Trendi i mbylljes së bizneseve vitin e kaluar në Kosovë ishte në parametra jo shqetësuese duke marrë parasysh rritjen e numrit të bizneseve të regjistruara, thonë zyrtarë të qeverisë.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, (ARBK), agjenci kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thuhet se shuarja e bizneseve është 22 për qind në raport më bizneset e regjistruara.
Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, Gazmend Mejzini, për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se gjatë vitit 2016, janë regjistruar mbi 10 mijë e 500 biznese përderisa janë shuar 2379.
“Ky fenomen është normal, është fenomen i natyrshëm. Ndërmarrësit, gjithkund në botë ushtrojnë aktivitete të ndryshme ekonomike dhe sigurisht se gjatë ushtrimeve të këtyre aktiviteteve ekonomike ndërmarrin edhe rreziqe afariste”, ka thënë Mejzini.
Të dhënat statistikore, thotë Mejzini, argumentojnë se niveli i shuarjes së bizneseve në vendet e rajonit dhe në shumë shtete tjera qoftë në tranzicion apo të zhvilluara, është më i lartë se sa në Kosovë.
Në shtetet evropiane, thotë ai, norma krahasuese e bizneseve të shuara karshi atyre të regjistruara është mbi 30 për qind.
Edhe ekspertë për çështje ekonomike e konsiderojnë fenomen normal shuarjen e bizneseve, por sipas tyre në Kosovë, ky trend ndodh për shkak të konkurrencës joligjore.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Milazim Abazi, ka thënë se një ndër arsyet e shuarjes së bizneseve, kryesisht të vogla, janë bizneset e mëdha – të cilat janë të lidhura më politikën dhe kanë kapital të madh në qarkullim. “Në Kosovë mund të jenë të suksesshëm në veprimtari të ndryshme, vetëm në bazë të nepotizmit dhe korrupsionit. Këto dukuri ndikojnë edhe në sektorin e shërbimeve. Bizneset që nuk kanë lidhje të tilla janë të detyruara të shuhen“, tha Abazi.
Mejzini, ndërkaq thotë se të gjitha bizneset janë shuar në mënyrë vullnetare dhe nuk kanë falimentuar. “Kryesisht shuarja tek ne konsiderohet shuarje vullnetare, kështu që ne nuk i pyesim për arsye, arsyet mund të jenë të ndryshme. Por, duhet ta bëjë të qartë se nuk ka lidhje me falimentim. Kjo është shuarje vullnetare dhe nuk ndodh për arsye se biznesi ka falimentuar. Por, vetëm se ka aplikuar për të shuar në mënyrë vullnetare biznesin”, thotë Mejzini.
Ndryshe, ndër vite, trendi i shuarjes dhe regjistrimit të bizneseve të reja ka shënuar rritje. Disa ekspertë të ekonomisë, kanë vlerësuar se bizneset që shuhen, janë kryesisht biznese të vogla, të cilat nuk mund t’i rezistojnë konkurrencës që ekziston në tregun e Kosovës. /Rel/Telegrafi/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.