Një kryeministre e fortë si konservatorja Theresa May përballet me dështimin apo suksesin e bisedimeve me Bashkimin Europian. Ju tingëllon e dëgjuar edhe më parë?
Partia e udhëheqësve të njëpasnjëshëm të konservatorëve nga Margaret Thatcher te David Cameron ka pasur ndarje të mëdha në Europë, ku ajo më e rëndësishme ishte beteja e John Major në vitet 1990 me rebelët konservatorë anti-BE, mbi traktatin e Mastrihtit, si pasojë e të cilit u krijua edhe monedha e vetme, shkruan The Economist.
Sipas Tim Bale, një historian i Partisë Konservatore në Universitetin, Queen Mary, në Londër, ato kohëra të vështira duket se do të jetë sërish shumë shpejt e pranishme. Por, gjithsesi problemet e Theresa May, janë më të mëdha se kaq.
Brexit është një propozim më i rrezikshëm se sa qëndrimi që mund të mbahet mbi një traktat. Ekonomia tani është në gjendjen më të keqe, ku parashikimet për një rimëkëmbje janë të pakta. Udhëheqësi i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, është një alternativë më shqetësuese sesa paraardhësit e tij. Fatkeqësisht, afati ia vështirëson edhe më shumë punën znj. May.
Në deklaratat që ajo ka bërë për shtyp javën e kaluar, sidomos pas fjalimit të fundit të mbajtur në Firence, ajo propozoi marrëveshje kalimtare dhe ofroi rreth 20 miliardë euro (24 miliardë dollarë) në favor të Britanisë, duke ia lënë të drejtën për të vendosur gjykatës së BE-së. Por, Komisioni Europian e hodhi poshtë menjëherë atë, dhe Donald Tusk, Presidenti i Këshillit Europian, foli vetëm për marrëveshjen e mundshme në dhjetor. Pjesërisht vonesat janë edhe si pasojë e fajit të BE-së, për ndarjet e saj tepër të ashpra.
E vërteta është se as Irlanda, as fatura e daljes nga BE-ja nuk mund të zgjidhen pa nënshkrimin e asnjë marrëveshjeje mbi tregtinë e ardhshme. Ankesat janë më të shumta në drejtim të znj. May. Paqartësia e saj mbi dëshirat e Britanisë në lidhje me marrëdhëniet e mëvonshme që do të krijohen midis kësaj të fundit dhe BE-së, është bërë e bezdisshme. Por çfarë e zbeh figurën e saj dhe e bën atë që të humbasë pikë është se dobësia e saj politike, po ia vështirëson situatën BE-së në arritjen e nënshkrimit të negociatave serioze.
Fakti që zgjedhjet e menjëhershme në qershor të këtij viti nuk patën suksesin e pritur është vetëm një prej problemeve kryesore dhe paranteza e asaj që mund të ndodhë në të ardhmen e afërt. Paaftësia për të kontrolluar kabinetin, me sekretarin e saj të Jashtëm, Boris Johnson, duke kundërshtuar hapur thelbin e fjalimit të saj në Firence, e përkeqëson situatën.
Paaftësia për të pasur ndikimin e duhur brenda partisë dhe dëshira e shumë prej deputetëve konservatorë për ta zëvendësuar atë përpara zgjedhjeve të ardhshme në vitin 2022, e përkeqësojnë pozicionin e saj.
Shpresa pas fjalimit të Firences ishte se, edhe në qoftë se bisedimet tregtare nuk mund të fillojnë, BE-ja do të hapte bisedime për marrëveshjet kalimtare, për të shmangur një Brexit të skajshëm kur afati i tij i fundit sipas nenit 50 të përfundojë në mars të vitit 2019. Negociatori i Komisionit, Michel Barnier, ende dëshiron ta realizojë një gjë të tillë. Megjithatë, Franca dhe Gjermania janë kundër, duke treguar përsëri se qeveritë kombëtare dhe jo institucionet e Brukselit, janë klientët më të vështirë të Brexit.
Qëllimi joformal i BE 27 në lidhje si me marrëveshjet kalimtare ashtu edhe me ato të tregtisë është që të fillojë pas samitit. Për sa u përket marrëveshjeve kalimtare, e vërteta ka qenë gjithmonë se asgjë nuk do të ofrohet përveç zgjatjes së status quo-së.
Dhe këtë gjë znj. May e pranoi dhe e shprehu gjatë fjalimit në Firence, ku ndër të tjera tha se biznesi nuk duhet t’i përshtatet dy herë, një bote pas Brexit. Javës e kaluar, ajo pranoi se Gjykata Europiane e Drejtësisë do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm gjatë kësaj periudhe, ku theksoi se do të zgjaste “rreth dy vjet”.
Megjithëse z. May ishte ende e paqartë në lidhje me pozicionin e Britanisë si në tregun e vetëm ashtu edhe në bashkimin doganor, në praktikë Britania do të duhet të qëndrojë në të dyja prej tyre. Por një perspektivë e tillë ka shkaktuar nervozizëm në mesin e mbështetësve të Brexit, të cilët shqetësohen se tranzicioni i gjatë do të rezultojë në anëtarësimin e vazhdueshëm pa të drejtë vote.
Mujtaba Rahman i Grupit të Euroazisë, një kompani konsulence, vë në dukje se në gjashtë muajt e kaluar është parë një formë pranimi, e cila sado e vogël dhe e ngadaltë, ka qenë e qëndrueshme nga ana e konservatorëve mbështetës të Brexit, në lidhje me qëndrimin më pak të ashpër të znj. May mbi negociatat kalimtare, sipas të cilëve një vit ose dy vjet vonesë është çmimi që duhet paguar për fitoren përfundimtare.
Por kjo logjikë mund të dështojë nëse tranzicioni zgjatet dhe dyshimet për rezultatin përfundimtar rriten. Kjo ka çuar në ringjalljen e një prej zgjedhjeve më të preferuara në mesin e mbështetësve të vijës së ashpër, një Brexit pa asnjë marrëveshje.
Gjatë fjalimit të znj. May në Firence u kuptua mjaft qartë edhe pozicioni i saj se më mirë të mos nënshkruhet asnjë marrëveshje sesa të nënshkruhet një marrëveshje e keqe. Por për shkak të pozicionit të dobët ajo u detyrua ta tërheqë mbrapsht një qëndrim të tillë, duke deklaruar se ata duhet të planifikonin për t’u përballur me situatën më të keqe të mundshme.
Dy letra të reja të qeverisë së re, mbi doganat dhe politikën e tregtisë së ardhshme, hedhin mundësinë për një skenar të paparashikuar, pa realizimin e asnjë marrëveshjeje. Javën e kaluar, z. Hammond tha se Thesari i Shtetit ende nuk ishte i gatshëm të shpenzonte para për plane të tilla, por paralajmëroi për rrezikun e një “shkatërrimi të keq” të bisedimeve.
Disa prej mbështetësve të Brexit dëshirojnë largimin sepse kanë frikë se referendumi do të tradhtohej. Edhe ata që e njohin janë të vetëdijshëm për pasojat që mund shkaktojë ndarja, besojnë se kërcënimi për mosrealizimin e asnjë marrëveshjeje do të forconte pozitat e znj. May në Bruksel.
Të shumtë janë ata që mendojnë se z. Cameron nuk arriti të fitonte një marrëveshje më të mirë në rinegocimin e kushteve të tij të anëtarësimit të Britanisë në fillim të vitit 2016, kryesisht për shkak se ai nuk ishte aspak i përgatitur për skenarin tjetër, largimin nga BE-ja.
Megjithatë, dy janë problemet kryesore që janë shfaqur me ringjalljen e bisedave për mosrealizimin e “asnjë marrëveshjeje”. I pari është dëmi i madh potencial. Rreziku i mundshëm që linjat ajrore të pushojnë së fluturuari, apo ndalimi i punës për kamionët që kanë lidhje me portet e jashtme apo me spitalet, edhe pse mund të jenë të ekzagjeruara, janë të vërteta.
Një dalje nga BE-ja, pa asnjë marrëveshje do të dëmtonte edhe vetë BE-në, por shumë më pak. Kjo çon në problemin e dytë, që është ajo që vendet e tjera të BE-së nuk u besojnë kërcënimeve të Britanisë për t’u larguar. Ata po shohin se bankat dhe bizneset e tjera po flasin për largimin nga vendi dhe dyshojnë se ka një shumicë parlamentare në favor të realizimit të asnjë marrëveshjeje.
Ata mund të kenë edhe të drejtë. Por rreziku që ata shohin është se, edhe nëse jo qëllimisht, një Brexit pa realizimin e asnjë marrëveshje mund të ndodhë rastësisht. Koha po kalon dhe pozicionet negociuese janë përcaktuar. Rezultati përfundimtar i negociatave të Brexit duhet të jetë një marrëveshje e dobishme dhe sa më racionale për të dyja palët. Por negociatat mes BE-së së patundur nga ana ligjore dhe Theresa May gjithnjë e më të dobësuar politikisht, mund të mos jenë aq racionale sa do duhet të ishin.