FIFA zyrtarizon shpërblimet për Botërorin 2018, 38 mln dollarë për kampionët e ardhshëm të Botës

30/10/2017 7:10 PM 0 komente

Gjatë Këshillit Federal të mbajtur javën e kaluar në Kalkuta, FIFA miratoi shifrat për sa u përket shpërblimeve ekonomike për skuadrat pjesëmarrëse në Botërorin Rusi 2018.

Në total, kjo shumë do të rritet në 791 milionë dollarë, 40 për qind më shumë krahasuar me Botërorin 2014. Pjesa më e madhe, ose ndryshe 400 milionë, do të ndahet mes 32 skuadrave që do të marrin pjesë në fazën finale në Rusi.

Skuadrat që do të eliminohen në fazën e grupeve do të fitojnë 8 milionë dollarë, ndërsa skuadra që do të ngrejë Kupën e Botës, do të fitojë 38 milionë dollarë; finalistja, 28 milionë dollarë, ndërsa skuadra e tretë e klasifikuar do të fitojë 24 milionë dollarë.

Po ashtu, çdo skuadër do të shpërblehet me 1,5 milionë dollarë për të mbuluar kostot parapërgatitore – në këtë mënyrë, çdo federatë ndër kombëtaret e kualifikuara është e sigurt se do të arkëtojë 9,5 milionë dollarë.

FIFA ka parashikuar 209 milionë dollarë për Club Benefit Programme, ose ndryshe programi për të rimbursuar klubet në bazë të numrit të lojtarëve që do të marrin pjesë në ekipet kombëtarë. Një shumë tjetër prej 134 milionë dollarësh do të shkojë për Club Protection Programme dhe do të shërbejë për dëmshpërblimin e klubeve në rast se lojtarët dëmtohen gjatë kompeticionit të Kupës së Botës 2018.

Aktualisht, janë 23 skuadra kombëtare të kualifikuara zyrtarisht në Botëror 2018. Për të plotësuar kuadrin e 32 finalistëve që verën e ardhshme do të shkojnë në Rusi mungojnë dhe 9 skuadra. Katër prej tyre do të dalin nga faza play-off e zonës europiane; dy, nga faza play-off ndërkontinentale (Zelandë e Re – Peru dhe Honduras – Australi) dhe tre të tjera nga eliminatoret e zonës së Afrikës që janë duke u zhvilluar.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz