Frenimi i konsumit dhe kriza e likuiditeteve po bëjnë që bizneset të mos arrijnë të gjenerojnë fitimete duhura, duke e reflektuar këtë dhe në mosarritjen e pagave të punonjësve të tyre. Konstatimi është bërë nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në daljen e tij të fundit para medieve, ku njoftoi për mbajtjen e normës bazë në nivel të pandryshuar, prej 3.5%.
“Nivelet e ulëta të shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese kanë frenuar rritjen e pagave, të kostove të prodhimit dhe të marzheve të fitimit,” tha Fullani.
Edhe të dhënat e fundit nga tatimet konfirmojnë rënien e fitimeve të bizneseve. Sipas të dhënave të tetë mujorit, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin zbritën me 1.4 miliardë lekë, apo 11.7% në 10.2 miliardë lekë, duke reflektuar situatën e vështirë që po kalojnë bizneset vendase, që po vuajnë pasojat e rënies së fuqisë blerëse, teksa problemet me likuiditetin sa vijnë e po thellohen, në mungesë edhe të kredisë së bankave.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë, në raportet e mëparshme të saj ka konstatuar tendencën tkurrëse të pagave në sektorin privat. Sipas raportit vjetor 2012, “e deflatuar me indeksin e çmimeve të konsumit, paga reale shënoi rënie vjetore 8.07%”.
Në këtë situatë edhe hapja e vendeve të reja të punës ka qenë e kufizuar. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se numri i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, në fund të tremujorit të dytë ishte 282,034 persona, duke u rritur me 1,066 vetë, në raport me tre muajt e parë të vitit. Ritmi i hapjes së vendeve të punës nga sektori privat mbetet shumë i ulët, në raport me vitet e mëparshme, duke reflektuar frenimet e investimeve gjatë dy viteve të fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.