Emigrantët, riintegrim në vendlindje

27/03/2012 4:01 PM 0 komente

Kur disa bashkëfshatarë synonin Greqinë, Anastas Xhavara nga Kakozi i Lunxhërisë mbillte pemë e hardhi në kodrat poshtë fshatit. E kishte provuar emigracionin për disa vjet, larg familjes në tokë të huaj dhe e dinte mirë çi priste atje, në kurbet. Por edhe në fshat nuk jetohej, pa një të ardhur të garantuar, ndaj dhe nuk këmbënguli ti ndalonte, veç mendoi se shumë shpejt edhe ata do të vepronin si ai, do të investonin mundin e djersën në tokën e tyre. Tani Anastasi është kryetar i shoqatës së vreshtarëve të krahinës dhe po merr masat për të festuar për të dytin vit radhazi “Festën e verës”, një traditë e hershme e vendasve, që po ripërtërihet prej më të rinjve.Në krahun tjetër të krahinës janë bletërritësit me emër, ndërsa në Zagori djemtë e Kuranje dallojnë për prodhimin e djathit e të nënprodukteve të qumështit, sikurse blegtorët e dalluar të Lazaratit, Golemit, Kaparielit etj., kanë çuar në mbi 300-500 kokë tufat e dhenve. Nuk po ndalemi në Dropull, ku ka biznese me emër edhe në rang vendi. Numri i biznesmenëve ka ardhur në rritje. Megjithatë, pak veta e shohin të ardhmen këtu, në vendlindje dhe pak emigrantë janë kthyer të investojnë, megjithë stabilizimin e rendit e qetësisë në rajon. Gjirokastra, emigracion rekordNë 15 vitet e fundit Gjirokastra përjetoi një emigracion në shifra të larta, 21.5% e popullsisë ose 35000 vetë. Paralel me emigrimin pati edhe një migrim masiv. Fshatra të tërë u braktisën dhe mbetën vetëm pleq e plaka. Nëse në vitin 1990, raporti popullsi rurale me urbane ishte përkatësisht ishte 67.5% me 32.5%, tani rezulton 59% me 41%. Vërtet vitet e fundit vihet re një kthim i emigrantëve, por kjo ende nuk është një dukuri tipike. Tendenca mbetet për emigrim jashtë vendit, kryesisht në Greqi. Por çfarë i detyron shqiptarët të emigrojnë dhe emigrantët të ngurrojnë të kthehen në vendlindje? Varfëria ekonomike dhe papunësiaNiveli i ulët ekonomik i familjeve fshatare ka qenë dhe mbetet shkaku i emigrimit masiv të popullsisë fshatare kryesisht drejt shtetit fqinj, Greqisë. Edhe në Itali, Amerikë e Angli kanë shkuar, por Greqia fqinjë u ofroi më shumë mundësi për të qenë më pranë familjes. Në Dropullin e Sipërm 70% e banesave janë me dryn, apo vetëm me të moshuar. Në Hoshtevë e Konckë të krahinës së Zagorisë mbi 80% e familjeve janë ose në emigrim, ose në qytetet e vendit. Golemin malor, e gjen të instaluar në lagjen Limon të Sarandës, ku janë sistemuar pjesa më e madhe e banorëve. Shembujt janë të shumtë. Ajo që të shqetëson është fakti se nga këto zona iku krahu i aftë për punë, toka mbeti djerrë, gjithçka për të jetuar merrej në qytet vitet e para të tranzicionit. Rinia e braktisi fshatin, ajo nuk e gjeti veten aty. Mundësi punësimi nuk kishte. Vartësia ekonomike nga familja i detyroi të rinjtë e të rejat të marrin udhët e kurbetit. Ata që mbetën, u morën me blegtori. Por puna e mbushi shtëpinë me bulmet, me mish, rriti disi edhe të ardhurat financiare nga shitjet. Kështu nisi parapëlqimi për punën në fshat për ata që mbetën. Ndihma e emigrantëve me mjete financiare, gjithsesi ishte dhe është ende faktor jetese për shumë familje. Por vende pune për rininë ende nuk ka. Toka punohet vetëm 70% e kjo më shumë për blegtori, mbillet me haslla e jonxhë. Prishja e sistemit ujitës është një tjetër vështirësi për të rritur të ardhurat me punën në fshat. Se ja, të ndalemi në Dropull, që dikur ishte quajtur “hambar” i drithit për Gjirokastrën. Fusha jeshilon nga bari, jonxha, apo hasllat. Toka nuk mbillet si dikur, as 20% e sipërfaqes nuk merr dot ujë. Kanalet u prishën me ndërtimin e superstradës e vetëm tani kanë nisur të riparohen dëmet. Rezervat ujore në Gjirokastër janë për të ujitur 70% të sipërfaqes, por… Dhe e gjitha kjo nga specialistët përkthehet varfëri, mosshfrytëzim i burimeve.Nga ana tjetër, mungesa e vendeve të punës, sidomos për intelektualët, ka nxitur si emigrimin edhe migrimin. Shifrat flasin për 3% të emigrantëve me arsim të lartë. Vetëm nga Dropulli i Sipërm janë larguar në emigracion 150 specialistë me arsim të lartë, nga Zagoria 80 specialistë, nga Picari 65, nga Lunxhëria 60 specialistë etj. Të gjithë këta kanë emigruar se nuk kanë gjetur veten në fshat, por edhe se kanë pretendime për një jetesë më të mirë për vete dhe për fëmijët e tyre. Po si dhe kur mund të kthehen emigrantët?Kjo pyetje dhe të tjera të kësaj natyre morën përgjigje pro e kundër në një takim të organizuar në Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës, ku dukuritë e emigracionit u bënë edhe pjesë e punës së ekspertëve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim me qendër në Paris. Në një tryezë të rrumbullakët u diskutua për mundësitë e riintegrimit të emigrantëve, për pengesat e vështirësitë që ata hasin kur kthehen e që i detyron të rikthehen në emigrim, ku sigurojnë më shumë të ardhura, kanë kushte jetese më të mira, kanë infrastrukturën e nevojshme për një jetesë bashkëkohore, çka nuk u sigurohet ende, këtu në vendlindje. Aq më keq, që ka pasur raste kur janë penguar të investojnë, me mënyra nga më të ndryshmet. Të ardhurat minimale që sigurohen nga biznesi, çmimet relativisht të larta, pamundësia për të plotësuar shumë shërbime të nevojshme jetike, vështirësitë për strehim etj., mbeten faktorë që nxisin emigrimin dhe jo kthimin e emigrantëve. Megjithatë, skeptikë nuk duhet të jemi, u tha në këtë tryezë, nga vetë ata që ngritën këto shqetësime. Dhe u sollën edhe shembuj që flasin për të kundërtën. Kështu, në të gjitha fshatrat e rrethit, mbi 60% e banesave janë rikonstruktuar ose janë në proces rikonstruksioni, pasi emigrantët po investojnë, një shenjë kjo që edhe do të kthehen një ditë, qoftë edhe vetëm për pushime. Disa emigrantë po investojnë në biznese të vogla. Në fshatin “Andon Poci” p.sh., funksionojnë 14 biznese të vogla e të mesme, ku 10 janë biznese prodhuese. Në Derviçian janë 32 biznese, ku 25 janë prodhuese. Ka tendencë të rritjes së investimeve të tilla, sikurse edhe mbyllje të aktiviteteve, që kanë falimentuar nga pamundësia për të paguar taksat, konkurrenca në treg, ndonjë gjobë e pamerituar etj. Po të mbështeten më shumë nga shteti me kredi lehtësuese, me interes të ulët, me afat më të gjatë dhe të hiqet taksa doganore, thanë specialistet e ftuar, do të ketë më shumë investime në zonat rurale, por edhe urbane, më shumë punësim për të papunët, pra më pak kërkesa për emigrim. “Vetëm tre vitet e fundit nga hapja e vendeve të reja të punës, prej këtyre bizneseve”, -thotë Bashkim Tola, përgjegjes i Zyrës së Punësimit, janë punësuar 800 vetë, në 120 biznese private.Naxhi Mamani, ekonomist, ngre problemin e informacionit ekonomik. Emigrantët nuk e kanë informacionin e duhur për zhvillimet e fundit në vend, nuk e njohin realitetin, që edhe ka ndryshuar, krahasuar me 97-tën , kur ishte frikë të investohej. “Një propagandë më e mirë e konkrete do të ishte frytdhënëse në këtë drejtim”, -shton edhe ekonomisti tjetër, Kristaq Combi. Në zonat rurale 50% e të ardhurave vijnë nga emigrantët, ku pjesa më e madhe shkon për jetesën e familjeve fshatare pa të ardhura ose me pak të ardhura, kryesisht nga blegtoria.Shfrytëzimi i burimeve Rajoni jugor ka burime të shumta, shfrytëzimi i të cilave çon në krijimin e vendeve të reja të punës, punësimin e fuqisë specialiste, aktivizimin e mjaft punëkërkuesve. “Janë mundësi të pashfrytëzuara ende, një shans që nuk e ka kush”. Kështu, do të shprehej pedagogu helen dhe specialisti ndërkombëtar për çështjet e emigrimit, Hary Papanagos, i pranishëm në tryezën e debatit për çështjet e emigracionit. “Ju do ta kaloni këtë fazë dhe jam i bindur në rezultate shumë pozitive, pasi e njoh rajonin, njoh dhe problematikën. I kemi kaluar edhe ne këto momente”. E rëndësishme, -tha eksperti i huaj, është që të investohet prej emigrantëve, tu hapet horizont, por edhe tu krijohen kushte, të mos pengohen, përkundrazi të nxiten për të investuar. Sipas tij vetëm 18% e të ardhurave të emigrantëve investohen për biznes. Eksperti helen kërkoi që të mos nënvlerësohen zhvillimet lokale dhe strategjia e zhvillimit afatgjatë e rajonit. Ky është një faktor që nxit emigrantët për investim në vendin e tyre dhe kthimin, doemos nga emigrimi. “Kapitalet që kanë, është mirë ti qarkullojnë, ti investojnë”, -u shpreh ai. Edhe kjo gjë është mirë të vlerësohet prej specialistëve, pasi edhe këta duhet të nxisin, të orientojnë investimet.Gjirokastra e ka gati një strategji zhvillimi perspektiv, të hartuar nga Këshilli i Qarkut. Veç kësaj janë disa projekte të rëndësishme të miratuara tashmë, por me shpresë financimi edhe nga donatorë të fuqishëm, që mund ti hapin rrugë zhvillimit ekonomik e social. Është quajtur i drejtë orientimi drejt turizmit kulturor, pasi ka mjaft objekte të trashëgimisë së lashtë e vendeve turistike, sikurse edhe drejt biznesit turistik e familjar, krahas zhvillimit të agrobiznesit dhe ekoturizmit. Janë disa prej faktorëve ndikues për punësim e zhvillim, që mund e duhet të tërheqin emigrantët për të arrdhur që të investojnë, apo edhe që të punojnë pranë familjeve dhe të afërmëve të tyre. Vetëm ky takim ishte një hap i hedhur në kohën e duhur, shpresëdhënës për mundësimin e kthimit më të shpejtë të emigrantëve në vendlindje.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of