnë nga një proces i gjatë dhe i komplikuar reformimi. Kjo e bën dhe më të rëndësishme sfidën tonë për të sjellë përpara publikut dhe komunitetit të biznesit një institucion të ri, të reformuar dhe sigurisht në shërbim të tyre. Ngritja e institucionit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe Licencimit dhe reforma për lehtësimin e regjistrimit dhe licencimit të biznesit siguroi:
-Lehtësi në regjistrimin e biznesit në 24 orë
-Informatizimin e të dhënave dhe të procesit të regjistrimit
-Regjistrimin e njëkohshëm në administratën tatimore vendore dhe qendrore, sigurime shoqërore dhe shëndetësore dhe zyrat e punës
-Pajisjen me një numër unik për identifikimin e subjektit
-Reduktimin e ndjeshëm të numrit të licencave dhe lejeve nga 300 lloje e nënlloje lejesh e licencash përpara nisjes së kësaj reforme, në rreth në 65 të tilla
-Mbrojtjen e interesit publik në ushtrimin e veprimtarive ekonomike, tregtare apo profesionale, ose përdorimin e të mirave publike.
-Reduktimin e korrupsionit.
Bashkimi synon vijimin e reformës së nisur vite më parë duke sjellë krijimin e një qendre të vetme me një ndalesë për biznesin që përfshin: regjistrimin dhe licencimin por edhe:
-Përqendrimin e veprimeve në një institucion të vetëm, krijimi i një qendre të vetme me një ndalesë për regjistrimin dhe licencimin/lejimin e subjekteve, do të sillte përqendrimin e veprimeve për regjistrimin dhe licencimin/lejimin e subjekteve, në një institucion të vetëm;
-Marrjen e informacionit në lidhje me regjistrimin dhe licencimin në një institucion të vetëm
-Shkurtimin e mëtejshëm të afateve dhe procedurave
-Krijimin e një portali të përbashkët
-Mundësinë për të shtuar gamën e shërbimeve që ofrohen nga institucione të tjera në një qendër me një ndalesë
-Shërbime online dhe zgjerimi i gamës së shërbimeve që ofrohen online.
-Profesionalizëm;
– Rritjen e transparencës dhe minizimin e korrupsionit;
– Uljen e kostove administrative, etj.
Intervistoi: E. Bedalli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.