Tregu i fondeve të investimit u rrit me 11.14 për qind në vitin 2017. Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se vlera neto e aseteve të Fondeve, arriti rreth 72.72 miliardë lekë me një rritje prej 7.29 miliardë, krahasuar me 31.12.2016. E shprehur në euro, totali i aseteve neto është 539 milionë Euro. Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë 61.30% të aseteve të fondeve, me një rritje prej 5.84% krahasuar me 31.12.2016. Në rritje gjatë vitit të kaluar ka qenë edhe numri i anëtarëve që kanë investuar në këto fonde që në fund të dhjetorit 2017 arriti 31,320 me një rritje prej 7.01% krahasuar me 31.12.2016.
Rritja e pjesëmarrjes në tregun e fondeve të investimit është argumentuar përveçse me informimin e individëve rreth kësaj alternative, edhe me leverdinë që ka ky opsion në raport me depozitat. Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë është përcjellë sidomos tek interesat e depozitave. Kjo ka bërë që fondet e investimit të shihen si një mundësi për të përfituar një interes më të lartë nga kursimet.
Gjatë vitit 2017, në tregun e fondeve të investimeve ushtruan aktivitetin e tyre tre fonde investimi, përkatësisht fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigj”, fondi i investimeve “Raiffeisen Invest Euro” të cilat administrohen nga shoqëria “Raiffeisen Invest”dhe fondi i investimeve “Credins Premium” nën administrimin e shoqërisë administruese “Credins Invest”.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nga ana tjetër duke pranuar rritjen graduale të tregut ka fokusuar vëmendjen tek rregullimet e kuadrit ligjor sa i përket fondeve të investimit si dhe forcimit të kapaciteteve mbikëqyrëse mbështetur edhe me projekte të Bankës Botërore dhe SECO.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.