Dy vitet e fundit bizneset nuk po arrijnë të bëhen më produktive, si një përgjigje ndaj krizës që i ka mbërthyer ata. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në tremujorin e tretë të vitit, ritmi vjetor i treguesit të produktivitetit të punës (PP) për sektorët jobujqësorë të ekonomisë rezultoi -8.2%.
Sipas BSH-së, dinamika negative e rreth dy viteve të fundit u thellua me tej në këtë tremujor si pasojë e rënies së vlerës së shtuar, kundrejt ritmeve pozitive të punësimit.
Ndërkohë, pagat kanë vijuar me rritje në të njëjtën periudhë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, këto dy dukuri, prirja rënëse e thellë e produktivitetit të punës e shoqëruar nga një rritje e lehtë e pagës mesatare në terma realë vjetorë (1.1%), ka rezultuar në rritje vjetore të kostove të punës për njësi të prodhuar (KPNj) rreth 10%.
Banka e Shqipërisë vlerëson se si rrjedhojë, edhe rritje të lehta të pagës mesatare reale mund të
përkthehen në rritje të konsiderueshme të kostove të punës për njësi, në kushtet e rënies së prodhimit dhe të produktivitetit të punës.
Ngadalësohet rritja e pagave
BSH vlerëson se pagat në ekonomi kanë shënuar rritje në tremujorin e tretë, në linjë me rritjen e pagës minimale. Ky tregues ishte rreth 2.6 dhe 3.6% më i lartë në terma vjetorë dhe tremujorë. I deflatuar me inflacionin, indeksi i pagës mesatare në ekonomi regjistroi një rritje prej 1.1%. Ecuria e pagave nuk ka qenë e njëtrajtshme në të gjithë sektorët. Rritja e pagës reale është ndikuar kryesisht nga rritja me 3.8% e këtij treguesi në sektorin e industrisë, me prijëse degët e industrisë nxjerrëse dhe të prodhimit të energjisë. Paga reale qëndroi e pandryshuar në shërbime, ndërkohë që pësoi rënie në sektorin e ndërtimit. Në sektorin shtetëror paga reale u rrit në terma vjetorë, por me një normë më të ngadaltë krahasuar me tremujorin e kaluar.
Të dhënat më të fundit nga vrojtimet e besimit, sipas BSH, sinjalizojnë për ngadalësim të rritjes së pagave në të gjithë sektorët në tremujorin e katërt të vitit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.