Nga Albana MUÇAJ
Dy produktet, që gjallërojnë më shumë tregjet në stinën e verës, pijet freskuese dhe lëngjet e frutave, kanë ndryshuar pozicionet në “fushën e lojës” që vitin e kaluar. Konsumatorët po zgjedhin më shumë pije freskuese me apo pa gaz, në vend të lëngjeve të frutave.
Të dhënat e prodhimit dhe tregtisë së jashtme vërejnë se tregu i lëngjeve të frutave po tkurret ndjeshëm, këtë fillim vere, në raport me atë të pijeve freskuese. Kjo është një tendencë tërësisht e kundërt me atë që u vërejt në vitin 2011. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, tregu i lëngjeve të frutave rezulton të jetë ulur gati 30% vitin e kaluar, ndërkohë që ai i pijeve freskuese u rrit 13% krahasuar me 2010-n. Në tregun tonë, pijet freskuese janë shumë më të konsumuara krahasuar me lëngjet e frutave. Lëngjet që konsumohen çdo vit janë më pak se 15-20% e sasisë së pijeve freskuese. Raporti është shumë më i distancuar në ditët e nxehta të verës, kur kërkohen pikërisht freskia e pijeve.
Përfaqësuesit e një prej kompanive më të mëdha tregtare në vend pohojnë se shitjet e pijeve freskuese po ecin mirë këtë verë. Sipas Alma Bicit, menaxhere e marketingut pranë “Agna Group”, me ditët e nxehta “po rritet edhe konsumi i pijeve freskuese”. Kjo periudhë, sipas saj, po kompenson edhe shitjet e dobëta të tre muajve të parë të vitit, kur pati temperatura të ulëta e konsum të frenuar të pijeve freskuese.
Por rritja e shitjeve këtë verë nuk është vetëm nga temperaturat e larta. Prej vitesh, në industrinë e pijeve, aktorët kryesorë në garën për tregje janë departamentet e marketingut të këtyre kompanive. Një treg, tashmë jo aq i “etur” sa para dhjetë vitesh, është bërë më selektiv në zgjedhje. Në të njëjtën kohë, operatorë të rinj janë futur veçanërisht në tregun e lëngjeve të frutave, duke e zvogëluar edhe më tej pjesën e tortës për çdo produkt.
Në këtë verë po ndodh pikërisht kjo: lëngjet e frutave “luftojnë” mes tyre duke e ndier të humbur betejën me prodhimin që qarkullon rreth më shumë herë në treg, pijet freskuese.
Distributorët më të mëdhenj të shitjes e pranojnë që në muajt korrik-gusht të vitit, shënohet piku i shitjeve për të dyja këto lloje pijesh. Sipërmarrës të lokaleve në bregdet, por edhe prodhues vendas, konfirmojnë se shqiptarët po konsumojnë gjithnjë e më tepër çajet e ftohta dhe pije freskuese pa gaz. Të vlerësuara si produkte të lehta, pa sheqer, pijet pa gaz shënojnë nivelin më të lartë të rritjes së konsumit, krahasuar me pothuajse të gjitha llojet e tjera të pijeve.
Pijet freskuese, rriten importet
Si prodhuesit vendas, edhe importuesit e pijeve freskuese, raportojnë rritje të shitjeve gjatë këtij viti, ndonëse jo me ritmet e shënuara në fillim të stinës së verës 2011.
Tregtarët e pijeve freskuese tregojnë se shitjet gjatë muajit të fundit ishin mbi 10% më shumë se e njëjta periudhë e 2011-s. Edhe brenda këtij tregu, ecuria e shitjeve është e ndryshme. Pijet freskuese, por pa gaz, po shënojnë rritjen më të madhe të shitjeve (mbi 25% krahasuar me një vit më parë). Ndërkohë që pijet tradicionale freskuese konsumohen pothuajse sa një vit më parë. Rritje raportojnë edhe prodhuesit e lëngjeve të frutave. Sipas tyre shitjet janë rreth 5% më të larta se një vit më parë.
Vitin e kaluar, prodhimi i pijeve freskuese në vend u rrit mbi 2% duke arritur në 545 mijë hektolitra. Kapacitetet e instaluara të prodhimit në vend vlerësohet të jenë edhe dy herë më të larta se sasia që kompanitë prodhuan, por gara e vjen edhe nga importi.
Sasia e pijeve freskuese të importuara u rrit mbi 12% vitin që shkoi, duke i kaluar 400 mijë hektolitra. Importi arriti sa 70% e pijeve të prodhuara në vend. Sipas operatorëve në treg, vitin e kaluar ndikoi zgjerimi i rrjetit të “Mercator” në shtimin e importeve. Në fakt po të vërejmë furnizimin sipas vendeve, Serbia, Kroacia dhe Sllovenia zënë rreth 13% të importeve, kur vetëm pak vite më parë nuk ishte as 5%.
Në tendencën e tregut këto vite, vërehet qartë se importuesit e pijeve freskuese kanë arritur të ecin shumë më mirë se prodhuesit vendas. Përjashtuar vitin 2010, prodhimi i pijeve në vend, ishte më i ulëti i pesë viteve të fundit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2008, sasia e prodhuar ishte gati 850 mijë hektolitra, ose 35% më shumë se vitin e kaluar. Në të njëjtën distancë kohore importet e pijeve freskuese u rritën 50% dhe për më tepër tendenca e importit ka qenë në rritje të qëndrueshme prej 2005-s.
Tendenca e shitjeve këtë verë
+ 10 % pijet freskuese në total
+ 25% pijet freskuese pa gaz
Njësoj, pijet freskuese me gaz
+5% lëngjet e frutave
Burimi: Prodhuesit e tregtarët e pijeve
Lëngjet e frutave
Kryeson prodhimi në vend
Rrjetet e shitjes me pakicë raportojnë rritje prej rreth 5% të shitjeve të lëngjeve të frutave dy muajt e fundit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, tregu mbetet shumë më i vogël krahasuar me pak vite më parë. Gjatë 2011-s, tregu i këtij produkti u tkurr me gati 30%. Ulja e ndjeshme e kërkesës ndikoi si në rënien e prodhimit, edhe të importit të lëngjeve.
Sipas shifrave të tregtisë, sasia e prodhimit ra 34% duke siguruar vetëm 69 mijë hl, ndërkohë që importet pësuan një rënie prej 20% krahasuar me një vit më parë.
Ndryshe nga pijet freskuese, lëngjet e frutave të prodhuara në vend zënë një peshë më të lartë se importet të paktën gjatë dy viteve të kaluara. Në 2011-n, prodhimi vendas siguroi 60% të tregut.
Nga Italia, 50% të lëngjeve
Nga të dhënat e importit, peshën kryesore nga ku vijnë lëngjet e frutave e zë tregu italian. Vitin që kaloi importet nga Italia ishin rreth 23 mijë hl ose 50% e totalit të sasisë së importuar. Italia ka humbur terren në këtë treg krahasuar me një vit më parë, me 4 pikë përqindje në vlerë dhe rreth 6 pikë përqindje në sasi. Kjo shpjegohet me çmimet më të larta të importit krahasuar me 2010-n.
Megjithëse kemi importuar më pak, vitet e fundit kemi zgjeruar tregjet nga ku importojmë lëngjet e frutave. Por, importet nga Italia nuk nënkuptojnë plotësisht produkte “Made in Italy”. Pjesë e këtyre importeve është edhe furnizimi austriak i “Pfanner”, e cila blihet nga ne përmes rrjetit tregtar italian. Tregu i dytë furnitor është pozicionuar tashmë Kosova, me 26% të prodhimit të importeve.
Çmimet, i rezistojnë rritjes
Këtë verë nuk pritet të kushtojë më shtrenjtë nëse do të freskoheni me pije apo lëngje frutash. Prodhuesit saktësojnë se kostot e prodhimit e ambalazhit janë rritur, por nuk kanë planifikuar t’i kalojnë ato te çmimi i produktit përfundimtar. Arsyeja kryesore duket të jetë konkurrenca relativisht e fortë në treg. Por, duhet të kujtojmë se vitin e kaluar, prodhuesit e tregtarët aplikuan rritje në gati 15% të çmimit të një pije. Vitin e kaluar çmimi u rrit për shkak të vendosjes së akcizës së ambalazhit dhe kostove të rritura. Znj. Bici tregon se, “çmimet e lëndëve të para janë rritur edhe këtë vit” por ajo siguron se, çmimet do të mbahen në nivele të pranueshme për konsumatorin.
Për katër vite me radhë (deri në 2011), çmimi i lëngjeve ka shënuar vetëm rritje. Sipas prodhuesve vendas, rritja e çmimit ishte pasojë e koniukturave të tregut dhe e nevojës për të përmirësuar cilësinë e prodhimit. Çmimi nuk ka qenë problem për këta prodhues, të cilët gjithsesi kanë rritur shitjet e tyre.
Sipas të dhënave nga shoqatat përfaqësuese të agroindustrisë, Shqipëria numëron 12 fabrika (shumica e tyre me përmasa të vogla) të prodhimit të lëngjeve të frutave dhe 8 kompani importuese të këtij produkti. Përfaqësuesit e agroindustrisë tregojnë se prodhuesit kanë rritur kapacitetet e shfrytëzimit të industrisë duke konkurruar importin, ndryshe nga çfarë po ndodh me pijet freskuese.
Shqiptarët llogaritet të konsumojnë rreth 6 litra lëng frutash në vit për frymë, sasi kjo shumë e vogël krahasuar me shumë vende të tjera, por edhe me mesataren e konsumit në nivel botëror. Sipas vlerësimeve të tregut, niveli i konsumit për frymë është luhatur mes 5-7 litra. Sipas të dhënave të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), konsumi mesatar në nivel botëror është katër herë më i lartë (viti 2010: 30 litra/frymë në vit).
Konsumatorët më të mëdhenj të lëngjeve të frutave janë kanadezët dhe amerikanët. Sipas FAO-s, në Kanada konsumi mesatar për frymë është 53 litra/vit.
Konsumi mesatar i lëngjeve të frutave për frymë në disa vende (litër/frymë)
Kanada 53
SHBA 44
Gjermani 39
Austri 37
Itali 14
Shqipëri 6
Konsumi mesatar botëror 30 litra/frymë
Burimi: FAO, MBUMK
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.