Sa pritet të rriten të ardhurat e FSHF pas kualifikimit të Kombëtares në Kampionatin Europian. Dyndja e sponsorve dhe detaje se nga vijnë të ardhurat dhe si shpenzohen paratë në futbollin shqiptar. Si funksionon futbolli si biznes, brenda dhe jashtë vendit…
Rreth 7.5 milionë euro janë të ardhurat e pritshme të Federatës Shqiptare të Futbollit për sezonin 2014-2016. Rreth 5 milionë euro janë të drejtat televizive, 1 milionë euro shitje e biletave (dyfishim nga sezoni i mëparshëm) dhe 1.5 milionë euro nga sponsorët, sipas burimeve zyrtare nga FSHF. Pasi Kombëtarja Kuq e Zi (e cila merr dhe pjesën më të madhe të të ardhurave) realizoi ëndrrën për t’u bërë pjesë e Kampionatit Europian, FSHF vlerëson që të ardhurat pritet të rriten të paktën 50% në sezonin 2016-2018.
“Rritja vjen nga të gjitha drejtimet: për faktin që pasi jemi kualifikuiar do të kemi mundësinë të bëjmë miqësore më cilësore, shitja e ‘merchanidising’ vjen në rritje, (në momentin që flasim është trefishuar dhe presim të rritet)”, thotë Gazmend Malo, drejtor marketing i FSHF-së. Ai shton se biletat janë tashmë shitur për çdo ndeshje, por “ne do të kemi një sjellje të ekulibruar edhe këtu pasi do të evitojmë në maksimum çdo situatë abuzive në çmime biletash, et. Në parim ne kujdesemi që çdo marrëdhënie midis Kombëtares, tifozëve dhe partnerëve të jetë konstante dhe afatgjatë, pra kemi ndërtuar diçka domethënëse përgjatë këtyre viteve dhe realisht kemi një situatë të kënaqshme”.
Rritjes së entuziazmit të të gjithë shqiptarëve, po i shkojnë nga pas edhe sponsorët. Në këto moment ka jashtëzakonsiht shumë kërkesa nga të gjitha bizneset në Shqipëri dhe Kosovë dhe shumë biznese që operojnë në dy vende njekohësisht (Greqi, Kosovë etj). Malo thotë se raportet me sponsorët duhen menaxhuar me shumë kujdes. “Normalisht shifrat do të rriten, por ne do të ruajmë raportin dhe besnikërinë me kompanitë që kanë qenë sponsor dhe na kanë mbështetur gjithmonë”.
FSHF pret të paktën një rritje prej 50% nga sponsorët, ndërsa shifra e të drejtës televizive është tashmë e centralizuar dhe fikse, pavarësisht se në përqindje të vogla mund të ketë luhatje.
Pjesa më e madhe e të ardhurave shkojnë për pagat e lojtarëve dhe trajnerit, ndërsa të konsiderueshme janë dhe shpenzimet për gjurmueshmërinë e talenteve. Federata funksionon si një OJF, me shpenzimet që janë të barabarta me të ardhurat, ndaj sa më shumë të rriten këto të fundit, aq më shumë ka mundësi FSHF të investojë më tej, për ta çuar futbollin shqiptar në një tjetër nivel. Investimet do të rriten edhe për klubet shqiptare.
BILANCI- TE ARDHURAT DHE SHPENZIMET E FSHF
TE ARDHURAT
E drejta televizive:
Sezoni 2008 – 2010 – vlerësim: jo më shumë se 2 – 2.5 mln euro
Sezoni 2010 – 2012 – 5 mln euro
Sezoni 2012 – 2014 – 2 mln euro
Sezoni 2014 – 2016 – 5 mln euro
Biletat:
Sezoni 2008 – 2010 – rreth 800 mijë euro
Sezoni 2010 – 2012 – rreth 500 mijë euro
Sezoni 2012 – 2014 – rreth 500 mijë euro
Sezoni 2014 – 2016 – rreth 1 mln euro
Sezoni 2016 – 2018 – vlerësim 1 – 1.2 mln euro
Sponsorizimet:
Sezoni 2008 – 2010 – rreth 1 mln euro
Sezoni 2010 – 2012 – rreth 1 mln euro
Sezoni 2012 – 2014 – rreth. 1.3 mln euro
Sezoni 2014 – 2016 – rreth 1.5 mln euro
Sezoni 2016 – 2018 – vlerësohet rritje 50 – 100%
SHPENZIMET
-shpenzimet më të mëdha janë për pagat e lojtarëve dhe trajnerit dhe gjurmimin e talenteve.
-Fluturime Charter: Për çdo sezon janë rreth mbi 300 mijë euro.
-Hotel: Për çdo grumbullim jashtë Shqipërisë mbi 200 mijë euro vetëm për Ekipin A, pra kombëtarja.
-Për çdo grumbullim brenda: grumbullim dhe shpërndarje e lojtarëve – mbi 150 mijë euro në sezon.
Në vlerën 50% të këtyre shpenzimeve janë për të gjitha ekipet më poshtë për secilin:
Kombetarja U21,
Kombetarja U19
Kombetarja U17
Kombetarja Futsal
Kombetarja A Femra
Kombetarja U19 Femra
Burimi: FSHF
Futbolli si biznes
Në vite, futbolli ka evoluar nga të qenët thjesht një sport, drejt një biznesi multi miliona dollarësh. Në fillim, klubet e futbollit drejtoheshin nga presidentë lokalë, të cilët i afroheshin futbollit nëpërmjet lidhjes së tyre të biznesit. Produktet e tyre bliheshin nga “partizanët” e futbollit, ndërsa më vonë, biznesmenët nga e gjithë bota nisën të sjellin paratë e tyre për ndeshjet – jo thjesht si një pasion për futbollin, jo thjesht për fitime, por për një rritje globale në këtë sektor.
Në ditët e sotme, futbolli është shpërndarë në të gjithë botën, nga shtete të zhvilluara europiane deri në cepa të strukur të Afrikës dhe kjo e bën shpërndarjen e kompanisë të fokusuar në futboll, të njohur në të gjithë botën. Pse? Shikueshmëria dhe vazhdimësia e të ekzistuarit të shikuesve të zjarrtë.
E teksa biznesmenët, në mënyrë të pashmangshme, arrijnë të kuptojnë popullaritetin e futbollit, që përfshin miliona e miliarda njerëz nga e gjithë bota, ata interesohen për lojën, duke e komercializuar këtë sport.
Në vitin 1985, Tottenham Hotspurs, të njohur si “spurs”, u bënë klubi i parë në tregun e futbollit botëror. Presidenti i këtij klubi, Alan Sugar, “shpiku” një mënyrë për të anashkaluar rregullat dhe detyrimet e Federatës Angleze. Këtë e realizoi duke krijuar një kompani, të njohur me emrin Tottenham Hotspur, një degë, tek e cila në mënyrë të ligjshme, ishin transferuar asetet e klubit. Në vijim, të tjerë klube realizuan të njëjtën skemë, si një mënyrë perfekte për të bërë para.
Në këtë logjikë, spektatorët nuk ishin më “sportdashës”, por shiheshin si një treg i mirëfilltë.
Kampionati shqiptar i futbollit
Kampionati shqiptar i futbollit ofron stadiume me pak reklama, me sponsor jo të mirëpërcaktuar, me menaxhim që çalon në shumë pika dhe me mungesë objektivash afatgjatë.
Gazmend Malo, drejtor i marketingut pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, tregon se, n.q.s do të flasim për një kampionat futbolli të mirëfilltë, atëherë do t’i referohemi periudhës pas vitit 1990.
“Pas viteve ’90 flasim për një treg të hapur dhe për një ekonomi të mirëfilltë. N.q.s i referohemi futbollit si biznes, mund të flasim vetëm për klubet profesioniste. Sidomos n.q.s flasim për Kategorinë Superiore. Në Shqipëri, dy janë kategoritë që klubet luajnë profesionalisht: Kategoria Superiore (kampionati më me rëndësi dhe vizibilitet) dhe Kombëtarja e Shqipërisë. ”Të ardhurat në klube vijnë nga presidenti – me disa fonde investon mbi klubin, bashkia dhe donatorë të ndryshëm”- tregon z. Malo.
Ai tregon se, që një klub të funksionojë siç duhet edhe si biznes, duhet pasur parasysh se të ardhurat dhe fitimet janë dy elementet kyç. “Në momentet që flasim, nuk mund të pohojnë se ka fitime në këtë mes”, – tregon z. Malo, duke konfirmuar vështirësitë financiare të këtij sektori, që ende nuk po funksionon siç duhet.
Ai shtoi se ende nuk ka një sponsor zyrtar të kompeticionit të Kategorisë Superiore. “Po punojmë për këtë gjë, nuk jemi ende dakord për shifrat dhe për formulën e bashkëpunimit”,- tregoi z. Malo.
Kreu i marketingut të FSHF tregoi se më parë, klubet nuk kanë qenë entitet i mirëfilltë juridik.
“Për disa kohë, është zvarritur në këtë mënyrë: vinte një donator, jepte disa para dhe vetëshpallej president klubi dhe vijonte menaxhimin. Mungonte organizimi normal në mënyrën e menaxhimit”,- pohon ai.
Ndërsa, në vijim të historisë së futbollit shqiptar pas viteve ’90, në 10-15 vitet e fundit, tashmë forma ligjore është e detyrueshme.
“Federata Shqiptare e Futbollit i mbikëqyr, duke rregulluar tregun: ose i detyron të kenë formulën e një kompanie me aksione, ose një shoqatë. Si një kompani aksionere, do të duhet të zbatosh të gjitha normat ligjore dhe detyrimet tatimore, si dhe do të duhet të rezultojë me fitim. Ndërsa, si shoqatë ka objektiva të tjera. Shumica e klubeve të Kategorisë Superiore janë shndërruar në shoqëri aksionere, pavarësisht se aksionere mazhoritare është Bashkia. Kjo krijon edhe keqkuptime, aludohet se nuk administrohet në mënyrë profesionale. Formula është OK, por duhen ndryshuar edhe disa gjëra të tjera që klubi të jetë më aktiv në treg, të funksionojë sipas dinamikave të tregut duke shmangur burokracitë që bashkitë kanë”, – tregon z. Malo.
Një reformë në kërkim…
Që një klub të mbijetojë nuk është sipërmarrje e lehtë në Shqipëri, duke qenë se problemet janë të shumta dhe të mbartura ndër vite. Kjo nënkupton faktin se nuk mund të bëhej më fjalë për një menaxhim të mirëfilltë ekonomik, sepse të jesh klub i “bashkisë” nënkupton të mos kesh më fleksibilitet.
Megjithatë, vitet e fundit, situata ka ndryshuar me nisjen e klubeve të para “private”, pra ku aksioneri kryesor nuk është më bashkia. Kjo, sipas z. Malo, po fillon të japë efekte pozitive, duke qenë se klubi bëhet më aktiv në treg, funksionon sipas dinamikave të tregut, duke shmangur burokracitë që bashkitë kanë.
Në këtë mënyrë, në Shqipëri, një klub futbolli mbahet në këmbë nga paratë që sponsorizohen dhe pak nga fondet e bashkive.
Një ekip futbolli mund të ketë një apo më shumë donatorë. Ligjërisht nuk ka asnjë kufizim. Nuk ka as tavan dhe as dysheme për shumat e donacioneve. Po çfarë përfitojnë sponsorët nga investimet që bëjnë – reklamimin e emrit të biznesit, e ndoshta asgjë më tepër.
Pjesë e një reforme në nisje, është edhe risia e FSHF për brand-imin, që përfshin merchandising, të gjithë artikujt zyrtarë të brand-uar të një klubi. “Logoja e FSHF e mirëstrukturuar, tashmë është një risi, e cila pritet të zhvendoset edhe për Kategorinë Superiore dhe Kupën. Po punojmë që një ndër burimet e të ardhurave, (jashtë është tepër i zhvilluar) të nisë lulëzimin edhe në Shqipëri”,- tregon z. Malo, duke rikujtuar që tifozët i blinin aksesorët e klubit të caktuar apo kombëtares në një treg të pastrukturuar, teksa tani FSHF i ofron ato edhe me blerje online.
Kompeticionet ndërkombëtare
Nëse ka para të sigurta që çdo skuadër futbolli i fiton për arkën e saj (me mund), janë ato që UEFA jep për pjesëmarrjen në aktivitetet e organizuara pas përfundimit të një sezoni e në vijim të pasardhësit. Shumë apo pak, ato janë para që kanë amortizuar disi shpenzimet e presidentëve të klubeve, të cilët janë ngushëlluar me to në prag të fillimit të çdo sezoni të ri, duke shtuar madje edhe ndonjë element më shumë për skuadrën.
Fituesja e Kampionatit Kombëtar ka të drejtën të marrë pjesë në Champions League. Kualifikimi në këtë kompeticion vlen 12 mln euro.
Kalimi i çdo turi paraeliminator do ta shpërblente me 0.5 mln euro shtesë (për secilën) dhe nëse arrin të futet në ndeshjet në grup, atëherë çdo ndeshje e fituar vlen 1.5 milionë euro, sipas të dhënave nga UEFA.
Përfitime të mëdha ofron edhe pjesëmarrja në Europa League, që vlen rreth 6 mln euro. Për çdo kalim turi, ka një “bonus” të mëtejshëm. Në çdo rast, këto përfitime i mbeten klubit dhe kushti është që të përdoren për infrastrukturë dhe për akomodimin e skuadrës gjatë sezonit.
Teorikisht, është rreptësisht e ndaluar të përdoren nga presidentët për blerje futbollistësh, ndonëse në Shqipëri, sipas ekspertëve të futbollit, pjesa më e madhe e fondeve që arrihen të sigurohen, përdoren për këtë qëllim.
Është e qartë që këto shuma dyfishohen e trefishohen në varësi të ambicieve dhe investimit të bërë nga sponsorët e klubeve, për pjesëmarrjen në aktivitete të mëdha të futbollit, pohojnë ekspertët e futbollit në vend. Duhet pasur parasysh, tregojnë ata, se kostot e akomodimit për ndeshje të ndryshme jashtë vendit, shpeshherë janë të papërballueshme dhe shembuj të “reduktimit” të kostove të ushqimit me thjesht një sanduiç për futbollistët, të gjithë mund t’i pohojnë shumë lehtë.
“Shkëlqimi” i Skënderbeut
Skënderbeu rezulton, deri më tani, skuadra e parë shqiptare e cila arriti të hyjë në Europa League, për këtë kualifikim u shpërblye me 6.1 mln euro.
Por, pranvera me një lule nuk vjen…
Megjithatë, klubi i qytetit të serenatave, ose si e quajnë tifozët “Ujqërit e Dëborës” përbëhet nga lojtarë të aftë, ku trajneri respektohet e dëgjohet, lojtarët të cilët mundësohen nga menaxheri i skuadrës, ndërsa presidenti ofron jo vetëm garancitë financiare, por edhe mbështetjen morale, pa iu ndarë lojtarëve kudo.
“Ky është shembulli që duhet ndjekur në futbollin shqiptar”- pohojnë analistët e futbollit vendas. Ata tregojnë se çelësi i suksesit të Skënderbeut është trinomi trajner-menaxher president-lojtarë.
Burimi i të ardhurave
Në Europë, klubet e futbollit gjenerojnë vazhdimisht të ardhura. Këtë e arrijnë me disa burime, si të ardhurat javore që grumbullohen nga anëtarësimet, shitjet e biletave apo fatura të tjera; nga të drejtat e transmetimit, si nga kompeticionet lokale, ashtu edhe ato ndërkombëtare; si dhe nga aktivitetet tregtare, duke përfshirë sponsorizimet e marketingun e mirë.
Në Shqipëri, klubet i sigurojnë të ardhurat kryesisht nga donatorët e ndryshëm, që në të shumtën e rasteve (për të mos thënë në 100% të tyre) janë edhe presidentë (por pa asnjë status ligjor – është thjesht titull honorifik).
Ata mund të jenë donatorë për aq kohë sa e vendosin vetë. Nuk ka një kufi e po kështu nuk ka kufij edhe për shumën që mund të sponsorizojnë.
Shitjet e biletave
Një burim i anashkaluar në vendin tonë janë të ardhurat nga biletat e eventeve, argument që nënvlerësohet sepse çmimet që aplikohen janë shumë të ulëta. Një tjetër arsye – tregon drejtori i marketingut i FSHF – sepse mekanizmi i sigurimit të biletave është shpesh proces për t’u diskutuar.
Kapaciteti mesatar i stadiumeve të Shqipërisë është 19 mijë spektatorë e sipër. Shitjet e biletave duhet të shndërrohen në një burim të rëndësishëm të ardhurash, por duhet konsideruar fakti se n.q.s i bën llogaritë për një ndeshje, del një shifër e vogël, por që përsëri nuk duhet lënë mënjanë. “Sado e vogël të jetë kjo shifër, n.q.s e shumëzojmë me numrin e ndeshjeve që një ekip bën, me formulën e kampionatit aktual, duhet të jenë 36 ndeshje në vit. Ende nuk është punuar mirë në këtë drejtim”, – tregon z. Malo
Sponsorizimet
Problemi kryesor në këtë kategori të burimit të të ardhurave është se funksionon keq.
Shqipëria vuan nga standardizimi, menaxhimi i mirë dhe për një formalizim të të gjithë tregut, jo vetëm të futbollistëve, por edhe për çmimet e referencës: për sponsorët dhe reklamimet.
“Për pjesën e menaxhimit të klubeve, vuajnë për faktin se: e para, nuk ka një propozim të mirëfilltë të çfarë propozon klubi, çfarë merr sponsori, por në shumicën e rasteve funksionon me marrëdhënie miqësie ose biznesi, mes presidentit të klubit, e një biznesmeni tjetër. Kjo skemë funksionon edhe mes klubeve në qytete të ndryshme për reklamime kryesisht. Ky mekanizëm vlen për 90-95% të rasteve. Pra, mungon një vlerë reference. Nuk ka një vlerë për një tabelë të caktuar në një vend të caktuar se sa kushton”,- tregon z. Malo, duke shtuar se, aktualisht, “asnjë njeri nuk e di se sa kushton të vendosësh një tabelë në një stadium shqiptar”.
E drejta televizive
Burimet nga FSHF konfirmojnë se sa i përket së drejtës së transmetimit të ndeshjeve, blerësit janë “SuperSport” dhe Televizioni Publik Shqiptar. Paratë që merren nga kjo e drejtë transmetimi, shpërndahen nga Federata Shqiptare te skuadrat në bazë të një koeficienti që caktohet sipas renditjes që ato kanë. Por, në rastin e evenimenteve ndërkombëtare, siç është pjesëmarrja në Champions League ose Europa League, të drejtat televizive menaxhohen nga klubi.
Sipas raportit të vitit 2014 të “Deloitte Football Money League”, 14 skuadrat kryesore europiane arritën të sigurojnë mbi 50% të totalit të tyre të të ardhurave nga të drejtat e transmetimeve televizive. Një shifër kjo që ka të ardhura në rritje, që nga viti 2011, që ishte 40% të të ardhurave të tyre. Skuadra që ka parë të ardhurat më të mëdha nga e drejta e transmetimeve të ndeshjeve është Real Madridi, me rreth 550 mln euro.
Të kontaktuar nga “Monitor”, drejtori i marketingut pranë RTVSH, tregon se këto shifra janë konfidenciale, mirëpo pohoi se shifrat vijnë duke u rritur.
“Sa kushtojnë të drejtat e transmetimit janë konfidenciale dhe nuk mund ta them, por një gjë është e sigurt, çdo vit rriten me 10 – 15% të një viti më parë, dhe aktualisht të drejtat për transmetimin e ndeshjeve të Kombëtares të futbollit janë 5-fish më të larta se dy sezone më parë”,- pohon z. Elton Kadisi.
Intervistë me drejtorin e marketingut pranë RTVSH, z. Elton Kadisi
“E drejta e transmetimit të ndeshjeve të Kombëtares është 5-fishuar krahasuar me dy sezone më parë”
Si funksionon praktika e së drejtës ekskluzive të transmetimit të ndeshjeve të futbollit?
Praktika për blerjen e të drejtave për ndeshjet e futbollit ose sportit në përgjithësi bëhet me konkurrim të hapur ndërkombëtar. Organizatorët e aktivitetit, të cilët janë FIFA, UEFA ose Federatat përkatëse të çdo shteti, të cilat janë organizatore të Evenimentit, shpallin njoftimin për shitjen e të drejtave të transmetimit sipas territoreve të përcaktuar. Në shumicën e rasteve këto organizata kontraktojnë agjenci të specializuara për të menaxhuar shitjen e të drejtave të transmetimit. Termi “të drejta ekskluzive transmetimi” tashmë nuk mund të konsiderohet më si më parë. Me ndryshimet teknologjike, edhe mundësia e transmetimit është më e gjerë se më parë, e tashmë ky treg ofron gjithnjë e më shumë të drejta. P.sh., para disa vitesh, njiheshin të drejtat e transmetimit vetëm për “Free to Air”, kurse tani ka të drejta për Free to air, Pay TV, IPTV, Mobile, Radio, Public View. Gjithsesi këto të drejta, në vetvete, janë ekskluzive në formatin që transmetohen, e si rrjedhojë këto të drejta për një territor të caktuar mund t’i disponojnë disa media, Ofrues Interneti, kompani mobile etj.
Sa kushton kjo e drejtë transmetimi?
Sa kushtojnë të drejtat e transmetimit janë konfidenciale dhe nuk mund ta them, por një gjë është e sigurt, çdo vit rriten me 10-15% të një viti më parë, dhe aktualisht të drejtat për transmetimin e ndeshjeve të Kombëtares të futbollit janë 5-fish më të larta se dy sezone më parë.
Sa reklama ka mesatarisht TV gjatë transmetimit të ndeshjeve?
Në rastin e ndeshjeve të Kombëtares, interesi i reklamuesve është i lartë, por në asnjë rast, të ardhurat vetëm nga reklama nuk i mbulojnë dot shpenzimet për blerjen e të drejtave dhe kostove të prodhimit të ndeshjeve. Në rastin e Kampionatit Botëror ose Europianit, të ardhurat nga reklamat janë të konsiderueshme dhe justifikojnë blerjet e të drejtave dhe mbulimin e kostove teknike.
Çfarë fitimesh të tjera numëron TV nga kjo e drejtë?
Për mendimin tim, një TV nga këto të drejta, fitimin më të madh ka audiencën. Sipas të gjitha statistikave, aktivitetet e sipërpërmendura kanë audiencë shumë të lartë dhe të pakonkurrueshme nga programe të tjera.
“Tregu” i futbollistëve
Sigurisht, në tregun e futbollit shqiptar, n.q.s mund ta përkufizojmë si të tillë, nuk mund të bëhen krahasime me modelet europiane, as nuk afrohemi në koncepte dhe praktikë. Mirëpo, sa u përket klubeve, të cilat këto vitet e fundit kanë nisur të funksionojnë, pavarësisht ulje-ngritjeve dhe vështirësive (kryesisht menaxheriale dhe financiare), ekspertët e futbollit tregojnë se Shqipëria ka nisur të shohë edhe menaxherë futbollistësh.
I pyetur për “Monitor”, ish-trajneri i Kombëtares, profesor Astrit Hafizi, tregon se në Shqipëri nuk mund të flasim për një merkato të mirëfilltë, mirëpo shumë gjëra kanë ndryshuar tashmë në sfond dhe kalimi i klubeve nga plotësisht shtetërorë në kryesisht privatë është një ndryshim në dukje pozitiv. Shkaqet lidhen me dy elemente jetësore për klubet: financime më të shumta, shmangie burokracie në menaxhim.
Prof. Hafizi tregon se tregu i futbollistëve nuk është i formalizuar dhe kjo ndodh pasi lëvizjet e ndryshme apo vendimet për ndryshime, blerje etj., funksionojnë ende me biseda miqësore dhe nuk janë transparente.
“Merkato funksionon në biseda të brendshme mes presidentëve të klubeve, për një lojtar apo për një tjetër, kalojnë në formë miqësie shpeshherë. Nuk konsiston në rregulla dhe kritere, aq më tepër të qenët transparentë. Në një klub nuk ka drejtues të mirëfilltë që të merren me merkaton, kam dëgjuar kohët e fundit për prezantimin e disa të tillëve, por nuk është e zhvilluar plotësisht”,- tregon prof. Hafizi.
Federata e Futbollit tregon se shifra më e lartë për pagesën e një futbollisti shqiptar në klub është ajo e 100 mijë eurove në vit. Mesatarisht, bëjnë të ditur ata, një skuadër kushton 400 mijë euro dhe se një pagë mujore mesatare e një futbollisti është 1 milion lekë.
Një tjetër ndryshim që duket se po vihet re në tregun e futbollistëve, është largimi nga “trendi” i marrjes së futbollistëve nga Brazili dhe afrimi tashmë, i kontingjenteve nga Afrika, e nga vendet e rajonit si Kroacia, Mali i Zi.
Intervistë me ish-trajnerin e Kombëtares, profesor Astrit Hafizi.
“Mungon menaxhimi i duhur i klubeve, tregu i futbollistëve, informal”
Si është ecuria ndër vite e futbollit shqiptar?
Me kalimin e viteve, mund të pohoj edhe që ka evoluar. Në aspektin teknik të lojës, futbolli shqiptar ka ndryshuar, ka ardhur duke u përmirësuar. Ndërsa, n.q.s i referohemi aspektit të formimit si klube, ende çalojnë shumë gjëra. Kalimi nga klube nën varësi të plotë të shtetit në klube private, ka vështirësitë dhe mangësitë e veta, të cilat nuk janë zgjidhur mirë edhe sot. Ndonëse, pas viteve ’90, kanë kaluar vite të konsiderueshme përpjekjesh, përsëri organizimi i klubeve lë për të dëshiruar. Ndryshimi i vetëm, por përsëri i ndjeshëm, është ai në infrastrukturë, por përsëri mbetet si ecuri pozitive në panoramën e përgjithshme. Por, drejtimi i klubit dhe organizimi i tij mbetet ende në pozita jo të mira.
A hasin klubet shqiptare vështirësi financiare?
Patjetër dhe madje shumë. Kjo, pasi shumë gjëra nuk janë të zgjidhura siç duhet. Drejtuesit e klubeve, pra presidentët kur “vetemërohen”, nuk dihet qartësisht të ardhurat e tyre, sa financojnë në klube, për çfarë shkon ky financim. Pra, mungon transparenca.
Nga ana tjetër, hasim të tjera elemente që tregojnë vështirësitë financiare: vonesë pagash, mungesë mjetesh etj.
Si funksionon tregu i futbollistëve?
Në njëfarë mënyre është e zhvilluar edhe në Shqipëri, ndonëse nuk mund të bëjmë krahasime me jashtë. Por, edhe ky treg nuk është shumë i formalizuar. Në çfarë sensi? Sepse funksionon në biseda të brendshme mes presidentëve të klubeve, për një x lojtar apo për një tjetër, kalojnë në formë miqësie shpeshherë. Nuk konsiston në rregulla dhe kritere, aq më tepër të qenët transparentë. Në një klub nuk ka drejtues të mirëfilltë që të merren me merkaton, kam dëgjuar kohët e fundit për prezantimin e disa të tillëve, por nuk është e zhvilluar plotësisht. E sigurisht, nuk kemi të bëjmë me shifra të majme për to, nuk krahasohen me pagesat nëpër klubet jashtë.
Ndikimi i rrjeteve sociale
Thuajse të gjithë klubet e futbollit, edhe në Shqipëri, kanë adresë Facebook, Twitter apo YouTube. Sfida më e madhe e tyre është sigurisht, si ta kthejnë në përfitim monetar këtë. P.sh. Si 106 mijë ndjekësit në Facebook të Skënderbeut t’i konvertosh në përfitime për shikuesit (sigurisht për klubet e mëdha botërore flasim për shifra shumë më të mëdha ndjekësish). Rrjetet sociale, të cilat përdoren masivisht edhe nga shqiptarët, janë një mënyrë e mirë për të sjellë formësim marke, shikueshmërie, të kapësh sa më tepër fansa (që përkthehen në klientë: blerje biletash, aksesorësh si bluza, kapele etj.)
Shembullin e Champions League që ka tërhequr shumë nga rrjetet sociale, ekspertët e shikojnë si histori të suksesit të përdorimit të rrjeteve sociale. Kampionatin e kaluar, ka pasur më tepër se 8.4 milionë statuse në Twitter, më tepër se 67 milionë statuse në Facebook. Sipas përllogaritjeve, vetëm finalja ka angazhuar më tepër se 165 milionë njerëz nga 200 shtete.
Ekspertët e futbollit tregojnë se edhe në Shqipëri, komercializimi i rrjeteve sociale, do të mund të sjellë fitime nga reklamat, që momentalisht, për një kampionat si Champions League sjell fitime të konsiderueshme.
Futbolli shqiptar në shifra
- Sipas sitit të njohur të botës së futbollit, Transfer Market, për të dhënat e përditësuara të këtij viti, Kombëtarja e Shqipërisë kushton 35.98 mln euro, bazuar në vlerën e “tregut” të secilit nga lojtarëve.
- 400 mijë euro/vit kushton një klub
- 1 milion euro llogaritet shpenzimi më i lartë për një klub
- 100 mijë euro është paga e lojtarit më të paguar në Kategorinë Superiore
– 12 milionë euro vlen vetëm pjesëmarrja (kualifikimi) në Champions League
– 6.1 milionë euro vlen vetëm pjesëmarrja në Europa League
Burimi: FSHF
Futbolli gjerman
“Prodhimi” i një “Fussballwunder”
Vendi më i mirë i futbollit në botë kontrollon aspektin mendor. Nuk ka asgjë rastësore në lidhje me të…
Pothuajse gjysma e golave të shënuar në futboll janë praktikisht rastësorë, shpjegon Martin Lames i Universitetit Teknik të Mynihut. Dhe tregimet më të dashura të futbollit janë pikërisht ato që përmbysin pritshmëritë. Por, libri i ri i Raphael Honigstein “Das Reboot”, fokusohet në ato pjesë të lojës që nuk janë rastësore dhe se si përballet një ekip i mirëpërgatitur me çdo gjë përveç “fatit”.
Pas një periudhe të gjatë si superfuqi e futbollit, pala gjermane filloi të ndihet e kënaqur me veten. “Fati i zi” e ndoqi në Kampionatin Europian në vitin 2000, kur nuk arriti të fitojë një ndeshje, madje humbi me Anglinë në një ndeshje që z. Honigstein e përshkruan si “një turp të gjithanshëm të gjendjes së varfër të futbollit”. 14 vjet më vonë, Gjermania do të poshtërojë Brazilin, në Kupën e Botës, 7-1 përpara se të mposhtë Argjentinën për të çuar në shtëpi trofeun.
Tregimi i z. Honigstein është për novatorë të panderuar si dhe heronj kombëtarë. Dietrich Weise dhe Ulf Schott, dy ish-lojtarë të kthyer zyrtarë në Shoqatën Kombëtare të Futbollit, u bindën se Gjermania e kishte të domosdoshme të zgjeronte programet e saj rinore. Pas shpartallimit në Euro 2000, klubet profesionale të Gjermanisë u urdhëruan të krijonin akademi.
Ata fillimisht i rezistuan barrës financiare, por pas dhjetë vjetësh, më shumë se gjysma e lojtarëve në divizionin kryesor ishin të diplomuar të akademisë, duke i kursyer klubeve miliona nga shifrat e transferimit. Trajnimi evoluoi gjithashtu, me emërimin e një ish-sulmuesi ndërkombëtar, Jurgen Klinsmann, në krye të ekipit kombëtar në vitin 2004. Ai irritoi shumë persona me ndjekjen e ekipit nga Kalifornia, por solli një fokus të ri në mendje: z. Honigstein përshkruan “pseudoseminaret e menaxhimit”, me ndërtimin e ekipit dhe klasa të gjuhës së bashku me futbollin. Por ai gjithashtu bëri që talenti i tij i kufizuar të ofronte një lojë të shpejtë dhe sulmuese futbolli që ishte një hit kur Gjermania organizoi Kupën e Botës 2006, të cilën një lojtar e përshkroi si “Vera e dashurisë së Gjermanisë”. Fituesit e vendit të tretë u grumbulluan në Portën e Brandenburgut.
Në vitin 2014, z. Klinsmann ia dorëzoi detyrën ish-asistentit të tij, Joachim Low, por ekipi u pajis me lojtarë, të cilët ishin trajnuar me stilin Klinsmann që nga fëmijëria. Një nga ushtrimet e këtij stili ishte Footbonaut, goditja e topave me shpejtësi dhe trajektore të ndryshme te lojtarët, të cilët duhet ta kontrollojnë dhe pasojnë topin në një shesh të ndriçuar derisa kjo të kthehet në një natyrë të dytë.
Mario Gotze e përdori makinerinë për vite me radhë në klubin e tij. Në finalen e Kupës së Botës 2014, ai kontrollonte një kryq me gjoksin e tij dhe e futi topin në rrjetë, duke fituar kampionatin me një kopje të saktë të trajnimit që ofronte makineria. Ajo ishte një lëvizje “fluide, e menjëhershme”, një plan i përmbushur me sukses për të mposhtur rastësinë.
AJAX, MODELI HOLLANDEZ I SUKSESIT
Konsiderohet si një ndër modelet e suksesit, të cilat “prodhojnë” futbollistët për treg jo vetëm europian, por edhe më gjerë. Akademia e famshme e Ajax në Holandë, konsiston në organizimin e 25 trajnerëve, me 200 studentë të moshave nga 7-19 vjeç. Sikurse klubet profesioniste të tjera në Europë, ka strategjitë e tyre të të funksionuarit si biznes-sport, struktura e së cilës fokusohet në trajnimin e lojtarëve, të cilët “katapultohen” në skuadra të tjera, kundrejt fitimeve marramendëse.
KLUBET MË TË PASURA NË BOTË
Real Madrid: 3.3 mld euro
Barcelona: 2.92 mld euro
Manchester United: 2.56 mld euro
Bayern Munich: 1.69 mld euro
Burimi: Forbes (World Most Valuable Sport Teams 2014)
Përgatiti: Deada Hyka
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.