Ndërmarrja sociale është një koncept i ri në tregjet në zhvillim, por shumë i njohur në vendet perëndimore. Nesër në Tiranë do të prezantohet pikërisht një prej projekti tillë. “Ndërmarrja sociale: instrument vetëadministrimi i popullsisë shqiptare – Faza I”. Është një iniciativë ku do të jenë të pranishëm Ambasadori italian në Tiranë, z.Massimo Gaiani, dhe Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z.Spiro Ksera.
Përfaqësuesit e Ambasadës Italiane pohojnë se projekti ka filluar në 1 maj 2012 dhe është realizuar në sajë të një bashkëfinancimi të Kooperacionit italian për Zhvillim, parashikon arritjen e dy objektivave: pikësëpari, ngritjen e katër ndërmarrjeve sociale: një ofiçinë mekatronike në Tiranë e menaxhuar nga shoqata COL’OR Shqipëri, një ndërmarrje catering-u në Shkodër, e koordinuar nga Qendra e Gruas “Hapa të Lehtë”, një fidanishte në Elbasan me kujdesin e OJQ-së ”Tjetër Vizion” dhe një lavanderi në Vlorë me shoqatën ”Vatra”. Secila nga këto ndërmarrje, nën kujdesin e katër organizatave të ndryshme, do të këtë në gjirin e vet gra viktima të dhunës, gra në rrezik ose viktima të trafikimit, të rinj të ardhur nga kontekste të vështira, të papunë prej një kohe të gjatë, etj dhe do t’i investojë një pjesë të të ardhurave në aktivitete sociale në favor të komunitetit të vet.
Objektivi i dytë, sipas Ambasadës, është krijimi i një tryeze pune për organizimin e aktiviteteve të lobby-it dhe advocacy-së, për të favorizuar dhe shpejtuar miratimin e një ligji kuadër ad hoc për krijimin dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të reja sociale.
“Ndërmarrja sociale: instrument vetëadministrimi i popullsisë shqiptare – Faza I”, është një kombinim i disa iniciativave për krijimin e mundësive të futjes në punë të kategorive sociale të lartpërmendura, duke nxitur proceset e zhvillimit endogjen vendor në mbështetje të kategorive sociale të dobëta.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.